Katër viktima nga aksidenti në Durrës
Aksidentohet familja nga Librazhdi, 4 të vdekur në aksin Kavajë-Durrës. Ky është bilanci tragjik i aksidentit të mbrëmshëm në vendin e quajtur Mali i Robit kur fuoristrada u përplas me një automjet të tonazhit të rëndë, tip trajler.

Mësohet se gjatë natës kanë ndërruar jetë 2 prej të aksidentuarve rëndë të familjes Gurra, Bujar dhe Artur Gurra, 35 dhe 20 vjeç, ndërsa mbrëmjen e së shtunës rreth orës 19:00 humbën jetën në vendin e ngjarjes 2 prej të aksidentuarve Idriz dhe Pranvera Gurra.

Në koma vetëm njëri prej familjarëve, i riu Rigers Gurra, njëri prej fëmijëve të drejtuesit të mjetit, raporton sot "News 24".

Ngjarja e rëndë ka ndodhur pasditen e së shtunës në afërsi të Malit të Robit, në segmentin Plepa-Kavajë, kur një trajler është përplasur me një automjet tip furoristradë. Të aksidentuarit ishin të gjithë udhëtarë të fuoristradës me targë Tirane pjestarë të së njëjtës familje, ndërsa drejtuesi i trajlerit me targë Mati, nuk ka pësuar dëmtime nga ky aksident dhe ndodhej i shoqëruar në polici.

Automjeti tip fuoristradë drejtohej nga Idriz Gurra, 45 vjeç, dhe është përplasur me trajlerin me targë MT 2745 A, me drejtues 36-vjeçarin Artur Mallkuçi nga Mamurrasi. Në fuoristradë gjendeshin 5 pjesëtarë të familjes Gurra. Si pasojë mbetën të vrarë Idriz Gurra me kunatën 25 vjeçe, Pranvera. Ndërsa u plagosën Bujar dhe Artur Gurra, Rigers Gurra që më pas u dërguan për ndihmë mjekësore në spitalin e Durrësit. Në spital humbën jetën gjatë natës, duke u gdhirë dita e sotme Bujari dhe Arturi.

Ekspertët e qarkullimit rrugor përcaktuan se në momentin e aksidentit, fuoristrada po lëvizte në drejtim të Plepave, kurse trajleri në drejtim të kundërt për në qytetin e Kavajës. Kushtet klimaterike dhe shpejtësia janë duke u hetuar si shkaqet e aksidentit. Ndërkohë për forcat e policisë së qarkullimit rrugor prej kohësh ky aks është kosnideruar si tejet e vështirë.
Shtuar më 17/10/2010, ora 10:07

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori