Kadare: Koha ecen per Kosoven dhe Shqiptaret
Albeu.com
Presidenti Sejdiu takoi shkrimtarin e mirënjohur Ismail Kadare me të cilin bisedoi për zhvillimet më të rëndësishme në të cilat po kalon Kosova dhe kombi shqiptar në përgjithësi.Në këtë kontekst, presidenti i Kosovës dr. Fatmir Sejdiu dhe shkrimtari më i madh i letrave shqipe, Ismail Kadare, vlerësuan se koha po ecën për kombin shqiptar, por kërkohet gjithnjë angazhim dhe punë në mënyrë që të arrihen vlerat e vërteta të zhvillimit dhe integrimit.
“Dua të falënderoj Kadare për mbështetjen e fuqishme dhe porositë e gjithmonshme në kohën e duhur për ecjet tona dhe natyrisht për përkushtimin në ecjet tona të mëtutjeshme, në rolin që ka, sepse është personalitet unikat dhe duhet të them paralelisht misionar, apo ambasador më i mirë në kuptimin e prezantimit të identitetit shqiptar në Evropë.
Është njeriu që ka shpërthyer të themi në katër anët e globit dhe dëshiroj edhe një herë ta falënderoi për porositë e veçanta dhe me vlerë që ka”, theksoi Presidenti Sejdiu.
Ndërsa shkrimtari Ismail Kadare tha se nuk ishte hera e parë që ishte takuar dhe mirëkuptuar me Presidentin Sejdiu.
“Nuk është hera e parë që kemi pasur mendime të njëjta për gjërat themelore të Kosovës, që janë gjëra themelore të kombit shqiptar dhe për mua sa herë që kam ardhur në Kosovë, sa herë që kam qenë në këtë zyrë, është kënaqësi se këtu ka njerëz që punojnë për Kosovën, punojnë për interesat e saj, që i mbrojnë ato interesa, ndonëse nuk është e lehtë gjithmonë të mbrohen interesat e drejta të një populli”, tha shkrimtari Ismail Kadare duke shtuar se të mbrosh interesat është e lehtë, të mbrosh të drejtën nganjëherë është tepër e vështirë ashtu sikurse është e lehtë disa herë për shtet tjera që mbrojnë të shtrembrën, mashtrimin.
“Për fat të keq kjo ndodh ne nuk mund t’i ndryshojmë zakonet e njerëzimit, por një gjë është e vërtetë që Kosova ecën përpara, kombi shqiptar ecën përpara, koha punon për ta.
Kur koha punon për një popull, jo të gjithë e kanë lehtë ta kuptojnë që koha punon për ta, madje shpesh kujtojmë kur koha punon për ta kujtojnë ose ju krijohet iluzioni se koha nuk punon për ta ose e kundërta. Popujt ose vendet që koha nuk punon për ta kujtojnë të kundërtën dhe këto ndodhin shpesh në vende tjera. Kam kënaqësinë ta përsërisë koha punon për Kosovën, koha punon për shqiptarët”.
Ndërkaq, për afrimin e Shqipërisë me Kosovën, veçanërisht tash kur përfundimi i Autostradës Durrës-Kukës është duke shkuar drejt finalizimit, Presidenti Sejdiu tha kjo do të ketë peshën e vet të bashkëpunimeve në të gjitha nivelet.
“Unë vetëm do të shtoja se është një epokë e re plus që është para nesh, që dua të jetë në peshën e vet të bashkëpunimeve më të mira në të gjitha nivelet dhe të bëhet punë për identitet, për ecjen, shpalosjen e tij dhe natyrisht të jemi jo vetëm pjesë e akceptorëve që mund të jenë vlerë e përbashkët edhe e komunikimeve evropiane, por edhe promovues të atyre vlerave të vërteta që i kemi si popull”, pohoi Presidenti Sejdiu.
Shtuar më 27/05/2009, ora 20:21
Tage: arkiv

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori