“Ju rrëfej pesë netët e mia brenda çadrës”, çfarë po ndodh me protestën? (FOTO LAJM)

Ka kaluar dita e pestë e protestës. Çadra e pagëzuar nga demokratët si shtëpia e lirisë, vijon të mbetet e populluar. Mëngjesin e së mërkurës ishin minatorët ata të cilët u vendosën të parët përpara Kryeministrisë.

Pas tyre përfaqësues të demokratëve nga Burreli, Kamza, Kruja dhe Kavaja plotësuan stolat e drunjtë të vendosur në hyrje të godinës së qeverisë, raporton “Panorama”.

Një burrë rreth të gjashtëdhjetave sheh herë pas here nga Kryeministria, psherëtin dhe pastaj i rikthehet bisedës me miqtë, me të cilët ndan tavolinën. Është Haziz Koxha. Të gjithë kanë shkuar dhe kanë ardhur gjatë pesë ditëve të rezistencës së demokratëve, përveç tij.

Ndihet i papërfaqësuar nga Kryeministri Rama dhe për këtë është gati të qëndrojë deri në momentin që ai do të largohet.

“Kam ardhur nga Mati që nga dita e shtunë, kur u njoftua protesta. Sot për mua është dita e pestë e qëndresës. Çdokush në këtë çadër ka arsyet e tij për të cilat vendos të qëndrojë. Edhe unë kam të miat. Si shqiptar nuk e kam ndjerë kurrë veten të përfaqësuar nga kjo qeveri. Pak rëndësi ka nëse i kemi besuar apo jo premtimet e kësaj maxhorance në 2013, por di të them që ato premtime nuk janë mbajtur dhe zhgënjimi është shumë i madh”, tregon Hazizi dhe sytë nuk ia ndan Kryeministrisë.

MOTIVET

E ardhmja e fëmijëve të tij është ajo që e shqetëson më shumë. Megjithëse ka investuar përmes vështirësish për të shkolluar fëmijët e tij, ata sot janë të papunë. Ndaj me bindjen e palëkundur se rezistenca është e vetmja rrugë me të cilën mund të largohet kjo qeveri:

“Kam një familje prej 6 anëtarësh. Të gjithë jemi të papunë. Djali i madh më ka mbaruar shkollën e lartë për inxhinieri dhe është i papunë, edhe djali tjetër ka mbaruar shkollën elektrike dhe prapë është i papunë. E kam për ulje që këtë që kemi përballë ta konsideroj kryeministër, sepse ai nuk më përfaqëson, ndaj dua që të ikë dhe të japë dorëheqjen”, shprehet me bindje 58-vjeçari nga Mati.

Thotë se gjëja e fundit që i shkon ndër mend është frika nga ajo që mund të ndodhë nga kjo protestë. Si prind beson se më e rëndësishme është e ardhmja e fëmijëve të tij, për të cilën nuk ngurron të pranojë se edhe do të jepte jetën nëse do të ishte e nevojshme.

“Absolutisht nuk kam asnjë lloj frike. Në mënyrë kategorike. Nëse kjo protestë do të kalojë në përplasje, jam unë i pari që jam gati të jap jetën për një të ardhme të mirë të fëmijëve të mi, por edhe të fëmijëve të të gjithë shqiptarëve. Këtu në çadër ndajmë biseda me miq e shokë, me veriorë, jugorë dhe të Shqipërisë së Mesme. Të gjithë e pranojmë se çështja e drogës është një problem i të gjithëve. Çfarë mundësie po u ofrohet fëmijëve tanë? Të punësohen në parcelat e drogës? Kjo nuk është shpresë. Ky është mjerim dhe për këtë arsye ne do të qëndrojmë e do të bëjmë rezistencë”, pohon me zë të bindur Hazizi.

QËNDRESA

Shpenzimet e pakta që mori me vete të shtunën, kur u nis drejt Tiranës për të protestuar, i shfrytëzon për t’u ushqyer. Sfidën e pagjumësisë e ka zgjidhur me konsumimin e kafeve të shumta dhe bisedave me protestuesit e tjerë.

Për të, por edhe për këdo që është në çadrën në hyrje të Kryeministrisë, ndryshimi dhe shpresa në vend do të nisë me largimin e Edi Ramës. Hazizi pranon se ditën që u nis drejt Tiranës, ishte i bindur se do të qëndronte gjatë, por për të çdo përpjekje për të rrëzuar këtë qeveri ka vlerë.

Protestuesja në lot: Na hoqën familjarisht nga puna si veriorë

Nga vendimi i demokratëve për të ngritur një çadër përpara Kryeministrisë, rrjedha e ditëve për Drita Lamajn ka ndryshuar. Afrimi i mbrëmjes është i vetmi moment në të cilin ajo zgjedh të largohet nga çadra.
Pjesën tjetër të ditës e kalon në çadër me gra të tjera që kanë vendosur të mbështesin kauzën e opozitës. Arsyeja për të cilën ka zgjedhur të jetë në çadër është largimi nga puna i të gjithë familjes së saj për shkak të bindjeve të djathta, bashkë me përçmimin e të qenët veriore.

“Vij çdo ditë në protestë si e larguar padrejtësisht nga puna. Jam pushuar nga pozicioni që kam mbajtur në administratën e ‘Qytetit Studenti’ me epitetin ‘veriore’ dhe për bindjet e mia të djathta. Unë nuk e mohoj që jam e djathtë, pasi vij nga një familje e persekutuar që e kam vuajtur deri në palcë komunizmin. Më kanë vrarë tim atë dhe ata që e kanë vrarë sot janë në nivelet më ta larta të Policisë së Shtetit. Kam 1000 arsye për të protestuar. Na kanë hequr nga puna familjarisht. Im shoq është pushuar nga puna që bënte në kompaninë private të Safet Gjicit dhe im bir nga Garda e Republikës”, rrëfen Drita dhe sytë i mbushen me lot. Është e vendosur që të qëndrojë çdo ditë në atë që e quan çadra e lirisë dhe për këtë ka një thirrje për të gjithë demokratët.

“Kryeministri ka thënë që ne jemi pakica. E ka gabim. Ne jemi shumica. Këtu në protestë është gjithë populli shqiptar dhe do të qëndrojmë deri në momentin që Kryeministri të largohet. U bëj thirrje të gjitha motrave, nënave, grave shqiptare: ejani në shtëpinë e lirisë për t’u kthyer fëmijëve tanë buzëqeshjen! T’i kthejmë fëmijët tanë dhe familjet tona që kemi në azil. Kam tim vëlla me 7 pjesëtarë në familje azilant në Francë, tim bir në Amerikë. T’ia bëjmë këtë shërbesë atdheut tonë. Ta bëjmë vendin tonë të jetueshëm. Të vendosim në krye të tij njerëz të ndershëm dhe jo kriminelë”, pohon protestuesja e PD-së.

“Molto”, uje e kafe në çadër

Ushqimi është e vetmja gjë që nuk mund të mungojë në çadrën e demokratëve në mënyrë që rezistenca e tyre të vazhdojë. Për këtë arsye, organizatorët kanë udhëzuar drejtuesit e degëve që në mënyrë të vazhdueshme përgjatë ditës për secilin prej demokratëve të shërbehet ushqim.
Kështu, përgjatë drekës së djeshme, demokratët u kanë shërbyer protestuesve në çadër disa kuti me molto, ujë dhe kafe. Ndërkohë që përfaqësuesit e PD-së të degës së Burrelit nuk kanë nguruar ta kthejnë rezistencën e tyre edhe në një festë ku përmes daulleve kanë kërkuar largimin e qeverisë.

Gjatë ditës, disa nga deputetët e PD-së i bashkohen çadrës duke inkurajuar demokratët të vazhdojnë qëndresën e tyre përballë qeverisë. Dy herë në takime të ndryshme, çdo ditë, çadrës i bashkohet edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Përgjatë natës, përmes ngrohëseve të gazit dhe bisedave mes tyre, demokratët kalojnë edhe një ditë tjetër në çadër, pa ditur se kur dhe si do të jetë fundi i qëndrimit të tyre në “shtëpinë e lirisë”./Panorama
Shtuar më 23/02/2017, ora 08:29

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori