Vrasja e Prengës, fotot e 6 anëtarëve të grupit Doçi dhe rolet për pengmarrjen

Personat që shihni në këto foto janë pjesëtarë të fisit Docaj dhe të afërm apo lidhje miqësore të tyre, te dyshuar për rrëmbimin, torturimin dhe zhdukjen e Jan Prengës, me 17 janar në Kamzë. News24 ka siguruar fotot e të gjithë pjesëtarëve të grupit kriminal, te cilët janë shpallur në kërkim nga Policia e Shtetit.

Nga hetimet rezulton se Gentian Doci është personi që urdhëroi rrëmbimin e 49-vjeçarit, pasi vëllai i pengut zhduku një sasi të madhe kokaine që e nxori nga një port në Britaninë e Madhe.
Hetuesit thonë se ai u kërkoi të afërmve të vëzhgonin dhe të merrnin peng Jan Prengën për t’i bërë presion të vëllait t’i kthente drogën.

Nga hetimet rezultoi se Artan Docaj vëllai i Gentianit drejtonte makinën “Range Rover” me të cilën u mor peng 49-vjeçari. Ndërsa Aldo Majnishta ndodhej në sedilen e pasme të automjetit. Ata dyshohet se e torturuan pengun i cili humbi jetën nga torturat.

Të dyshuarit e tjerë rezultojnë pjesëmarrës direkt në ngjarje dhe shfaqen në pamjet filmike të garazhit të resortit duke kryer veprime me trupin e pajetë të Prengës, të cilin e nxjerrin me një furgon të bardhë të mbyllur. Deri më tani për krimin e rëndë janë arrestuar Bajram Hajri, Leonard Hajri, Elton Hajri, Olsi Turja, Festim Bexhdili ndërsa u vetëdorëzua Ardian Docaj.

Në seancë gjyqësore Bajram Hajri tha se nuk ka asnjë lidhje me krimin dhe se ndodhej në resort pasi është pronë e familjes. Ai këmbënguli se është viktimë, por nuk e bindi dot gjykatën ta lironte, shkruan BW.

Në kërkim është shpallur edhe Altin Hajri pronar i “Golden Resort”, ndërsa gjykata ka caktuar masë sigurie edhe për Dritan Rexhepin qe ndodhet në burg në Ekuador prej 2014. Referuar dosjes hetimore Rexhepi rezulton se ka telefonuar familjarët e Prengës dhe u ka dhënë garanci që pengu do lirohej nëse kryhej droga. Ai pretendon se u pre në besë nga Gentian Doci dhe për këtë shkak thuhet në dosje i tregoi familjes Prenga emrat e rrëmbyesve.


Shtuar 25.02.2020 19:15