Shqyrtohen kandidaturat për pasardhësin e Zaevit! Arsovski: Mund të ketë raund të dytë, të gjithë skenarët janë në lojë 

Komisioni për Verifikim i LSDM-së ka kërkuar informacione shtesë nga bordi mbikëqyrës i partisë për katër kandidatët që do të garojnë për postin udhëheqës të LSDM-së, pasi tërheqjes së Zoran Zaevit.

Dje skadoi afati për dorëzim kandidaturash.

Me kandidaturë doli zëvendësministri aktual i Financave Dimitar Kovaçevski, ish-deputetja dhe nënkryetare e LSDM-së, Frosina Remenski, anëtar dhe aktivist i LSDM-së nga Kumanova, Vllastisllav Aleksovski dhe drejtori i Drejtorisë për Zonat Teknologjike Industriale Zhvillimore, Jovan Despotovski.

“Tre kandidatura ishin të plota me të gjitha dokumentet dhe kushtet e nevojshme dhe në pajtueshmëri me rregulltat dhe kushtet e parapara“, tha Sllavjanka Petrovska, LSDM.

Edhe pse në fillim mendohej se favoriti i Zaevit, Kovaçevski do të jetë i vetmi kandidat, megjithatë situata në terren është pak e ndryshme. Sipas analistit Petar Arsovski, nuk duhet të nënvlerësohen edhe kandidatët e tjerë.

“Zoran Zaev tashmë pak në mënyrë eksplicite tha se kush është favoriti i tij, kështu që për shkak të mbështetjes së këtillë, njeriu i tij mund të kalojë që në raundin e parë, edhe pse nuk duhet nënvlerësuar edhe kandidatët e tjerë. Unë mendoj se do të kemi një garë interesante, nuk e përjashtoj mundësinë që të ketë fitore në rrethin e parë. Të gjithë skenarët për momentin janë në lojë“, pohoi Petar Arsovski, analist politik.

Por, çka nëse udhëheqësia partiake e LSDM-së ndahet dhe lideri nuk zgjidhet në raundin e parë? A mund të ndodhë që shkuarja në rrethin e dytë, element i cili është i rregulluar me Statutin partiak, ta prolongojë krizën politike në vend? Arsovski është i mendimit se kriza mund të vazhdohet dhe ta destabilizojë koalicionin qeveritar.

“Nëse LSDM-ja nuk zgjedh liderin, kjo do ta thellonte krizën politike, do ta detyronte Zoran Zaevin të qëndrojë edhe për një periudhë të caktuar, kjo vetëm nëse LSDM-ja nuk e zgjedh liderin. Por, në thelb progresi me Bullgarinë është ai i cili do ta taktizojë dhe destabilizojë koalicionin qeveritar, sepse disa nga partnerët e tanishëm qeveritarë hynë në koalicion që të kemi progres sa u përket eurointegrimeve. Në qoftë se kjo bie për shkak të dështimit me Bullgarinë, atëherë do të ketë krizë”, tha Petar Arsovski, analist politik.

“Këtë do ta dimë pas 12 dhjetorit, pasi të përfundojë dita e votimit “, theksoi Sllavjanka Petrovska, LSDM.

Zgjedhjet për kryetar të ri të LSDM-së po mbahen pas dorëheqjes së kryeministrit dhe liderit të partisë, Zoran Zaev, të cilën e dha pas rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale, duke marrë përgjegjësi për, siç tha ai, rezultatet e këqija zgjedhore./TV21


Shtuar 4.12.2021 17:09