Këshilltarët e huaj që drejtojnë qeveritë shqiptare
Albeu.com
Qeveritë shqiptare, nën survejimin e të huajve. Çështja e sigurisë dhe ekonomisë së vendit tonë ndodhet prej vitesh nën mbikëqyrjen e rreptë të të deleguarve ndërkombëtarë.Pothuajse të gjithë kryeministrat e Shqipërisë, duke filluar nga Pandeli Majko, Ilir Meta, Fatos Nano dhe së fundmi edhe Sali Berisha, kanë pranuar si këshilltar të tyre për sigurinë dhe çështjet ekonomike personalitete të larta të huaja. Siguria dhe ekonomia shqiptare prej kohësh është menaxhuar nga të huajt. Pas vitit 1997, qeveritë shqiptare kanë ndjekur modelin e qeverisë së dikurshme "Majko", për të pranuar në administratën e lartë shtetërore në nivel këshilltarësh personazhe të fuqishëm ndërkombëtarë. Nga viti 1997 dhe deri më sot, në politikat ekonomike dhe ato të sigurisë qeveria jonë bashkëpunon me këshilltarët e huaj.

Qeveria "Nano"

Ish-kreu i qeverisë, Fatos Nano, nga korriku i 1997-ës ka qenë i pari që ka zbatuar praktikën e marrjes së këshilltarëve të huaj pranë kabinetit qeveritar. Nano zgjodhi që politikani dhe ekonomisti polak, Marek Belka, të punojë për qeverinë shqiptare. 50-vjeçari Belka i ka shërbyer qeverisë socialiste të viteve 1997-2001 si këshilltar për çështjet ekonomike. Pas përfundimit të mandatit të tij në Shqipëri, ai u kthye në Poloni, ku iu përkushtua karrierës politike. Duket se eksperienca në Shqipëri i dha fat të diplomuarit në ekonomi, Belak, i cili zgjidhet Kryeministër i Polonisë në maj të vitit 2004, deri në nëntor të 2005-ës.

Qeveria "Majko"

Megjithëse qeveritë ndryshuan, në pushtet vazhdonte të ishte sërish e majta. Ndryshonin vetëm emrat, ndërkohë që forca politike që kontrollonte pushtetin ishte PS-ja. Me ndryshimin e qeverisë në tetor të 1998-ës, nuk ndodhi një lëvizje drastike te këshilltarët e mëparshëm. Ish-kryeministri Majko gjatë këtij mandati ka vazhduar të mbajë si këshilltar për çështjet ekonomike një nga politikanët dhe ekonomistët e vjetër polakë, Marek Belka. Që prej vitit 1997 Belka u ftua në administratën shqiptare me funksionin e këshilltarit të kryetarit të Këshillit të Ministrave.

Qeveria "Meta"

Ish-kryeministri Meta, gjatë kohës kur ishte në krye të Këshillit të Ministrave, nga 6 shtatori i 2001-shit e deri më 29 janar të 2002-shit, vazhdoi të zbatonte praktikën e pranimit të këshilltarëve të huaj në qeveri. Ish-shefi i FMN-së, Volker Triechel, përveçse ka qenë në krye të drejtimit të fondit ndërkombëtar monetar, ka kryer gjithashtu edhe funksionin e këshilltarit në qeverinë "Meta". Pranimi i tij si këshilltar ka shërbyer për të zbutur disi marrëdhëniet dhe kritikat e FMN-së në adresë të qeverisë, praktikë kjo e cila zbatohet edhe sot e kësaj dite. Aktualisht shefja e FMN-së në Shqipëri, Ann Margaret Westin, është njëkohësisht edhe këshilltare e Kryeministrit Berisha.

Qeveria "Berisha"

Që prej vitit 1997, krerët qeveritarë kanë preferuar të pranojnë si këshilltarë të tyre figura të shquara të marra nga arena ndërkombëtare. Në të njëjtat gjurmë eci edhe pasardhësi i tyre, Kryeministri aktual, Sali Berisha. Tom Ridge është amerikani i emëruar si këshilltar për çështjet e sigurisë në qeverinë "Berisha". Prezenca e Rigde-s pranë Kryeministrit Berisha solli frytet e saj të mëdha, ku një prej të cilave ishte ardhja në Shqipëri e numrit një të SHBA-së, Presidentit Xhorxh Bush. Përmirësimi i marrëdhënieve diplomatike ishte një nga synimet e Kryeministrit Berisha, duke marrë parasysh faktin se axhenda e dy vjetëve më parë ka qenë tërësisht e varfër për të, në kuadrin e vizitave diplomatike dypalëshe. Tom Rigde është emri i propozuar tashmë në Amerikë nga kandidati republikan, John Mcain, për zv/president i SHBA-së. Ministria e Financave gjithashtu ka si këshilltar një ekonomist anglez, i cili ndihmon ministrin Ridvan Bode me sugjerime mbi buxhetin e shtetit.



Marek Belka

Ekonomisti dhe politikani Marek Belka vendosi të punojë për ish-qeverinë "Nano" në vitin 1997. Duket se eksperienca në Shqipëri i dha fat Belka-s, i cili zgjidhet Kryeministër i Polonisë në maj të vitit 2004-nëntor të 2005-ës


Tom Ridge

Tom Ridge është amerikani i emëruar si këshilltar për çështjet e sigurisë në qeverinë "Berisha". Tom Rigde është emri i propozuar tashmë në Amerikë nga kandidati republikan, John Mcain, për zëvendëspresident i SHBA-së. (Shqip)
Shtuar më 16/08/2008, ora 01:24
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori