Kantrimen: Partitë të analizojnë vetveten
Pëlqej
Pas raportit të Bashkimit Europian, partitë politike duhet të analizojnë veten, ka deklaruar zëvendësndihmës sekretari amerikan i shtetit për europën, Tom Kantrimen. Tom Kantrimen, thotë se kur merren përgjigje të tilla negative, vendet aspiruese duhet të shikojnë nga vetja. Ndër të tjera, Kantrimen shprehu besimin se raporti është objektiv.

“Prirja e natyrshme e një nxënësi, apo në këtë rast e një vendi që synon anëtarësimin kur merr një dëftesë me nota të këqia, është që të thotë se profesori kishte qenë i padrejtë. Kjo prirje duhet të shmanget”, tha Kantrimen.

“Partitë, në Shqipëri apo në çdo vend tjetër duhet ta shqyrtojnë me kujdes raportin dhe të analizojnë vetveten dhe të pyesin vetveten: A kemi bërë të gjitha përpjekjet e nevojshme për të zgjidhur këto shqetësime që na janë paraqitur nga një organizatë që ne themi se e adhurojmë. Kjo është sfida e tyre më e vështirë dhe ne do të shohim se cilat sisteme politike në rajon janë të afta që të shkojnë para pasqyrës dhe ta analizojnë veten e tyre”, tha ai.

Komentet e tij, Kantrimen i ka dhënë në një aktivitet në Uashington për marrëdhëniet mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. (albeu.com)
Shtuar më 10/11/2010, ora 10:13
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori