Kabineti i ri qeveritar, Berisha takon Meten
Albeu.com
Kryeministri Sali Berisha dhe kreu i LSI-së, Ilir Meta pritet të zhvillojnë në 20 gusht takimin e parë zyrtar për krijimin e kabinetit të ri qeveritar. Burimet pranë të dyja partive, PD-së dhe LSI-së, konfirmuan se kjo datë do të ... shënojë negociatat e para në rrugë zyrtare, fillimisht për diskutimin e marrëveshjes programore.

Kabineti mendohet nga të dyja palët që të jetë gati deri në 30 gusht, në mënyrë që me hapjen e seancës së parë të Kuvendit në shtator, kabineti të marrë miratimin.

Në 10 ditë negociata programore por edhe bisedime për ndarjen e dikastereve, LSI do të shpalosë para Berishës kërkesat, që sipas atyre çfarë kanë deklaruar drejtuesit e LSI-së, bazohen në premtimet që kjo parti i ka bërë elektoratit në fushatën e zgjedhjeve të 28 qershorit.

Deri më tani nuk ka pasur negociata zyrtare, por dy drejtuesit e LSI-së dhe PD-së kanë komunikuar vazhdimisht. Kryetari i Komitetit Drejtues Kombëtar të LSI-së, Edmond Haxhinasto deklaroi të hënën gjatë një emisioni televiziv se “nuk ka negociata zyrtare për sa i takon bashkëqeverisjes me PD-në”.

“Ne jemi në një moment përgatitjeje. Po përgatisim platformën tonë që do të jetë pjesë e negociatave, po vendosim prioritetet programore për të qenë pjesë e kësaj qeverisjeje. Pra jemi duke bërë detyrat tona të shtëpisë dhe sigurisht në momentin e negociatave ne do të jemi të përgatitur për t’i paraqitur”, sqaroi Haxhinasto.

Deri më tani asnjë post ministri apo zv/ministri nuk është konfirmuar nga LSI-ja. Burimet nga kjo parti thonë se në varësi të interesave të saj, LSI dhe vetë kryetari Ilir Meta ka gati kërkesat për postet ministrore.

Por për shkak të një marrëveshjeje që kanë bërë me kryeministrin Berisha, ato nuk janë bërë të ditura për të mos prekur eficencën e kabinetit aktual qeveritar, duke ditur se gjithmonë lëvizjet krijojnë pakënaqësi. (G. Shqiptare)
Shtuar më 11/08/2009, ora 17:04
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori