KDI: Te jepen informata per bastisjen e Limajt
Albeu.com
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kritikoi sot institucionet e vendit për “terrin informativ” në lidhje me bastisjen nga EULEX-i të Ministrisë së Transportit dhe Postë-Telekomunikacionit dhe pronave të ministrit Fatmir Limaj.
Drejtuesit e kësaj organizate joqeveritare e cilësuan aksionin e javës së kaluar, në kuadër të hetimeve të dyshimeve për korrupsion, si zhvillim në përputhje me të priturat qytetare për të pasur një shtet funksional me një qeverisje transparente dhe llogaridhënëse.

Megjithatë, KDI ka kritikuar institucionet e vendit se sikur në disa raste të tjera, edhe këtë herë, mbyllin informacionet dhe për pasojë qytetarët mbeten të painformuar për rezultatet e këtyre zhvillimeve.

“Zhvillimet të cilat vlen të përmenden edhe sot, e që janë një enigmë për shoqërinë kosovare: rasti i ngjarjeve të 10 shkurtit, vjedhjet në dhomën e dëshmive në polici, rasti Bllaca, rasti i kontrabandës nga ana e policëve të EULEX-it dhe tani ky i fundit, rasti Limaj, të gjitha këto janë një pasqyrë jo e mirë për politikën, për institucionet vendore dhe ndërkombëtare dhe krejt në fund për imazhin e shoqërisë kosovare. Për KDI-në, këto janë ngjarje që shoqëria kosovare po i përjeton si zhytje në krizë të lartë të nivelit politik dhe institucional”, ka thënë drejtori ekzekutiv i KDI-së, Ismet Kryeziu.

KDI konsideron se ka heshtje institucionale, mungesë të informatave dhe reagimeve të nevojshme politike e institucionale dhe si pasojë, shoqëria kosovare është e zhytur në një terr informativ institucional.

“Të qenit zyrtar i lartë i vendit nuk është vetëm privilegj, por është edhe përgjegjësi ndaj zgjedhësve, prandaj, politika dhe institucionet duke heshtur nuk krijojnë mbështetje dhe hapësirë për funksionim të shtetit ligjor, përkundrazi ato krijojnë ambient pasigurie, krijojnë ndjenjën e një shoqërie ku nuk funksionon shteti ligjor”, ka theksuar Kryeziu.

Duke pasur parasysh këto zhvillime, KDI kërkon nga institucionet vendore e ndërkombëtare më shumë përgjegjësi dhe funksionalitet në mënyrë që të garantohet sundimi i ligjit. Po ashtu, kjo organizatë kërkon nga krerët institucionalë që të jenë më transparentë dhe të kenë qëndrime institucionale për qytetarët në situata të tilla.

Kurse EULEX-i do të duhej që rastet e rëndësisë së veçantë t’i trajtojë me prioritet të veçantë dhe mos të ketë fillime të hetimeve të rasteve dhe mos ketë asnjëherë përfundim të tyre.

Fillimi i proceseve të hetimeve dhe mospërfundimi i tyre, do të dëmtonte rëndë imazhin, edhe ashtu të zbehur të EULEX-it, thekson KDI.
Shtuar më 05/05/2010, ora 15:50
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori