Pse protestat në Iran mund ta rrëzojnë këtë herë regjimin teokratik

Nga Reuel Marc Gerecht & Ray Takeyh “Wall Street Journal

Raportet mediatike mbi shpërbërjen e “policisë morale” të Iranit ishin shumë të ekzagjeruara. Nuk ka asnjë provë që Ministria e Brendshme e ka shkrirë këtë njësi. Madje ajo mund të jetë ripërdorur përkohësisht për mbajtjen nën kontroll të trazirave. Ky deflacion zhgënjyes i raportimit të javës së kaluar, e përforcon pikëpamjen e Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, CIA, se vala aktuale e trazirave në Iran nuk përbën ndonjë  kërcënim për regjimin.

Por kjo pikëpamje – e ndikuar edhe nga pasojat zhgënjyese të Pranverës Arabe dhe të ndërhyrjeve ushtarake perëndimore në Afganistan dhe Irak – është shumë pesimiste. Sunduesit e Republikës Islamike janë të pasigurt, të frikësuar dhe gjithnjë e më jo koherentë  në deklaratat e tyre publike.

Me siguri që ata e dinë se këto protesta synojnë të nxisin revolucionin, dhe jo reformat. Dhe ata kanë arsye të shqetësohen se protestuesit do të kenë sukses në lëvizjen e tyre. Në dallim nga kushdo popull tjetër në Lindjen e Mesme, iranianët kanë jetuar nën dy diktatura shumë të ndryshme.

Në fillim nën Shahët e dinastisë Pahlavi me qasje pro-perëndimore në vitet 1925-79, dhe nën një teokraci islamike që nga viti 1979. Dhe ata i kanë refuzuar që të dyja. Irani është i vetmi shtet i Lindjes së Mesme që ka pasur dy revolucione gjatë shekullit XX-të.

Për iranianët besimi tek vlera e një kushtetute dhe e një qeverie përfaqësuese, është më shumë se një ide perëndimore e importuar dhe e degraduar. Irani përqafoi një kod të shkruar ligjesh si një mjet për të kontrolluar ndikimin e huaj përmes Revolucionit Kushtetues të viteve 1905-1911.

Iranianët kanë një histori 120-vjeçare të përdorimit të demonstratave në rrugë për të kontrolluar pushtetin abuziv. Ndryshe nga protestat e kaluara në vendet e tjera të Lindjes së Mesme, rebelimi aktual popullor në Iran mund të sjellë një rend pluralist të qëndrueshëm.

Në asnjë shtet arab – madje as në Egjipt, ku klasat intelektuale dhe politike ishin thellësisht të perëndimorizuara nën pushtimin britanik – nuk kemi parë llojin e fermentimit politik dhe kritikave të autoritarizmit, si laik po ashtu edhe fetar, që kemi parë në Iran që nga Revolucioni Kushtetues.

Sundimi i monarkëve pro-perëndimorë por të pamëshirshëm, e shndërroi fenë në një mjet proteste politike dhe në një mekanizëm për krijimin e një qeverie përfaqësuese. Dyzet vite sundim i ashpër klerikal, e ka dobësuar fenë e iranianëve, por jo dëshirën e tyre për vetëqeverisje.

Irani është bërë një vend i xhamive të zbrazëta dhe i një krenarie kombëtare, e cila është dukshëm laike. Siç e thonë shpesh amerikanët, ndarja e kishës nga shteti mund të jetë çelësi për suksesin e demokracisë. Për shkak të ambicieve totalitare të teokracisë së Iranit, asnjë shoqëri e Lindjes së Mesme nuk është më pak e tunduar nga besimi fetar si një kredo politike sesa Irani.

Dhe ndërsa teokratët e kanë frenuar dëshirën e iranianëve për të pasur një qeveri përfaqësuese, ata kanë bërë lëshime ndaj sovranitetit popullor, të cilin e kanë mbajtur gjallë  një kulturë e konsoliduar e vetë-shprehjes politike. Republika Islamike është pra e “mallkuar” nga ky kompromis.

Zgjedhjet, edhe pse asnjëherë të lira, ishin dikur “valvula sigurie” për pakënaqësinë popullore. Një koleksion i larmishëm politikanësh janë zgjedhur presidentë, duke filluar nga reformatori klerik, Mohammad Khatami, deri tek populisti Mahmoud Ahmadinejad. Mexhlisi, parlamenti i Iranit, mund të kishte pozita të forta. Dhe një media dinamike mund ta kritikonte qeverinë. Revistat dhe librat shërbenin për diskutime serioze për njeriun, Zotin dhe SHBA-në. Kjo kulturë e shprehjes politike ushqehej nga zgjerimi masiv i regjimit klerik të infrastrukturës arsimore të vendit, një aspekt ky i dëshirës së zjarrtë të mullahëve për t’u modernizuar pas rrëzimit të Shahut.

Ata donin një komb që të ishte i vetë-mjaftueshëm, i mbështetur te vetja, dhe që kërkonte një popullatë të mirë-arsimuar. Sot, Irani ka rreth 6 milionë studentë universitarë, ku thuajse 60 për qind janë gra. Në një rikthim të prirjes së viteve 1970, arsimi i lartë është bërë motori i mospajtimit kundër revolucionit islamik.

Keq-menaxhimi dhe korrupsioni në kompanitë, kanë ndikuar shumë më tepër sesa sanksionet e SHBA-së për të kufizuar krijimin e vendeve të punës. Irani është sot një vend i njerëzve të varfër me arsim të lartë, etja e të cilëve për demokraci është e kufizuar, por nuk është shuar asnjëherë.

Dhe vendimi i vitit të kaluar i Udhëheqësit Suprem Ali Khamenei për ta asfiksuar këtë demokraci të menaxhuar, duke diktuar zgjedhjen në krye të njeriut të tij Ebrahim Raisi, shkaktoi krizën ekzistenciale, e cila e ka shkatërruar legjitimitetin e regjimit.

Pas më shumë se një shekulli përfshirje shoqërore në politikë, iranianët janë më se të vetëdijshëm për natyrën serioze të vetëqeverisjes. Nuk ka të ngjarë që ata të bien sërish viktima të joshjes së një njeriu të fortë laik apo një mullahu militant, pasi i kanë parë shumë mirë dëmet e mëdha që shkaktojnë udhëheqës të tillë.

Arabët që u revoltuan kundër tiranisë një dekadë më parë, nuk kishin avantazhin e dekadave të sprovave dhe gabimeve. Vetë kritika nuk është një forcë e Lindjes së Mesme, por iranianët kanë arritur shumë për ta fajësuar veten për gjendjen e tyre të vështirë. Demokracia nuk mund të ringjallet apo të rezistojë në rast se qytetaria nuk merr përsipër përgjegjësinë për fatin e saj.

Irani duket gati për të kthyer faqe. Gratë iraniane, që me këmbëngulje kanë ushtruar presion për reforma që nga zgjedhja presidenti e zotit Khatami në vitin 1997, nuk janë më të shqetësuara nga akuzat se janë “gharbzadeh”, të “infektuara” nga Perëndimi.

Ato duken të etura të bëjnë të tyret idetë perëndimore për të drejtat natyrore, sidomos lirinë individuale. Ky është një hap thelbësor drejt funksionimit të demokracisë në vendet jo-perëndimore. Irani është një vend i larmishëm. Arabët, kurdët dhe baluçët kanë një histori kryengritjesh kundër autoritetit pers.

Diversiteti etnik ka shkaktuar përplasje edhe në të kaluarën. Por demonstratat mbarëkombëtare që nisën pas vdekjes së Mahsa Amini, një grua e re kurde, kanë qenë shumë unifikuese. Iranianët sot duan rrëzimin e regjimit islamik. Shumë amerikanë dhe evropianë ishin shumë të nervozuar me fuqizimin e partive fetare në Egjipt dhe Tunizi gjatë Pranverës Arabe.

Një Iran post-islamik ka të ngjarë të ketë një klub shumë më të  madh fansash perëndimorë sesa islamikët e zgjedhur në Afrikën e Veriut. Siç vuri në dukje dikur Samuel Huntington, mbështetja e huaj – zakonisht amerikane – për demokracitë e reja e rrit mundësinë e mbijetesës së tyre.

Shënim: Reuel Marc Gerecht, ish-oficer i objektivave iraniane në Agjencinë Qendrore të Inteligjencës dhe bashkëpunëtor në Fondacionin për Mbrojtjen e Demokracive. Ray Takeyh është anëtar i think-tankut “Council on Foreign Relations”.

/albeu.com

 


Shtuar 14.12.2022 10:09