Si të kem një shëndet më të mirë gjatë 2022-it?

Dëshira për të qenë të shëndetshëm dhe për të patur një trup të bukur shpesh na shtyn të ndërmarrim zgjedhje të gabuara me dieta të forta, të dëmshme dhe me efekt të përkohshëm. Për një rezultat të përhershëm gjithçka duhet bërë gradualisht, objektivat janë më të arritshme dhe kjo motivon për më tej. Për një shëndet dhe formë fizike më të mirë çdo hap i vogël ka rëndësi:

Filloni me 5%-10% të peshës suaj trupore.

Mos synoni të humbisni shumë kg menjëherë. Filloni me 5% ose 10% të peshës trupore. Kjo do të ndikonte pozitivisht në uljen e kolesterolit të keq, presionit të gjakut dhe përmirësimin e nivelit të sheqerit në gjak. Pasi të keni arritur objektivin e parë, synoni 5%-in tjetër.

Zgjidhni të jeni “fleksitarian”

Eliminimi i mishit mund të jetë një sfidë e vërtetë për personat që e konsumojnë çdo ditë. Zgjidhja mund të jenë gjysmë-vegjetarianët. Të njohur edhe si “fleksitarianët”, kjo kategori konsumon mish një herë në javë ose një herë në muaj. Edhe ata që preferojnë vetëm peshkun bëjnë pjesë në këtë grup. Studimet tregojnë se gjysmë-vegjetarianët kanë një peshë trupore më të vogël se konsumatorët e rregullt të mishit, janë më pak të rrezikuar nga kanceri kolorektal, diabeti dhe hipertensioni. Çfarë mund të bëni? Çdo javë, shtoni në dietën tuaj një recetë të re me bazë perimesh.

Zgjidhni karbohidratet komplekse

Zgjidhni yndyra të shëndetshme për zemrën

Eliminimi i të gjitha yndyrave do të privonte trupin nga vlerat ushqimore. Por duhet të bëni kujdes në zgjedhjen e tyre duke mos konsumuar ato të ngopurat. Pra shmangni mishin me dhjam, patatet e skuqura, bulmetin me shumë yndyrë dhe konsumoni peshk, vaj ulliri, avokado, arra, gjalp kikiriku, etj. Yndyrat e shëndetshme dhe të pangopura mund të ndihmojnë në reduktimin e kolesterolit të keq dhe uljen e rrezikut për sëmundje të zemrës dhe goditje në tru. Ato gjithashtu sigurojnë vitaminë E, si dhe omega-6 dhe omega-3, që janë acide yndyrore shumë të nevojshme për organizmin.

Konsumoni më pak sheqer

Ndryshe nga yndyrat dhe proteinat, nuk keni nevojë për sheqer. Sasia e duhur gjendet në frutat e freskëta. Studiuesit theksojnë se të rriturit duhet të marrin jo më shumë se 6 lugë çaji, ose 25 gramë sheqer në ditë, por shumica marin tri herë më shumë. Nëse nuk mund të bëni pa sheqer, përpiquni gradualisht të ulni përdorimin e tij, Në vend të çokollatave me ëmbëlsues zgjidhni ato të zeza, apo drithërat me pak sheqer si dhe shmangni pijet me ëmbëlsues.

Ushtroni aktivitet të rregullt fizik

Aktiviteti i rregullt fizik është shumë i rëndësishëm për shëndetin, por jo të gjithë mund ta bëjnë këtë. 150 minuta aktivitet fizik i moderuar në javë janë të mjaftueshme për të patur një shëndet më të mirë. Filloni me 5 minuta në ditë dhe gradualisht rrisni kohën e të ushtruarit.

Kujtoni “Pse”

Ndërsa Viti i Ri bëhet i vjetër, dhe ju filloni të humbisni entuziazmin për rutinën e shëndetshme, kujtoni përse nisi i gjithë ky ndryshim. Arsyet mund të jenë nga më të ndryshmet dhe nuk duhet ti harroni sepse kjo do t’ju motivojë të ecni përpara.
Spitali Amerikan, përqafoje jetën!


Shtuar 1.01.2022 16:57