Kaçi s'përmbahet: "Rama e ka mbush PS-në me pederastë"
Mira Kazhani nga Gazeta Dita ka intervistuar këtë javë Kastriot Islamin. Është një bisedë e pazakontë me deputetin e PD-së.

“Unë shumë gjëra i bëj që të dalin qëllimisht tek Dita dhe tek Tema. Më pëlqen të provokoj dhe të shoh se çfarë thonë njerëzit. Edhe pse ata komentuesit nuk janë zëri i popullit. Janë shtabet e Veliajt dhe Saimir Tahirit ata që shajnë”, thotë ai.

Ai rrëfen për ditët kur u shkëput nga PS-ja: “...Ku ishin votuesit, kur Edi Rama më hodhi në humnerë? Më tha ose të vras unë, ose vrit veten. I thashë djalit të Mehmet Shehut. Ai vrau veten, por unë jo, nuk ja lejoj askujt atë kënaqësi...”

Duke folur për pse-të e kalimit te Berisha, Islami thotë: “…Askush nuk më doli në krah, as Gramoz Ruçi. Saliu më tha: Si je? I vdekur,- i thashë. Ai më shtriu dorën! Doja të hakmerresha. Me Sali Berishën, u bashkova për t’i treguar këtij vendi se Rama është më i keq se Berisha. Ai të paktën nuk të lë të vdesësh…”

Nuk mungon as sulmi për të rinjtë në PS: “…E ke parë si e ka bërë partinë? Pse G99 janë e ardhmja? Nejse, se pederastia tashmë ka emër tjetër, quhet orientim liberal…” – thotë Islami duke regjistruar kështu edhe një deklaratë që me siguri nuk do t’u pëlqejë organizatave që mbrojnë diversitetet.

Më poshtë intervista e plotë për Gazetë Dita:

Dikur në vitet ‘80 Kastriot Islami ishte ndoshta nga të paktët njerëz që “kishin parë botë me sy” në këtë vend. Një djalë i shkolluar në Francë, që vishej e mendonte si në Perëndim! Para disa kohësh, një mik që e çmoj më tregoi se Kastrioti nuk ka qenë ai që perceptohet sot në publik. Përkundrazi, si pedagog i Fizikës dhe Mekanikës kuantike ai venerohej në auditorët e studentëve. Por (sipas mikut) ky vend ka aftësinë të përmbysë karaktere, të transformojë deri në çudi, duke e treguar rastin e Kastriot Islamit si një shembull ku njeriu gjatë rrugës mund të bjerrë emocione, fitore, vlera, qofshin këto edhe fletoret me 10-ta, kostumet franceze, mendësinë. Diçka, u ndodh gjatë procesit të të bërit politikë, diçka që ose i bën diktatorë, ose oligarkë, ose të dështuar me turp!

Kastriot Islami nuk është i pasur, madje nga informacionet e marra para takimit me të, ai ndoshta është nga të paktët politikanë që nuk ka një vilë apo apartament në bregdet. Gëzon një apartament në Tiranë ku jeton me gruan dhe dy fëmijët, një djalë dhe një vajzë të cilët janë shkolluar si babai në Francë. E vetmja pasuri e tij kanë qenë rezultatet e shkëlqyera dhe futja në politikë si një bekim që më vonë u shndërrua në mallkim.

Kur lashë takimin me të, ai nuk tregoi drojë, siç e prisja. Më konfirmoi se menjëherë pas ecjes tek parku i liqenit artificial, ai do të më telefononte për t’u takuar. Linte përshtypjen që i pëlqente të ishte sërish në vëmendje, qoftë edhe tek një gazetë si DITA që nuk e ka hiç për zemër, sidomos rubrikën e fundjavës “Facebook Spy”.

- “Unë shumë gjëra i bëj që të dalin qëllimisht tek Dita dhe tek Tema. Më pëlqen të provokoj dhe të shoh se çfarë thonë njerëzit. Edhe pse ata komentuesit nuk janë zëri i popullit. Janë shtabet e Veliajt dhe Saimir Tahirit ata që shajnë” – thotë ai, me bindjen e skalitur në kokë se këtu gjithçka vjen e organizuar dhe se nuk janë qytetarë të zakonshëm ata që e urrejnë atë. Të paktën kështu e ngushëllon veten Islami.

-Pse ju mendoni se populli ju do ende?

-Çfarë kam bërë unë që mos të më dojë populli, – më drejtohet ai i habitur dhe i qetë në botën e tij. – E di se ku e ke fjalën. Do të dalësh tek bashkimi im me Berishën. Po ku ishin votuesit, kur më përjashtuan? Kur Edi Rama më hodhi në humnerë? Më tha ose të vras unë, ose vrit veten. Të njëjtën gjë që i bëri Enver Hoxha, Mehmet Shehut. Ja thashë edhe të birit të Mehmetit të cilin rastësisht e kam takuar në ato ditë të vështira, kur Edi Rama më përjashtoi nga partia ime. Madje i thashë se po të kisha qenë unë në vend të babait të tij (Mehmet Shehut) nuk do kisha vrarë veten por do kisha marrë familjen dhe do isha futur në Ambasadën Franceze. Ai vrau veten, por unë jo, nuk ja lejoj askujt atë kënaqësi. Për mua ishte një vrasje. Një shpartallim që askush nuk më doli në krah. Nuk doli as Gramoz Ruçi , i cili përfaqëson edhe një kohë të përbashkët lufte politike që në ato fillime. Në rrugë më doli Saliu, i cili më tha: Si je?

I vdekur,- i thashë. Ai më shtriu dorën dhe unë shpëtova!

Pranuat lëmoshën e Berishës, e një kundërshtari politik kundër të cilit kishit marrë votat e socialistëve? Eshtë e justifikueshme? Ku shkoi idealizmi juaj?

- Po çfarë idealizmi? Kush janë këta idealistë që lejojnë që t’u shkelet jeta, karriera? E di ti se çfarë kam hequr unë gjithë këto vite? Unë isha mirë e bukur në Francë dhe mora gruan, fëmijët me gjithë lecka dhe i solla këtu në halenë (e ka fjalën për Shqipërinë) e Europës. Erdha këtu me parfum francez dhe pastrova mutin e babait të Ditmir Bushatit, të Ledi Shamkut, të gjithë atyre që i mban sot Edi Rama afër. Po ta them edhe njëherë, pastrova mutin e atyre që e shkatërruan këtë vend në komunizëm dhe erdha këtu djalë i ri, me parfum francez. Papritur të çohet Edi Rama dhe të thotë që “ik tani, se nuk duhesh më” dhe ta bën vendin që ke pastruar me vite, një bordello! Jo, asnjëherë nuk e lejoj. Do hakmerresha unë për këtë. Ku të ikja sipas teje?! Me Sali Berishën, u bashkova për t’i treguar këtij vendi se Rama është më i keq se Berisha. Ai të paktën nuk të lë të vdesësh.

- Kush e tha? Pse ku është Besnik Mustafaj, Ilir Rusmali. Berisha ka “vrasjet” e tij në PD; dhe me ju, thonë që vetëm sa krijoi pak fabulë cinike në kryeqytet. Madje thonë, ju përdori! Dhe si ka mundësi ju që jeni deputeti më i vjetër, që në kohën e Ramiz Alisë? Pse mendoni se Berisha duke vrarë të vetët, futi një socialist 24 karat në parti. Aq më pak do ju donin të djathtët. Si mund të konsideronit këtë një mundësi të artë?

- E para, Berisha nuk besoj se më ka përdorur. Unë nuk bëj asgjë spontane. Për nga profesioni jam shumë i organizuar. Spontane ka qenë vetëm futja ime në politikë. E dini ju sesi jam bërë ministër në qeverinë e Adil Çarçanit? Ishte viti 1991. Unë isha në Trieste kur më ka marrë Nano në telefon dhe më ka thënë, hajde se të kemi bërë ministër. Më kishin prerë edhe biletën pa më pyetur fare. Por koha ishte e tillë dhe nuk të jepte mundësi të mendoje gjatë. Atëherë kam qëndruar vetëm 35 ditë sepse u organizuan zgjedhjet, dhe ishte një qeverisje e përkohshme. Nuk mendoja se do vazhdoja gjatë në politikë. Në vitet 91-92 kam drejtuar Kuvendin dhe më pas deri në vitin ‘95 kam qenë në Gjermani.

-E keni takuar Ramiz Alinë?

-Jo s’e kam takuar. Kam marrë pjesë sigurisht në kongresin e 10 të Partisë së Punës i cili u quajt kongresi i parë i Partisë Socialiste. Kam qenë pjesë e reformatorëve në PS. Unë, Rexhep Mejdani, Et’hem Ruka. Sepse edhe atëherë Partia kishte dy segmente. Marksistët si Servet Pëllumbi, Namik Dokle, Gramoz Ruçi të cilët nuk donin një ndryshim thelbësor sepse ishin trashëgimtarë, dhe reformatorët ku bëja pjesë unë. Sot trashëgimtarët kanë mbetur aty ndërsa reformatorët janë zhdukur, si unë, Ilir Meta apo Pandeli Majko që është i izoluar. Edi Rama heq Kaçin dhe bën deputet djalin e babë Myslymit dhe ti më thua mua, tërhiqu!! E ke parë si e ka bërë partinë? Pse G99 janë e ardhmja? Nejse, se pederastia tashmë ka titull tjetër, quhet orientim liberal. Pa dyshim Edi Rama nuk i ka zgjedhje rastësore “Trashëgimtarët” dhe këta perversët. Se ai ngaqë është pervers, kujton se ka qenë edhe antikomunist. Unë jam kam thënë Ramës edhe në parlament se që të jesh pervers nuk do të thotë antikomunist. Edi Rama ka qenë një fëmijë dhe një djalë i privilegjuar në rininë e tij. Po të pranosh të mos marrësh parasysh kontekstet e dy kohërave të jetuara, pa dyshim Edi Rama, ka qenë Erik Fullani i komunizmit. Asnjë dallim me djalin e Fullanit nuk do kish patur po të ishte sot i ri, – thotë ai dhe vazhdimisht i shoqëron me një formë habie por edhe vetëkënaqësie frazat e tij.

I pëlqen të përdorë shumë thënie të mëdha duke cituar Platonin, Ajnshtajnin apo të tjerë tek të cilët mendon se gjen veten. Në ka një gjë të tejdukshme tek ai, është mungesa e paqes. Ai nuk është i qetë me zgjedhjen e tij. Madje gati-gati të krijon përshtypjen se çdo ditë e mendon sa herë ecën nga liqeni. E ka bërë fije-fije atë çast politik, dhe tashmë edhe kur e pyet për orën, motin, sa ka vrapuar sot tek liqeni, ai sesi degëzohet dhe del tek Edi Rama të cilin e ka halë në sy (siç thotë populli). Kryeministri i ka pushtuar ëndrrat Kastriot Islamit, bisedat, dhe duket sikur nuk ka asnjë motiv tjetër.

Ndaj i them se sot dua të flasim për Kastriot Islamin, për zgjedhjet e tij dhe jo të të tretëve që nuk janë pjesë e kësaj tavoline. Ai merr pamjen e një njeriu të pambrojtur dhe pohon me mirësjellje çdo ndërhyrje timen. Më duhet të pranoj se nga jeta franceze kanë mbetur gjurmë mirësjelljeje dhe ky fakt më fut në mendime. Pse tek e fundit një politikan që i ka bërë të gjitha; politika e ka shpërblyer me postet më të mira; kryetar Kuvendi; ministër i Jashtëm; ministër Finance; ministër Arsimi, nuk ngopet? Të thotë: – Epo mirë… Një kapitull mbyllet, një tjetër fletë duhet hapur… Siç kanë bërë shumë bashkëudhëtarë të tij fundja?! Por nuk është ky rasti “Kaçi”!

Kur ja them këtë gjë, më shikon në sy dhe thotë me kokëfortësi se nuk ka asnjë arsye të hapë krahun. Ai e do politikën! Atë dhuratën që i erdhi para 23 vjetësh në Trieste, dhe që mesa duket ishte më e fortë sesa shkencëtari, pedagogu, kostumet dhe jeta përtej “halesë”. E do aq shumë saqë sot ka mbetur vetëm. Po po, ai është vetëm! Veç ecjes së mëngjesit, Facebook dhe të ndonjë gazetari si puna ime që kujtohet t’i marrë një profil, nuk besoj se ka diçka tjetër në ditën e tij. Politikisht në PD nuk e ka të thjeshtë të jetë aktiv, sado që nuk e pranon. Kur e pyes për Lulzim Bashën, nëse e takon ose flet me të shpesh apo rrallë ai më përgjigjet: – Nuk e bezdis shumë!

-Çfarë kupton me nuk e bezdis shumë? Nuk e bezdisni çdo ditë apo nuk e bezdis çdo muaj?

-Nuk ka një kalendar. Por kur kam diçka për t’i thënë, ai më pret në zyrë gjithmonë. Është ndryshe nga të gjithë dhe mendoj se kemi respekt reciprok.

-Besoni se do të jeni edhe në listat e Bashës?

-Është herët për të folur për këtë.

-A nuk mendoni se tërheqja në disa raste është me dinjitoze sesa një dështim që ecën? Dhe mbase më mirë vonë sesa kurrë!

-Platoni e ka thënë më mirë se kushdo, e kam shkruar edhe në Facebook. I ke parë ti Mira statuset e mija në Facebook? Duhet t’i kesh parë, se është dikush aty tek DITA që i boton të gjitha. Po nuk mërzitem. Më pëlqen shumë të kaloj kohën në Facebook, – më thotë ai dhe thërret një nga thëniet e Platonit: Kur nuk merresh me politikë, je i detyruar të udhëhiqesh nga inferiorë.

- E bukur ë? E ka thënë Platoni, – përsërit me vetëkënaqësi.

- Kaq shumë të pëlqejnë këto thëniet dhe i shkruan edhe në Facebook?

- Leximi dhe Facebook-u është një mik i mirë në këtë periudhë, – tregon ai. Por më rrëfen se pjesë e ditës së tij janë edhe dy prindërit e moshuar. Nëna është e paralizuar dhe ka humbur ndërgjegjen pas një problemi shëndetësor. Ai shkon çdo mëngjes për t’u kujdesur për të. Rikthehet sërish pasdite për të kaluar kohë më prindërit të cilët tashmë kanë nevojë për përkujdesje, dhe ai në këtë drejtim ndihet mirë që ka kohë të lirë, në mënyrë që të jetë sa më pranë tyre.

Kastriot Islami mund të ketë bërë gabimin e jetës duke u treguar në një çast i dobët para një kurthi politik. Ndoshta e di edhe ai vetë! Por nga afër ai është ende një burrë elegant që nuk ka humbur gjatë rrugës forcën për të qenë njeri. Nuk ngjan me oligarkët. Nuk ka vrarë askënd, nuk ka marrë para, nuk ka shtëpi në Lalz, Qerret, por ka treguar ama se përkulet. Dhe e ka bërë vetëm se nuk jeton dot pa jetën publike, druaj. Ai në thelb është një njeri i ditur e i kulturuar. Është edhe i butë. E dallon edhe nga mënyra sesi flet për prindërit, sesi të dëgjon dhe sesi bindet hera -herës.

Nuk është e lehtë të tretësh një gabim, një dobësi apo të metë. Ndoshta edhe ai e ndjen që më shumë nga gjithçka, politika të kthehet në një sëmundje të pashërueshme dhe si sheqeri në gjak, të helmon qelizat. Ai nuk ja doli të tërhiqet me dinjitet. Vuri hakmarrjen dhe zgjodhi të luajë tradhtarin. Arsyet në këto rrethana janë personale dhe çmimi paguhet individualisht, por preferoj ta mbyll me një thënie indiane për të (meqë i kishte edhe vetë përzemër shumë): “Dy gjëra nuk kthehen mbrapsht në këtë jetë: Shigjeta e lëshuar dhe mundësia e humbur!”. /dita/
Shtuar më 31/08/2014, ora 20:17
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori