Kadare: Shqipëria të bëjë më shumë për Kosovën
Albeu.com
Kadare nuk pranon që në këmbim të pavarësisë, Kosova të këmbejë territoret e saj. Sipas tij, ndarja është pazar jo i pastër dhe se nëse ndodh një gjë e tillë atëherë ajo do të hapë radhën e një konflikti të ri.Shkrimtari Ismail Kadare kritikoi ashpër dje diplomacinë shqiptare se ka pasur një mungesë serioze në ndjekjen hap pas hapi të çështjes së Kosovës. Në një intervistë dhënë për Radio “Europa e Lirë”, Kadare ka theksuar se Shqipëria duhet të bënte shumë më tepër se sa çka bërë deri më tani për Kosovën, pasi sipas tij, Kosova nuk është në Hënë, që të jepen gjykime si për diçka të largët që nuk ka lidhje me shqiptarët e Shqipërisë. “Mendoj se Shqipëria duhet të bënte më tepër. Ato pseudofilozofitë e diplomacisë sonë, disa herë që kanë dalë nga pjellë e një paaftësie dhe një mangësie morale, ato janë jo qesharake por janë të dënueshme. Shqipëria nuk është një planet tjetër dhe po jep gjykime për Kosovën nga planeti Hëna, nga Bangladeshi ose nga Japonia. Shqipëria është vend i parë i interesuar dhe nuk e fshehë këtë gjë s’ka pse ta fshehë sepse do të ishte hipokrizi totale”, - është shprehur në këtë intervistë Kadare.

Më tej, ai shtoi se Shqipëria është vendi që duhej të angazhohej me ndershmëri, me dinjitet, duke qenë sigurisht konstruktive, jo destruktive, “prandaj Shqipëria - është morali i saj historik që e kërkon, është dinjiteti historik i një kombi”. Ai mendon se diplomacia shqiptare do ta korrigjojë shumë shpejt qëndrimin e saj sa i takon kësaj çështjeje.

Sa i takon njohjes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës, Kadare është shprehur në këtë intervistë se populli i saj ka të drejtë të shfrytëzojë të gjitha mundësitë që të mos poshtërohet. “Populli i Kosovës ka të drejtë të përgjigjet me të gjitha opsionet. Nuk bëhet lëshim kur është fjala për lirinë e një populli. Nuk ka negocim për këtë gjë. Ky popull ka të drejtë me të gjitha mënyrat të kërkojë lirinë e vet. Ta mbrojë deri në fund lirinë e vet”, - thekson më tej ai.

Por Kadare nuk pranon asesi që në këmbim të pavarësisë, Kosova të këmbejë territoret e saj. Sipas tij, ndarja është pazar jo i pastër dhe se nëse ndodh një gjë e tillë atëherë ajo do të hapë radhën e një konflikti të ri të pambarueshëm në Ballkan. “Do të hapi vatra sherresh, grindjesh të cilat do të kushtojnë jashtëzakonisht shtrenjtë popujve këtu dhe Evropës bashkë. Prandaj kjo nuk e zgjidh, kjo nuk e mbyll, kjo hap një konflikt të ri të tmerrshëm”, - shton më tej Kadare. Bisedimet shtesë, Kadare i konsideron si një lloj “pendimi” të komunitetit ndërkombëtar ndaj ndërhyrjes që bëri vite më parë në Kosovë. “Ky pendim është njëherësh absurd i pakuptueshëm. Pendim pse u bombardua një shtet, Jugosllavia. Thuhet ose s’thuhet hapur ndihet ky pendim. Në Ballkan ndodhi një gjë që ka qenë shumë e qartë, ndodhi një nga krimet më monstruoze në historinë e Evropës, në gjithë Ballkanin, në gjithë Evropën”, - shprehet më tej Kadare në këtë intervistë.

Sipas tij, komuniteti europian nuk duhet të pendohet për sulmet që bëri kundër Jugosllavisë, pasi nuk duhet të ketë kthim prapa. Europa, sipas Kadaresë, duhet ta detyrojë Serbinë që të kërkoj të falur për krimet që ka bërë ndaj popullsisë së pafajshme të Kosovës. “Serbia po përkëdhelet dhe duke e përkëdhelur Evropa po i bën dëmin më të madh Serbisë, popullit serb. E zhyt më thellë në fajin e tij”, - thotë shkrimtari. Ai thekson se, me këtë përkëdhelje të fundit, serbët nuk po arrijnë të kuptojnë se ç’kanë bërë ushtarët dhe paramilitarët në Kosovë dhe vendet e tjera të Jugosllavisë. “Nëse ai kupton ai çlirohet nga një gjë e keqe dhe kjo ndihmon demokracinë serbe. Nuk e ndihmojnë këto pazarllëqe. Nuk ka demokraci në Serbi në qoftë se nuk pranohet ky krim”, - shprehet Kadare në intervistën e dhënë për radion Europa e Lirë.
Shtuar më 27/08/2007, ora 09:56
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori