E FUNDIT/ Gjykata merr vendimin e papritur për banorët e Astirit
Kadare dhe Agolli, nekrologji për Teodor Laçon
Shkrimtari i njohur Teodor Laço ndërroi jetë në orët e para të mëngjesit të sotëm. Bashkëkohës të tij si edhe intelektualë dhe kolegë të tjerë, çmuan laftë figurën e Laço përmes një nekrologjie në lidhje me atë që ai la pas. Ajo është nënshkruar nga personalitete të njohura si Ismail Kadare; Dritëro Agolli; Aleksandër Meksi; Nasho Jorgaqi, etj.

Ai lindi më 29 shtator 1936 në Dardhë. Në atë fshat që sipas tij, nuk ka të dytë; “ku netëve të verës, qielli është një magji që mund të mrekullojë edhe shpirtrat e thatë; me yjet e mëdhenj që vezullojnë dritë shkëlqyese, me yjet e vegjël që regëtijnë në të venitur, me yjet që bien e digjen, duke ndjellë trishtim për jetët që shuhen”.

Dhe jeta e tij sot është shuar për të shkuar drejt këtij qielli, me trishtimin se nuk do të jetë më midis nesh, duke lënë në hidhërim të thellë familjen, kolegët, miqtë, të dashurit dhe lexuesit e shumët të veprës së tij.

Djali i një mërgimtari, si një nga të shumtët emigrantë dardharë të Amerikës, të atin, Pandi Laço, shkrimtari do ta takonte për herë të parë dhe të fundit kur ishte vetëm 20 vjeç, duke e jetuar rininë e tij të hershme larg dashurisë së babit, duke pritur letrat e përmallshme që vinin përtej Atllantikut.

Jetoi me nënë pranë, e cila do të bëhej shëmbëlltyra e shkrimtarit të ardhshëm; e ëmbël, fjalëpakët, e dashur dhe e papërtuar; si një nënë. Shtëpi e tij në Dardhë ka mbetur deri në ditët e sotme shenja e pelegrinazhit më të dashur të Teodor Laços. Ai nuk e tradhtoi asnjë çast vendlindjen, Dardhën. Shkoi dhe u kthye si Anteu. Ajo strëhëzë u bë frymëzimi i sa e sa veprave letrare të Laços.

“Shtëpi e vjetër e fëmijërisë./hapet porta e vjetruar/ porta që për mua është ankuar/ kur vija rrallë i ftohtë e i vonuar?

Ndër 55 veprat e tij letrare në prozë, poezi, drama, skenarë filmash, publicistikë dhe shënime udhëtimi, që do ta fillonin rrugëtimin në vitin e largët 58, dhe deri në ditët e fundit të jetës së tij pa e lëshuar penë nga dora, ( tregimet “Kukudhi” dhe “Puna fizike e akademikëve” janë të Prillit 2016 dhe romani “Gropas 67” u shkrua dhe botua më 2014), kishin zanafillën këtu, në Dardhë.

Babai i dy djemve të talentuar në fushën e kulturës dhe spektaklit televiziv, Pandit dhe Bledit, bashkëshort i aktores Mirjana, ai u ndje ngrohtë brenda shtëpisë se tij të letërsisë dhe kulturës deri në ditët e fundit të jetës si pak kush tjetër.

Me ndarjen nga jeta të Teodor Lacos, letërsia humbi njeriun e shquar të prozës shqiptare, kultura ish ministrin e saj të përkushtuar të viteve, 1996¬1998, shoqëria njeriun e angazhuar, deputetin, diplomatin, analistin dhe mbrojtësin e vlerave të demokracisë shqiptare pas viteve 90¬të. Në politikë, Teodor Laçon e gjejmë që me fillimet e demokracisë. Ai është një nga themeluesit e Partisë Socialdemokrate, duke qenë dhe nënkryetar i saj deri në vitin 1994. Do të hynte si pjesë e legjislativit nga zgjedhjet e lira pluraliste më 1992, duke vijuar si deputet edhe për tre legjislatura me radhë.

Në vitin 1995 krijoi partinë e re Bashkimi Socialdemokrat (Sot Bashkimi Liberal), parti të cilën e drejtoi për një dekadë, duke e bërë deri dhe me grup parlamentar. Ndërsa për veprat e tij letrare, Laço është nderuar me tri Çmime të Republikës, si dhe me Çmimin “Migjeni”. Dimensioni njerëzor i Teodor Laço dhe proza e tij janë të admiruara për këdo, në kohën tonë dhe do t’u mbijetojnë kohërave të ardhshme.

E pastë dheun e lehtë!
Nënshkruar nga: Ismail Kadare, Dritëro Agolli, Nasho Jorgaqi, Arian Starova, Bardhyl Londo, Halit Shamata, Petraq Risto, Aleksandër Meksi, Genc Pollo, Rrahman Parllaku, Bujar Kapexhiu, Liri Belishova, Shaban Murati, Shaqir Rexhvelaj, Fisnik Sina, Rremzi Ndreu, Hajri Mandri, Besim Ndregjoni, Bahri Myftari, Skënder Rusi, Andon Andoni, Behar Gjoka, Halil Rama, Naim Berisha
Shtuar më 15/10/2016, ora 15:24
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori