Këmbeu 138 mijë euro fallco, alarmohet pronari i "Exchange" në Tiranë
Pëlqej
Një pronar i një "Exchange" në Tiranë është tmerruar kur ka vënë re se një shumë e konsiderueshme eurosh të këmbyera në dyqan dyshohet të jenë false.

Bëhet fjalë për një shumë prej afro 138 mijë eurosh, që është këmbyer në një “Exchange” në rrugën “Sami Frashëri”, nga dy persona që, sipas Policisë, janë shpallur në kërkim.

Ka qenë pronari i dyqanit të këmbimit valutor, shtetasi me iniciale A.D., që ka denoncuar ngjarjen në zyrat e Antikrimit Ekonomik të Tiranës, pas verifikimit paraprak të kartëmonedhave, që, sipas tij, dyshohet të jenë false.

Burimet thanë se i dëmtuari i ka kontrolluar më parë kartëmonedhat me aparaturën që ka në dyqan, nga ku ka konstatuar mungesën e disa elementeve të sigurisë. Për rrjedhojë, duke dyshuar se janë të falsifikuara, ai ka kërkuar edhe verifikimin e kartëmonedhave në Laboratorin e Kriminalistikës, pasi dëmi që ka pësuar është i konsiderueshëm.

Nga ana tjetër, ai ka vënë në dispozicion të grupit hetimor edhe pamjet e kamerave të sigurisë, të cilat po verifikohen nga ana e oficerëve të Antikrimit Ekonomik.

Bashkë me këto pamje, Policia po verifikon edhe pamje të bizneseve të tjera përgjatë rrugës “Sami Frashëri”, për të zbuluar lëvizjet e dy të dyshuarve, rruga që kanë përshkuar nga momenti kur janë futur në dyqan e deri kur janë larguar pas këmbimit të parave. /albeu.com/
Shtuar më 31/07/2017, ora 11:21
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori