Shkatërrohet banda shqiptaro-bullgare në Belgjikë, 11 persona në pranga

11 persona kanë rënë në pranga pasi një bandë shqiptaro-bullgare e drogës është shkatërruar në Belgjikë.

Kontrollet e shtëpive në vende të ndryshme të Belgjikës, çuan në sekuestrimin e më shumë se pesëdhjetë kilogramë kokainë dhe heroinë, si dhe 100,000 euro para “cash”.

“Në fund të vitit 2021, zyra e prokurorit publik Halle-Vilvoorde hapi një dosje në bazë të komunikimeve të deshifruara të SKY ECC kundër një organizate kriminale të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës”, tha zëdhënësi Gilles Blondeau.

Banda vepronte nga Meise dhe përdorte automjete të pajisura me ndarje të fshehura për të transportuar drogën që vinte nga Holanda, duke e shpërndarë në Belgjikë dhe në Mbretërinë e Bashkuar.

Nga hetimet u përgjuan dy ngarkesa droge të premten, ku disa kamionë që transportonin drogë u ndaluan në Aalst dhe Ypres. Në total, policia sekuestroi dyzet kilogramë kokainë dhe trembëdhjetë kilogramë heroinë.

Fill pas këtij aksioni hetuesit bastisën dymbëdhjetë adresa, u sekuestruan dhe 12 armë zjarri, si dhe 100 mijë euro para të gatshme. Policia Gjyqësore Federale sekuestroi edhe disa paleta me produkte duhani, disa kamionë gjysmërimorkio dhe disa furgona.

 


Shtuar 4.02.2023 08:26