Kater: Pavarësia e shpejtë e Kosovës, siguri pë rajonin
Albeu.com
 KFOR-i mbështet politikën ndërkombëtare, duke u kujdesur bashkë me UNMIK un për paqen dhe rendin, në mënyrë që të krijohen kushtet që të merren vendimet përkatëse politike, tha komandanti i KFOR-it gjenerali Roland Kater.

Trupa e KFOR it me 18 mijë ushtarë është e angazhuar dhe mbështet ndërmjetësuesin për statusin e Kosovës Ahtisari në çdo drejtim. KFOR-i mbështet politikën ndërkombëtare, duke u kujdesur bashkë me UNMIK un për paqen dhe rendin, në mënyrë që të krijohen kushtet që të merren vendimet përkatëse politike, tha komandanti i KFOR-it gjenerali Roland Kater. Ai në një intervistë për "Dojçe velen" vlerësoi se gjendja e sigurisë për një periudhë të parashikueshme do të jetë nën kontroll dhe do të bëhet gjithçka që ajo të garantohet. "Unë kam folur me shumë njerëz dhe me shumë politikanë dhe udhëheqës fetarë, kam kontakt të rregullt me komandantët e mi. Por, në radhë të parë unë bisedoj rregullisht me njerëzit në vend dhe kam përshtypjen, se njerëzve u ka ardhur dhuna në majë të hundës, se njerëzit nuk duan asgjë tjetër veçse të jetojnë në paqe dhe në liri. E për këtë ne ndodhemi këtu", u shpreh Kater. Komanadanti i KFOR-it tha se nuk mund të flitet për shtensionimin e gjendjes, ndonëse ajo për momentin është e qetë, "por për fat të keq ajo nuk është e qëndrueshme", tha Kater dhe shtoi se "njerëzit presin me tension atë që do të vijë". Sipas tij, zhvillimi i situatës do të varet nga shpejtësia e marrjes së vendimit për statusin e Kosovës. "Po të merret shpejt, atëherë do të kishim siguri dhe kushdo do ta dinte se si do të shkojnë punët më tej. Njerëzit e presin këtë vendim, ndaj është e rëndësishme që ai të merret shpejt", theksoi gjenerali Kater. Duke folur për mundësinë e shtyrjes eventuale të vendimit mbi statusin e Kosovës, por që edhe me zgjidhjen asnjëra palë të mos mbetet e kënaqur, Kater pranon që "ka gjasa që vendimet politike të mos bëjnë askënd të lumtur", por shtoi se kjo nuk është detyra e tij. "Unë them, nëse ky vendim do të mund të merrej shpejt, atëherë do të kishte siguri. Unë them gjithashtu, që nëse mund të ketë një shtyrje, për çfarëdo arsyesh qoftë, kjo duhet t'u bëhet njerëzve e qartë dhe ata duhet të informohen", tha Kater dhe theksoi se duhet të ketë një kalendar të qartë që njerëzit të dinë se çfarë do të ndodhë pas vendimit. "Besoj, se nëse ndodh kështu, atëherë s'ka asnjë problem. Njerëzit s'kanë dëshirë për dhunë, e kësisoj ata fare lehtë do të ishin dakord dhe do ta pranonin vendimin". Duke komentuar një deklaratë të ish ministrit gjerman të Mbrojtjes, Peter Shtruk se edhe në Kosovë mund të verifikohet mundësia e shkurtimit të kontigjentit të trupave gjermane, Kater tha se kjo çështje "duhet të marrë përgjigje politike". Por, ai tha se i ka siguruar njerëzit në Kosovë se "KFOR i do të qëndrojë këtu aq kohë sa njerëzit do të kenë nevojë për ne". Fillimisht duhet vendimi për statusin, tha ai, dhe më pas do të ketë një periudhë tranzicioni për zbatimin e statusit. "Pas zbatimit ne do të shohim më tutje dhe dikur do të nisim me planifikime shumë të kujdesshme, që hap pas hapi të përgatitet dorëzimi i më shumë përgjegjësive tek njerëzit, institucionet dhe organizatat në këtë vend", tha Kater dhe shtoi se një ditë do të thuhet: "mission completed", pra detyra është përmbushur. "Unë kam një ëndërr lidhur me këtë. Dëshiroj që një ditë kjo ëndërr të bëhet realitet. Endrra ime është që një ditë të vija si turist në këtë vend të bukur dhe që kampin ushtarak të kontigjentit të Bundesverit në Prizren t'ja dorëzoj kryebashkiut si një territor për krijimin e universitetit të parë të lirë. Ky është qëllimi im final". I pyetur se cila është perspektiva e Kosovës, Kater tha se tani kjo është një pyetje shumë e vështirë. "Po unë në një farë mënyre ndjehem i lidhur si me atdheun. Kjo ka të bëjë me intensitetin e një misioni të tillë, veçanërisht pas 1999 ës, kur gjendja ishte krejt ndryshe krahasuar me sot. Teksa erdha sërish këtu dhe shihja nga aeroplani, mendova, se po vij në një vend mëse normal evropianolindor. Ky është një zhvillim gjigand nga vitet 1999 2000 deri më sot", theksoi mes tjerash komandanti i KFOR-it Roland Kater.

Shtuar më 01/11/2006, ora 14:32
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori