Këmbanë alarmi për lirinë e mediave, Patozi shigjeton Qeverinë
Teksa ka marrë fjalën në Kuvend, Astrit Patozi akuzoi Qeverinë se u bën presione mediave. Sipas tij, kur shtypi blihet, edhe votat mund të blihen, duke rrezikuar në këtë mënyrë zgjedhjet e 21 qershorit. Deputeti i Partisë Demokratike, Astrit Patozi, hodhi akuza për kërcënim ndaj lirisë së shtypit për të transmetuar lajme kundër saj. Per te, ky lloj shantazhi rrezikon zgjedhjet.

“Ky vend ka probleme me informacionin e thjeshtë. E kemi bërë zakon që në fushata zgjidhin jo vetëm thesin e premtimeve, por dhe atë të akuzave për njëri-tjetrin. I kemi mësuar edhe njerëzit me këtë ushqim të skaduar. Çfarë kemi të re kësaj radhe, megjithëse jemi në kulmin e fushatës, shumica e mediave e mbyllin një sy kur u kalon një lajm kundër mazhorancës.

Edhe një teshtimë kundër opozitës publikohet kudo. Mund të ketë plot këtu në sallë që të më mbylli gojën se kush jam unë që i jepkam direktiva shtypit, por ne këtu të gjithë e dimë që është kështu siç them unë.

Si ka mundësi që shumica e mediave mbyllin ekranet e tyre kur ka ndonjë lajm kundër qeverisë? Shtypi në Shqipëri është herë i shantazhuar, herë i blerë.

Shtypi nuk ka pasur dhe nuk do ketë kurrë frikë nga politikanët. Është evidente që LSI bën një fushatë shumë më të kushtueshme dhe se vetë PS. I thashë këto jo thjesht si shqetësim të opozitës, por si kembanë alarmi për gjithë shoqërinë që në një farë mënyrë është e përdhunuara në grup e kësaj qeverie.

Për shkak të kësaj qeverie, ne kemi mbërritur në një pikë kritike të lirisë së shtypit. Është rrezik real për zgjedhjet e 21 qershorit. Kur shtypi blihet dhe kërcënohet nga qeveria, është shumë e thjeshtë që edhe votat të blihen. Ne nuk e mbushim dot hendekun e heshtjes së blerë apo të imponuar të shtypit edhe sikur ta mbajmë parlamentin hapur çdo ditë”, tha Patozi. /albeu.com/

Shtuar më 04/06/2015, ora 12:50
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori