Kapen në gomone me dy thasë hashash, arrestohen të rinjtë
Pëlqej
Dy të rinj, njëri nga Saranda dhe tjetri nga Durrës gjatë tentativës për për të trafikuar dy thasë me marijuanë nga Ksamili në Korfuz, duke përdorur një gomone të vogël me dy lopata janë kapur 50 metra pa kaluar kufirin shqiptar.

Sipas gazetës Shqip, kur janë pikasur nga roja bregdetare, ata kanë dashur të largohen me not, njëri drejt Korfuzit dhe tjetri drejt Ksamilit, duke tentuar t’i shpëtojnë policisë, e cila i ndiqte me skaf!

Dy protagonistët e kësaj ngjarjeje janë Ervin Bakaj dhe Faton Delilaj, 25 vjeç secili, të cilët janë kapur nga policia më 19 prill të këti viti dhe tashmë prokuroria ka përfunduar hetimet për ta, duke i dërguar në gjykatë për “trafik droge”. Sipas dosjes së prokurorisë, në datën e lartpërmendur, rreth orës 19:46 është vënë re një objekt në det, i cili ishte në drejtim të fenerit të shtetit grek, në vijë të drejtë me ishullin e Ksamilit. Rreth 10 minuta më vonë, efektivët e policisë kufitare, pasi kanë pikasur mjetin lundrues, i janë afruar menjëherë dhe kur kanë mbërritur në vend, kanë konstatuar se mjeti lundrues ishte rreth 50 metra larg ujërave të Greqisë.

Pasi i janë afruar mjetit lundrues, efektivët kanë vënë re se ky mjet ishte një gomone kamerdare plazhi me lopata (fuckoto për dy persona). Nga ana e tyre, sapo kanë parë mjetin e policisë, njëri prej personave që ndodhej në mjetin lundrues të plazhit, ka hedhur nga gomonia disa thasë në det.

Menjëherë pranë Fuckotos është afruar mjeti lundrues i policisë, ku efektivët e policisë, fillimisht kanë kapur tre thasët që ishin hedhur në det. Dy thasë ishin ngarkuar me marijuanë, ndërsa i treti me gurë, me qëllim që të fundoste dy të parët.

Nga ana tjetër, policia është vënë në ndjekje të dy personave, të cilët sapo kishin hedhur thasët në det, ishin hedhur dhe vetë. Me not, ata tentonin të largoheshin njëri në drejtim të Korfuzit dhe tjetri në drejtim të Ksamilit. Të dyve u është bërë thirrje të ndalojnë dhe menjëherë, policia ka bërë prangosjen e tyre.

Pas verifikimit është konstatuar se në thasë ndodheshin 22 pako me kanabis, të cilat arrinin një peshë totale prej 12 kg. Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se dy personat e arrestuar nga shërbimet e policisë kufitare ishin Faton Delilaj nga fshati Rrashbull i Durrësit dhe Ervin Bakaj nga Konispoli i Sarandës.
Shtuar më 15/08/2014, ora 11:44
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori