Kapet 33-vjeçari, ngacmonte punonjëset e një kompanie
Ditën e sotme janë arrestuar 7 shtetas në Tiranë. Një prej këtyre të arrestuarve është një 33 vjeccar i cili akuzohet se ngacmone punonjëset femra të një kompanie.

Strukturat e Policisë, krahas angazhimit për zbatimin e masave të marra për parandalimin e përhapjes së COVID-19, kanë vijuar punën për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në pranga 7 shtetas, nga këta 4 janë arrestuar në flagrancë dhe 3 kanë qenë të shpallur në kërkim.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë, për veprat penale “Shkatërrim prone” dhe “Kundërshtim i punonjësit të Policisë”, i shtetasit A. M. alias A. M., 50 vjeç, banues në Tiranë, pasi ka thyer me sende të forta xhamat e një objekti në Rrugën e Elbasanit dhe ka kundërshtuar punonjësit e Policisë për të shmangur shoqërimin e tij në ambientet e Komisariatit.

Nga Specialistët për Hetimin e Krimit të Komisariatit Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Ngacmim seksual”, i shtetasit E. Q., 33 vjeç, pasi në mënyrë të vazhdueshme ngacmonte punonjëset femra të një kompanie, duke i shkaktuar frikë dhe ankth.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, shtetasin R. M., 42 vjeç, i cili kishte përfituar leje për qëndrim të përkohshëm në shtëpi, në bazë të Aktit Normativ Nr. 7, datë 23.03.2020, por është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, jashtë banesës së tij.

Në vijim të punës për monitorimin e zbatimit të masave kufizuese të shpallura për parandalimin e përhapjes së COVID-19, specialistët e Qarkullimit në DVP Tiranë arrestuan në flagrancë shtetasin A. B., 20 vjeç, banues në Tiranë, pasi u konstatua duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur, në masën 0.55 mg/l dhe në kundërshtim me Aktin Normativ.

Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, nga strukturat e DVP Tiranë janë kapur dhe ndaluar shtetasit: E. H., 45 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Vetëgjyqësi” dhe “Plagosja e lehtë me dashje” e kryer në bashkëpunim; A. D., 25 vjeç dhe R. S., 20 vjeçe, të shpallur në kërkim për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Shtuar më 29/04/2020, ora 13:13

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori