KE: Maqedonia nuk meriton hapjen e bisedimeve per anetaresim
Albeu.com
Në raportin e Komisionit evropian theksohet se arsyet kryesore për raportin negativ për Maqedoninë vijnë për shkak të incidenteve zgjedhore si dhe për shkak të mungesës së dialogut politik.Alsat ka siguruar projekt-raportin e fundit te Komisionit Evropian per progresin e vendeve te Ballkanit qe pritet te publikohet me 5 nentor. Ai i drejtohet vendeve anetare dhe Parlamentit Evropian dhe per Maqedonine nuk rekomandon celjen e negociatave pasi sipas dokumentit vendi nuk i permbushi kriteret politike dhe as ato te caktuara nga Komisioni Evropian.
Sipas Komisionit Evropian ka shënuar disa progrese gjatë këtij viti por vendi nuk i përmbush akoma kriteret politike që kërkohen. Arsyet kryesore ishin zgjedhjet parlamentare të vitit 2008 me incidentet e dhunshme dhe parregullsitë që nuk përmbushën standartet ndërkombëtare, mungesa e dialogut politik që vonoi reformat, dhe përmbushja e pjesshme e tetë kritereve të njohura.
Në projekt-raportin e fundit të progresit që iu drejtohet vendeve anëtare të BEsë dhe Parlamentit Evropian, Maqedonia vlerësohet se ka bërë progres të mirë apo se ka ecur më tej në disa fusha, siç është ajo e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, në fushën e ndërmarrjeve dhe politikave industriale, prokurimeve publike, transportet, shoqëria e informimit dhe e mediave, në e edukim dhe kulturë si dhe në konkurrencë. Progres është shënuar edhe në sektorin e energjisë. Ndërsa progres i kufizuar shënohet në politika sociale dhe punësim, në të drejtat e kulturore dhe ato të minoriteteve, në kontrollin financiar, në lëvizjen e lirë të mallrave. Gjithsesi në pjesën më të madhe të fushave kyçe rekomandohet vazhdimi i përpjekjeve.
Por e gjitha kjo nuk mjafton që Maqedonisë ti çelet drita jeshile për negociatat për anëtarësim. Sipas Komisionit Evropian kjo do të jetë e mundur vetëm kur vendi të ketë plotësuar kriteret politike të Kopenhagenit dhe pasi të jenë përmbushur kriteret kryesore të partneritetin për anëtarësim.
Komisioni Evropian rekomandon qe në veçanti vendi duhet të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Duhet të përmirësohet dialogu mes partive dhe aktorëve kryesorë politikë që të mundësojë funksionimin normal të institucioneve dhe të shpejtohet ritmi i reformave. Prioritete kryesore janë dëshmitë konkrete të zbatimit të reformës gjyqësore, garantimi i një shërbimi policor të paanshëm dhe të pa-politizuar, vazhdimit të luftës kundër korrupsionit në një mënyrë objektive dhe garantimi që rekrutimet dhe promovimet në shërbimin civil janë të bazuara në kriteret profesionale.
Një pjesë tjetër e lavdërueshme për Maqedoninë në raportin përmbledhës është kriteri ekonomik, "ku Maqedonia ka avancuar mirë se po afrohet drejt kthimit në një ekonomi tregu funksionale" sipas Komisionit. Vlerësohet se vendi ka mundur të ruajë një rritje të fortë ekonomike, por problem dhe arësye për shqetësim në lidhje me vendin mbetet gjithsesi niveli i lartë i papunësisë. Një anë tjetër pozitive dhe që lavdërohet është mardhënia e mirë me fqinjët. Por sigurisht jo ajo me Greqinë, për të cilën rekomandohet që të shmangen veprime që mund të kenë impakt negativ në mardhëniet me vendin që po negociohet për emrin. Më 5 nëntor Komisioni Evropian pritet të publikojë një raport edhe më të zgjeruar dhe më në detaje për Maqedoninë dhe ecurinë e vendit drejt BE-së.
Ernest BUNGURI, alsat
Shtuar më 31/10/2008, ora 14:32
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori