Ukrainasit në Maqedoninë e Veriut protestë para ambasadës ruse

Një grup ukrainasish që jeton në Maqedoninë e Veriut të shoqëruar nga qytetarë të Shkupit marshuan sot nga sheshi kryesor deri tek ambasada e Federatës Ruse, disa qindra metra më tutje, për të shprehur kundërshtimin ndaj agresionit rus në Ukrainë.

Protestuesit mbanin pankarta ku shkruhej “Qëndroni me Ukrainën”, “Ndal luftës në Ukrainë”, “Ndal agresionit rus”, ndërsa brohoritnin: “Putini vrasës”, “Putini fashist”.

Protestuesit thanë se ishin të bindur se Ukraina do ta përballojë agresionin, por theksuan se ishte në interes të përgjithshëm që konflikti të zgjidhjej me dialog dhe me mjete paqësore dhe të ndalen vuajtjet e bashkatdhetarëve të tyre e vrasjet e njerëzve të pafajshëm.

Dukshëm të shqetësuar me atë që po ndodhë në atdheun e tyre, disa prej protestuesve shprehën frikën për mirëqenien e familjarëve, të afërmëve dhe miqve të tyre në Ukrainë. Një protestues tha se ishte i gatshëm të kthehej për të luftuar.

Në Maqedoninë e Veriut vlerësohet se jeton një komunitet i vogël prej katërqind deri në pesëqind ukrainasish, të ardhur për punë apo të martuar me shtetas maqedonas.

Protestuesit shprehën mirënjohje për qëndrimet e qeverisë së Shkupit lidhur me agresionin rus ndaj Ukrainës. Maqedonia e Veriut dje njoftoi se i bashkohet vendimit të Bashkimit Evropian për sanksione kundër Rusisë. /VOA


Shtuar 25.02.2022 18:33