Kaos në Kuvend, 70 vota pro Topallit
Pëlqej
Albeu.com
Konfuzion në Parlament, 8 vota kundër nga maxhoranca. Refuzohet votimi me kuti. Pas debatesh të ashpra, Parlamenti ka votuar me elektronikë mocionin ndaj kryetares së Parlamentit.Konfuzion i vërtetë në Parlament dhe rrjedhje e ndjeshme e votave mes radhëve të maxhorancës së djathtë. Rezultati i votimit për kërkesën e dy grupeve të opozitës të PS-së e të PSD-së, nëpërmjet së cilës kërkohej shkarkimi i kryeparlamentares Jozefina Topalli, ka nxjerrë zbuluar shumicën qeverisëse, e cila rezultoi se kishte unike vetëm 70 vota kundër kësaj kërkese. Kështu në përfundim të votimit të fshehtë me tabelën elektronike, ku mbizotëroi rrëmuja dhe zhurma kundërshtuese nga ana e deputetëve të opozitës, rezultoi se 70 deputetë votuan kundër kërkesës dhe vetëm 8 pro saj, ndërsa 54 deputetë të pranishëm në sallë nuk kanë marrë pjesë në votim. Mes emrave që nuk morën pjesë në votimin për pranimin ose jo të kërkesës së socialistëve, ishte edhe vetë kryeministri e kreu i PD-së Sali Berisha, gjë që shton më tej dyshimet për atë që ndodhi gjatë votimit të fshehtë me tabelën elektronike. Por ajo që e komprometon më tej shifrën e 70 votave të maxhorancës, lidhet me faktin se ndër pjesëmarrësit në votim rezultojnë të kenë qenë edhe 4 deputetët e PS-së Erjon Braçe, Arta Dade, Andis Harasani dhe Shpëtim Idrizi, të cilët gjatë votimit të fshehtë, ishin duke kundërshtuar drejtuesin e seancës, Fatos Beja për procedurën e ndjekur. Në fakt, të gjithë i kanë parë deputetët PS-së të ngritur në këmbë, e jo në vendet e tyre për të votuar siç ndodh gjatë një procedure votimi. Mospjesëmarrjen e tyre në votim e kanë konfirmuar më pas edhe dy drejtuesit e grupit socialist Pandeli Majko dhe Petro Koçi, të cilët e konsideruan rezultatin e votimit të manipuluar. Kështu me një logjikë të thjeshtë nëse katërshen e deputetëve të PS-së do t’a zbresim nga 70 votat që kanë votuar kundër kërkesës për shkarkimin e Topallit, del se shumica e djathtë ka pasur vetëm 66 vota “de fakto” në mbështetje të Topallit. Duke shkuar më tej me leximin e listës së votimit të marrë nga sekretaria e Parlamentit, del se edhe 8 votat që ishin pro miratimit të kërkesës për shkarkimin e Topallit, kanë qenë nga radhët e koalicionit të djathtë. I vetmi deputet që ka munguar nga PD-ja ishte Ndriçim Babasi, i cili është përjashtuar të premten e kaluar për dy javë nga punimet parlamentare, për shkak të incidentit me deputetin e PS-së Taulant Dedja. Ndërsa 7 deputetët e tjerë që mungonin ishin nga radhët e opozitës. Gjithsesi të pranishëm në seancë plenare, rezultojnë se kanë qenë 132 deputetë, ndërkohë që nga koalicioni i djathtë përveç Berishës, nuk kanë marrë pjesë në votim, ndonëse ishin të pranishëm, edhe deputetët Besnik Jacelli, Gëzim Musabelliu, Spartak Ngjela, Spiro Peçi, Tritan Shehu dhe Leonard Solis. Vlen të theksohet se kur është zgjedhur si kryetare e Kuvendit në fillim të shtatorit Topalli ka arritur të marrë mbështetjen e 3/5 të deputetëve, pra gjithsej 84 vota pro kandidaturës së saj.

Debatet

Opozita socialiste kërkoi me këmbëngulje zhvillimin e votimit të fshehtë me kuti për të pranuar ose jo kërkesën e depozituar prej tyre për shkarkimin e Topallit. Por, përmes debateve të ashpra dhe zhurmës që sa vinte e rritej në sallën e Kuvendit, është hedhur në votim kërkesa e socialistëve për të zhvilluar votim të fshehtë me kuti. E ashtu siç pritej të gjithë deputetët e maxhorancës, kanë votuar kundër zhvillimit të votimit me kuti, gjë që ka shtuar më tej tensionin dhe kundërshtimin nga ana e deputetëve të opozitës të cilët kalë lënë vendet e tyre duke u vendosur thuajse përballë me drejtuesin e seancës Fatos Beja. Socialistët kanë vijuar kundërshtimin e tyre duke kërkuar që të respektohej rregullorja. Por ndërsa ka filluar votimi me tabelën elektronike, për kërkesën e tyre për shkarkimin e Topallit, socialistët me nervozizëm janë afruar në radhët ku qëndrojnë deputetët e maxhorancës duke vijuar debatet me disa nga eksponentët e tyre kryesorë. Përfundimi i votimit me 70 vota kundër mocionit e 8 pro tij është shoqëruar me duartrokitjet e deputetëve të maxhorancës, e në të njëjtën kohë deputeti i PS-së, i ndodhur fare pranë vendit ku zakonisht qëndron gjatë seancave kryeministri Sali Berisha, ka marrë dhe ka flakur disa prej letrave që gjendeshin aty. Ndërsa Ben Blushi dhe Gramoz Ruçi kanë debatuar ashpër me Berishën, duke protestuar për atë që kishte ndodhur. Seanca është ndërprerë, por edhe kur ka rifilluar për të vijuar rendin e punimeve me çështjet e tjera, socialistët kanë vazhduar të mbajnë të njëjtin qëndrim protestues. Nënkryetari i Kuvendit Beja pas dy ndërprerjeve të seancës është detyruar të deklarojë mbylljen e saj.

Majko: Qeveria nuk e ka shumicën

Kryetari i grupit parlamentar socialist, Pandeli Majko, deklaroi dje pas seancë plenare se tashmë ishte e qartë se Parlamenti nuk kishte më një maxhorancë parlamentare. Duke kundërshtuar procedurën e votimt për kërkesën e bërë nga deptetët e PS-së e të PSD-së Jozefina Topalli për shkarkimin e kryeparlamentares dhe rezultatin e dalë në përfundim të tij, Majko, theksoi se tashmë shqiptarët po qeverisen nga një qeveri teknike, e jo një qeveri e shumicës. “Mënyra sesi procedoi Parlamenti, foli vetë dhe çdo qytetar shqiptar që e ka ndjekur dhe do të njihet në vazhdim me këtë rezultat. Sot (dje) do të diskutojmë pikërisht faktin që nuk kemi një qeveri që gëzon shumicën parlamentare, sot kemi një qeveri teknike që drejtohet nga z.Berisha. Dhe mbi të gjitha, maxhoranca e sotme humbi të drejtën morale për t’u konsideruar shumicë. Mendoj se diskutimi i znj.Topalli ishte mënyra sesi PD e shikon pushtetin. Ajo mori votën që me gjithë manipulimin, me gjithë paligjshmëritë, ne do të vazhdojmë të insistojmë në faktin që tanimë në Parlament nuk ka nevojë për një procedurë të re të diskutimit të gjërave, nuk mund të pranojmë që Parlamenti të vazhdojë diskutimin në mënyrë normale”, - tha Majko ndërsa kishte thirrur një mbledhje urgjente të grupit parlamentar socialist. Ndërkaq numri dy i selisë rozë vërejti se pavarësisht nga ajo që ndodhi në seancën e mbrëmjes së djeshme, deputetët e PS-së nuk do të braktisnin punimet e mëtejshme të Kuvendit. “Ne nuk dalim nga Parlamenti, është shtëpia jonë. Sot (dje) Berisha dhe të vetët humbën një nga betejat e tyre më të rëndësishme duke akuzuar opozitën si përfaqësuese të klaneve të drogës. Në fakt duhet të shkundin xhepat nga pluhuri i bardhë”, - tha më tej Majko. Ai ftoi edhe partitë e tjera opozitare për të diskutuar së bashku lidhur me qëndrimin e mëtejshëm që do mbahet për këtë çështje.

Incident mes Blushit dhe Rusmalit

Ndërsa është deklaruar mbyllja e seancës plenare, në mjediset e tjera të Parlamentit është shënuar një incident mes deputetit të PS-së, Ben Blushi dhe zëvendëskryeministrit Ilir Rusmali. Incidentin në fjalë e konfirmoi edhe kryetari i grupit parlamentar të PS-së Pandeli Majko, i cili tha se “pati një incident, kjo është në vazhdën e incidenteve që ndodhin në Parlamentin shqiptar”. Sipas deputetëve që kanë qenë të pranishëm në ato momente, Blushi dhe Rusmali kanë qenë duke debatuar ashpër me njëri-tjetin për atë që kishte ndodhur gjatë seancës dhe procedurës së votimit. Burimet në fjalë shtojnë se Rusmali ka lëshuar fjalë fyese në drejtim të Blushit, ndërsa ky më pas i është afruar dhe e ka shtyrë. Pas kësaj kanë ndërhyrë disa deputetë të tjerë që sherri të mos vazhdonte, e në këtë moment numri dy i qeverisë është larguar në drejtim të zyrës së kryetares së Parlamentit Jozefina Topalli. “Incidenti më i rëndë është dhunimi i procedurës parlamentare për të votuar znj. Topalli. Një votim i manipuluar që përfundimisht e rrëzoi znj Topalli, një votim i manipuluar që përfundimisht e rrëzoi parlamentarizmin në Shqipëri. Këto të tjerat janë gjëra minore që nuk ia vlen të jenë në vëmendjen e medias”, - tha socialisti Petro Koçi për këtë incident.

Fino, debate të ashpra me Mediun

Tensioni i krijuar gjatë seancës së djeshme është refektuar edhe në debatet dhe konfrontimin fizik mes deputetëve të maxhorancës dhe opozitës. Një tjetër incident dje pas seancës ka qenë ai mes ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe deputetit të PS-së, Bashkim Fino,. Të dy kanë qenë duke debatuar me zë të lartë, ndërsa ishin duke dalë nga salla e seancës plenare. E përveç kësaj mësohet se të dy janë afruar duke shtyrë njëri-tjetrin, të gatshëm për të shpërthyer në grushta. Por ata që kanë qenë pranë tyre, ashtu siç ndodh në përplasje të tilla të nxehta, kanë ndërhyrë duke shmangur vazhdimin e dhunës.

Berisha: Shtypa dy herë butonin

Konfuzioni dhe paqartësia në votimin e zhvilluar dje në Parlament, nxori si mospjesëmarrës në votim edhe kryeministrin dhe kryetarin e PD-së, Sali Berisha. Procesverbali i votimit për kërkesën e opozitës për shkarkimin e kryetares së Kuvendit Jozefina Topalli, konfirmonte se kreu i qeverisë, ndonëse i pranishëm në sallë, nuk ka marrë pjesë në votim. Kjo gjë e ka nervozuar kryeministrin Berisha, i cili nëpërmjet punonjësve të Parlamentit ka kërkuar se përse kishte ndodhur kjo kur ai kishte votuar. Por edhe sipas burimeve nga Kuvendi, Berisha ka votuar. “Votimi ishte një kaos. Unë vetë shtypa dy herë butonin dhe dola sikur nuk isha votuar. Edhe Tritan Shehu ka votuar dy herë. Përfundimisht votat ishin 70 me 54”, u shpreh Berisha dje në përvjetorin e PBDNJ-së pas seancës parlamentare. Punonjësit e teknikës parlamentare, kanë sqaruar se gjatë votimit kryeministri Berisha ka shtypur dy herë butonin e tabelës personale. Ndërkohë votimi për herë të dytë, ka shuar votimin e parë, e në këtë mënyrë rezulton se Berisha nuk ka marrë pjesë në votim. Specialistët e teknikës parlamentare, sqarojnë se kjo gjë ka ndodhur edhe në votime të kaluara, kur deputetë të ndryshëm kanë votuar dy herë, e më pas kanë kërkuar sqarime se përse rezultonte në tabelë që ata nuk kishin votuar.

Munguan 8 deputetë, vetëm 1 i PD-së

Ndër 8 deputetët që munguan dje në Parlament ishte edhe deputeti Ndriçim Babasi i përjashtuar për dy javë nga seancat plenare. Ndërsa të gjithë deputetët e tjerë ishin të opozitës, Fatos Nano, Arben Malaj, Sabit Brokaj, Dritan Prifti, Diana Çuli, Kastriot Islami dhe Qemal Minxhozi. Ndërkohë deputeti socialist Islami, pas përfundimit të votimit ka qenë në mjediset e Kuvendit.

Nuk kanë marrë pjesë në votim nga maxhoranca :
Sali Berisha
Besnik Jacelli
Gëzim Musabelliu
Spartak Ngjela
Spiro Peçi
Tritan Shehu
Leonard Solis

Rezultojnë se kanë votuar nga PS:
Erjon Braçe
Arta Dade
Andis Harasani
Shpëtim Idrizi

Ka votuar, por nuk ka qenë i pranishëm
Vangjel Dule

Kanë munguar në seancë:
Fatos Nano
Arben Malaj
Sabit Brokaj
Dritan Prifti
Ndriçim Babasi
Diana Çuli
Kastriot Islami
Skënder Minxhozi

nga Anila Rama, Shekulli
Shtuar më 23/02/2006, ora 10:56
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori