Kasapët shqiptarë "luftë" me policinë në kufi, si vidhnin bagëti në Greqi
Policia greke ka pikasur ditën e djeshme një grup prej 5 personash që po tentonin te kalonin ilegalisht kufirin nga Greqia në Shqiperi duke i kërkuar atyre që të ndalonin, por kanë marrë si shkëmbim një breshëri automatiku.

Pas kësaj, forcat e policisë janë përgjigjur me zjarr duke arrestuar edhe dy prej presonave, ndërsa tre të tjerët janë ende në arrati.

Dyshohet se prej disa muajsh shqiptarët futeshin ilegalisht në Greqi duke vjedhur bagëti, të cilat më pas i thernin dhe mishin e shisnin brenda territorit shqiptar.

Gjatë tentativës për t’i ndjekur dhe thirrjes për të ndaluar, 5 shtetasit shqiptarë hapën zjarr ndaj Policisë dhe të njëjtën gjë kanë bërë dhe forcat greke. Tre persona kanë arritur të kalonin në tokën shqiptare, në një zonë pyjore, ndërkohë që u kapën dy prej tyre, shtetas shqiptarë të moshave 16 dhe 46 vjeç. Sipas mediave greke, momentin e arrestimit, 46- vjeçari ka bërë rezistencë të madhe, duke plagosur lehtë një oficer të Policisë greke. Ky i fundit mësohet se është transportuar në Spitalin e Filatit, ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, mushkat që shtetasit shqiptarë shoqëronin, rezultuan të ngarkuara me katër bagëti të imëta të therura. Ato, sipas Policisë greke, ishin vjedhur në një stan në Agio Nikola, Filat. Nga hetimet e deritanishme rezulton se ky grup ishte organizuar 4 muajt e fundit për grabitje kafshësh në zonën e Filatit, Igumenicë. Ata hynin ilegalisht në Greqi nga mali dhe pasi vidhnin bagëtitë, i transportonin ato të gjalla ose të therura me mushka drejt Shqipërisë, ku edhe i shisnin.
Shtuar më 28/12/2019, ora 11:49

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori