Kaseta që nuk u transmetua kurrë
Zbulohen detaje të një prej ngjarjeve më të bujshme të fillim viteve ’80 në Tiranë që ka të bëjë me dëbimin e mjekëve të njohur Milto dhe Margarita Kostaqi nga Tirana pas vetëvrasjes së Mehmet Shehut.

Gazeta DITA publikon transkriptin e një kasete e cila është regjistruar disa vjet më parë, por nuk është transmetuar kurrë. Historia e këtij regjistrimi ka nisur kur një emision i njohur investigativ televiziv, u përpoq të hidhte dritë mbi një nga ngjarjet

Kaseta që nuk u transmetua asnjëherë përmban edhe dëshmi të regjistruara nga 9 persona të tjerë veç Margaritës, të gjithë mjekë, që kanë patur dijeni mbi atë që ka ndodhur në 1982. Edhe këta janë regjistruar pa dijeninë e tyre, pra me kamera të fshehtë. Transkripti i regjistrimeve të patransmetuara posedohet i plotë nga DITA. Është një histori, e cila sot nuk e ka më protagonisten kryesore.

Është një histori, e cila sot nuk e ka më protagonisten kryesore. Zonja Kostaqi, një nga mjeket më të mira të Tiranës së asaj kohe, me një karrierë të shkëlqyer të ndërprerë në mes, nuk jeton më. Pak kohë pas dhënies së kësaj dëshmie, ajo ka ndërruar jetë në 2011. Gjithë jetën, pas dëbimit ajo e kaloi në Kavajë. Më poshtë, transkripti i bisedës së regjistruar me të ndjerën Margarita Kostaqi.

Margarita flet fillimisht për jetën e saj të ditëve të sotme:

“Vajzën e kam në Kanada, ndërsa djalin në Tiranë, në një firmë italo-shqiptare, është mirë. Unë dhe Miltoja punojmë bashkë, në Tiranë nuk kemi shtëpi. Atë që kishim e shitëm në kohën e fajdeve për një copë bukë. Tek Kisha jemi nga ora 8 deri në orën 12, part time. Në mengjes vijmë me furgon…”

Gazetari e rikthen pas në kohë, tek ngjarja e vitit 1982, kur fati i saj, i bashkëshortit dhe i fëmijëve ndryshoi në mënyrë fatale dhe të pakthyeshme:

“Ardhën dhe na morën me ushtarë. Në fakt ne nuk u internuam, por u dëbuam, u shpallëm të padëshirueshëm dhe desh na çuan në Kryevidh. Pastaj ky drejtori i Spitalit ndërhyri, u mor vesh me Muho Asllanin që ishte Sekretari i parë i qytetit të Durrësit që i tha: Mi jepni mua se janë mjekë të mirë. Pas dy vjetësh na dhanë shtëpi në Kavajë se vinim për ditë nga Tirana me autobus në këtë. Për ne ishte ndryshim i madh, por njerëzit na pritën jashtëzakonisht mirë. Njerëzit na kanë mbajtur në pëllembë të dorës, prandaj qëndrojmë dhe këtu….”

Margarita flet më pas për kavajasit dhe për PD-në e Kavajës dhe thotë:

“Populli, po të hynim ne në një kafe ngrihej në këmbë, partia një çikë e diferencuar, deputetët një cikë të diferencuar, sidomos ata të PD-së. Meqënëse sekretar ishte Saliu dhe ne na ka dëbuar Saliu dhe urrejtja ushqehet…”

Gazetari në këtë pikë, përpiqet ta bëjë të flasë për ngjarjen me Berishën në 1982 dhe i thotë: Të gjithë kanë folur kurse ti….Margarita përgjigjet duke thënë që “Berishën nuk e ka takuar kurrë më që atëherë” dhe se në mbledhjet që vendosën dëbimin e saj ai i ka thënë që ishte “mëndjemadhe, kryelartë, hedh hapin me forcë egoiste, karrieriste…”. Shprehet Margarita në regjistrim:

“…Aha nuk dua të flas, pse të flas është një gjë e kotë. Fëmijët u rritën e u martuan, unë po ta përmend do më ngrihet tensioni, do vdes. Nuk e kam takuar asnjëherë që atë herë dhe nuk më ka kërkuar dhe nuk e kam kërkuar. Përse ta kërkojë? Për t’i thënë se ti më ke çuar atje? Shumë gazetarë kanë ardhur për të shkruar për këtë punë dhe i kemi përzënë. Është pemë pa kokrra, njerëzit e dinë kush ishte fajtori. 9 mbledhje partie janë bërë për të na përzënë. Motivacioni ishte për Milton kur vrau veten Mehmet Shehu. Unë isha mëndjemadhe, kryelartë, hedh hapin me forcë egoiste, karrieriste, këto budallallëqe u thanë… Por gjithçka u imponua, se thelbi ishte Miltoja. Përkrahje gjeti tek Ylli Popa, por nuk ka kuptim më. Ky qe sekretar byroje i fakultetit, unë isha pedagoge, isha në organizatën e partisë. Që atëherë kam takuar Sejfullahun. Saliu punonte me mua, po ç’fitoj ta rikthej këtë histori? Mjeke jam, e qetë jam…

Çifti i mjekëve Kostaqi është përpjekur pas ’90-s të përfitonte statusin e të përndjekurit. Por… përndjekja ka vazhduar edhe pas 90-s dhe kjo është një tjetër pjesë e rëndë e kësaj historie. Madje Margarita thotë që gjithçka ka qenë e organizuar me zhdukje të dokumentave që provonin historinë e tyre me Berishën:

“…U ndjeva keq kur u bë rehabilititmi i të gjithëve, jo e përndjekur, jo i internuar. Doja të çoja djalin në shkollë, nuk ia dhanë të drejtën as në demokraci. Desha një vërtetim që ishim të dëbuar. Shkova në Ministrinë e Brëndshme dhe më thanë që nuk je regjistruar. Më thanë që u rezultonte se jemi larguar me dëshirën tonë nga Tirana. Nga pedagoge e parë, shefe katedre unë isha larguar me dëshirë (?!!). Çdo gjë ishte piketuar e rregulluar mirë. Kështu që sipas këtyre dokumentave nuk kam të drejtë të kërkoj asgjë…

Rikthehet tek dëbimi dhe kujtimet e mbledhjes fatale:
“Shqetësohem kur e kujtoj. Ashtu më kanë dëbuar, me kamionët e gardës. Mblidh plackat një orë e më pare – më thanë. Me urdhër të Hekurain Isait. Fillimisht më kanë përjashtuar mua, pastaj Milton. Tre herë e kanë kthyer përjashtimin tim. “Pse e hedh hapin e rëndë” – më tha. Herën e katërt u ngrit Tafaj: Po mire, – më tha, – duhet të ishe edhe ti një çikë vigjilente për burrin. I thashë: Urdhëro teserën. E dija se çdo të hiqja për fëmijët, por hoqa dorë. Fëmijët kanë vuajtur shumë, jashtë mase, ne jo. Populli na ka mbrojtur.. U mësuam, çdo bënim tjetër. Derisa populli na respektonte kishim një kënaqësi të jashtëzakonshme…”

Jeta e kësaj gruaje është shkatërruar plotësisht nga ngjarja e vitit 1982. Vijon rrëfimi i Margaritës në kamera të fshehur:

“Unë mbrojta dezertacionin, do ta mbaroja më 20 tetor. Por në 2 tetor më sollën në Kavajë. E kam në kuti, ia kam lënë këtij (Miltos) të ma vërë me vete në varr…”

Më pas përqëndrohet tek figura dhe personaliteti i Sali Berishës dhe frika e saj ndaj persekutimit edhe në vitet e “demokracisë” është e qartë gjatë gjithë rrëfimit. Fjalët e saj në kasetë:

“..Talleshin shokët me të, nuk e di se si mbijeton ai njeri. Qënka i plotfuqishëm. Nuk e di nuk e di, e ka nga zoti atë fuqi. Që e kam mësuar, i kam mjekuar vjehrrën, të shoqen, me ngrënë dreka dhe darka, shoqëri e ngushtë… Po, ka qenë nxënës, por egoizmi nuk mund të më shihte mua që të mbijetoja… Babën me mustaqe kur vinte nga Tropoja e vizitoja se vinte tek unë si mjeke e mirë. Nuk më hodhi poshtë nga profesioni mua por si karreiriste. Ai thotë se e bëri partia nuk e bëra une. Por po ta kishte bërë partia duhet të më kishte thirrur kur u bë president… Apo edhe kryeministër. Më fal – të thoshte, – të më kërkonte falje. Më urdhëruan. Dhe unë jam dakort, edhe mund ta pranoja që e urdhëruan, për një moment jam dakord, megjithëse ska logjikë, por të paktën të pyeste si jeni a duam shtëpi apo jo?? Se ne nuk kemi as shtëpi dhe as katandi. Ku e do punën ti the Miltoja?? Po jo…”


Më pas pranon hapur frikën e saj, pa e ditur që po e regjistronin:
“…Unë nuk dua të di që ai e di që unë ekzistoj me gjithë fëmijët.. Nuk dua ta di. Them sinqerisht që kam frikë. Tani unë atë e kam frikë. Atëherë jo se ia përmblodha të tëra zhduku procesverbalet se ishin dokumenta. Por unë tani kam frikë nuk dua nuk dua të përzihem më me të. Në atë kohë po, kam folur. Por ai më tha kështu mua: “Ke shkuar në Itali dhe ke takuar motrën të martuar me gjeneral italian që unë as që kisha njeri në Itali….”

Dhe vijon më tej, arsyetimin e dhimbshëm:
“…Ka metoda e metoda kërcënimi Një liri e kërcënuar nuk është liri. Tani kam frikë nga e vërteta e pësova një herë thashë të vërtetën e pësova. Tabu.. E kemi mbyllur burrë e grua këtë histori. Gjëja më e madhë është rreziku i njerëzve. Ju lëmë një emër shumë të mirë fëmijëve sa të mërremi me këto histiori që kurrë nuk ia gjen më fillin…”

Dhe përsërit akuzën e zhdukjes së dokumentave:
“…Për mua janë bërë mbledhjet në korrik të vitit 1982. Në tetor kam ardhur në Kavajë. Nuk ekziston asnjë procecverbal. Janë bërë me skema të studiuara, jo kot. Me lëvizje të matura dhe neve na pëlqen të heshtim pse të kërkoj? Nuk kam pse. Çfarë do të fitoj? I hyj llogarisë nuk fitoj. Jam 70 vjeç, nuk me duhet më asgjë….”.

----
Dëshmia e njërit prej mjekëve të regjistruar në kasetën që nuk u transmetua:

Sic e thamë në hyrje të kësaj dëshmie, janë regjistruar me kamera të fshehta edhe 9 mjekë që kanë dijeni mbi ngjarjen. Një prej tyre (DITA kontaktoi mbrëmë disa prej tyre) ka dëshmuar nën regjistrim:

“…U bë intrigë e madhe. Dine Abazi ishte intrigë, shokun e tij po nga Tropoja pas kësaj… Meqënëse Mehmeti filloi të kishte probleme nga zemra, kishtë kardiologun N. Rroku nga Lezha. Pikërisht në këtë kohë u fut Saliu. Kur erdhi nga një specializim në Francë, Saliu erdhi si mjek i Mehmetit. Unë isha shefi i specializantëve. Mirëpo që të futej ai duhet të hiqej qafe Miltoja dhe Margarita. Këtu filloi intriga. Ndërkaq Margarita ishte doktoreshë ambicioze dhe kishte hyrë tashmë në Bllok. Ai donte të hiqtë margaritën. I del dosja Margaritës për në Francë. U thashë, bëj një specializim. Ai kishte frikën që po të vente në Francë ajo ngulej një herë e mirë. Detyroi Ylli Popën që t’i thoshte Mehmetit që të mos shkonte Margarita. Me thotë Ylli, si t’ia bëj që më është qepur Saliu, do ta heq qafe atë. Po shkoi në Francë ai ngulet një herë e mirë. Hyri Ylli tek Mehmeti. Më tha më duket se bëra gabim. Ai kishte thënë që unë nuk merrem me këto probleme. por mos u merr as ti. Kjo ishte etapa e parë e Margaritës. Etapa e dytë vjen kur Mehmet Shehu vrau veten. U prish ekipi i Mehmetit. Miltoja iku. Heqin qafe edhe Margaritën. Margarita ishte komuniste. I fusin një dru edhe Margaritës, e përjashtojnë nga partia dhe e çojnë në Kavajë. Promotor i gjithë kësaj ishte Sali Berisha.

Kur bëhet fjalë?
Bëhet fjalë për vitin 1981-82. Organizata bazë e Partisë kishte 13-14 veta. Ylli Popa, Nesti Kondili, Myzaferr Jania, Violeta Dhimtiri nuk e di dhe të tjerë, nuk po më kujtohet.

Po Berisha kyr u bë antar partie?
Saliu hyri në byronë e partisë së spitalit një çik më shpejt. Në vitin 1978 Hysni Kapo bëri një infakt. Saliu ishte në një ekip me mua meqë Saliu nuk bente dot karrierë i thanë Hysniut ta merrte. Atë kohë Berisha bëri një shkrim tek Zëri i Popullit që niveli i partisë në bazë është shumë i ulët. Por unë nuk kam qenë në mbledhjet e organizuara në spital për Margaritën se unë bëja pjesë tek klinika speciale. Por di , cfarë bëhej nga fjalët që thuheshin se të gjithë tek unë vinin dhe hapnin barkun. Ajo që mund të them se kjo ka qenë e gjitha një intrigë e sajuar nga Dinja dhe Saliu. Kur panë që nuk mund të zinin vendin tek Mehmeti u bë maksimumi për të qënë pjesë e ekpit të Kadriut…

Po Margarita?
S’kam qënë në mbledhje, por di që e akuzonin për imoralitet apo dhe si karieriste. Por e vërtta ishte që Margarita sfidonte hapur Saliun dhe u përdorën të gjitha mënyrat që ajo të largohej edhe nga spitali edhe nga pedagoge dhe për këtë u përdor fakti që i shoqi ishte mjek i Mehmet Shehut. Pra punët u stisen aq mirë sa sot e kësaj dite nuk ke nga ta kapësh nëse nuk flasin vetë personat.

Në kasetë është regjistruar edhe Sokol Bare (inspektor terreni Kavajë). Ai thotë:
“…Pak kohë pasi kisha mbaruar studimet isha emëruar inspektor terreni në Kavajë. Ky qytet ishte në varësi të degës së brëndshme të Durrësit. Pasi nuk ishte rreth më vetë zyrat i kishm në rajonin e policisë së Kavajës. Atje jam njohur me një dosje në ngarkim të dy mjekëve Milto dhe Margarita Kostaqi. Një dosje e çuditshme pasi e tërë dosja ishte ngritur në bazë të mbledhjeve të organizatës së Partisë në të cilat ishin përjashtuar nga partia dhe kishim marrë si masë largimin nga Tirana në rrethin e Kavajës. Them se ishte dosje e çuditshme sepse nuk ishte ngritur në bazë të parimeve me të cilat ngrihej një dosje. Më saktë them një fashikull. Një fashikull i cili nuk kishte ecur më tutje pasi ishin bërë të tërë verifikimet e pretendimet e ngritura në mbledhjen e organizatës së partisë në bazë të cilave ata ishin përjashtuar nga partia dhe nuk kishin rezultuar të vërteta dhe kishte ngelur një dosje e vjetëruar…”

Kjo dëshmi provon që dosja (ajo që Margarita nuk ka gjetur kur ka shkuar në Ministri pas viteve 90, ka ekzistuar. Pra është zhdukur)
Shtuar më 03/09/2013, ora 11:25
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori