Skandali i ambasadorit, Osmani ndryshon qëndrim: Të sjellë raport me shkrim

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka ndryshuar qëndrim në lidhje  me skandalin e ambasadorit të vendit në Kroaci i cili u përfshi në një skandal financiar.

Pas publikimit të lajmit në mediat sllovene Osmani tha se i beson Martin Berishajt, i cili ka mohuar përfshirjen në afera korruptive, por pak minuta më parë në një raport për mediat të lëshuar nga presidenca i kërkohet ambasadorit që të nisë një raport me shkrim lidhur me denoncimin.

Osmani ka kërkuar që ambasadori i Kosovës në Zagreb, Martin Berishaj, t’i nisë një raport me shkrim lidhur me raportimet e mediave sllovene se ai dyshohet se ka transferuar rreth 600 mijë euro kesh nga xhirollogaria e tij bankare në Mal të Zi për tek politikani slloven, Robert Golob, kryetar i Partisë së Lirisë.

Njoftojmë qytetarët se Presidentja tashmë ka kërkuar, në komunikim me Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, që nga Ambasadori Berishaj të kërkohet raport me shkrim lidhur me artikullin në një medie në Slloveni dhe po ashtu që Ambasadori Berishaj të thirret në Kosovë për të sqaruar situatën. Në ndërkohë, sapo të sqarohet situata, Presidentja, bashkërisht me MPJ-në, do të bëjnë vlerësimin lidhur me pozicionin e Ambasadorit ashtu siç e kanë bërë për çdo pozicion tjetër”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Ndërkohë në konferencën për media me homologun nga Letonia, Egils Levits, mëngjesin e sotëm Omsani ka thënë se është për keqardhje që konstatohet diçka për ambasadorin Berishaj pa u hetuar nga organet e drejtësisë.

Ne i besojmë ambasadorit të Kosovës sepse është ambasador i republikës sonë kur mohon akuza të tilla dhe natyrisht ai edhe do të drejtojë të gjitha këto çështje në organet e drejtësisë”,-u shpreh Osmani./albeu.com