Kuvendi i ndërpret pagën ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj

Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur të ndërpresëqë t’i ndërpresë pagën ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj.

Me këtë vendim, Ahmetaj nuk përfiton rrogën mujore të deputetit dhe asnjë tjetër përfitim financiar, siç janë dietat, shtesa e rrogës për pjesëmarrje në komisionet parlamentare, rimbursim i karburantit dhe telefonit.

Vendimi ka hyrë në fuqi që prej datës 14 Korrik, ditë kur Kuvendi votoi dhënien e lejes Prokurorisë Speciale për të arrestuar ish-zv/kryeministrin Arben Ahmetaj, nën akuzën për korrupsion në çështjen e inceneratorëve.

Kujtojmë që në seancën e 14 Korrikut Kuvendi miratoi me 117 vota pro të mazhorancës dhe opozitës, asnjë kundër dhe 3 abstenime, autorizimin që SPAK ta arrestojë dhe të kontrollojë banesën e tij.

Ligjërisht Arben Ahmetaj vijon ta gëzojë mandatin e deputetit. Kushtetuta përcakton se mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, kur ai nuk bën betimin; kur heq dorë nga mandati; kur mbaron mandati i Kuvendit; kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend apo kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi.

 


Shtuar 24.08.2023 13:45