Pse një mori marrëveshjesh diplomatike, nuk do t’i japin fund konflikteve në Lindjen e Mesme

Nga Joost Hiltermann “Foreign Affairs

Përktheu: Alket Goce-AlbEu.com

Në mesin e muajit korrik, presidenti turk Recep Tayyip Erdogan përfundoi një tur vizitash të nivelit të lartë në Arabinë Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Ishte një udhëtim që solli dhjetëra miliarda dollarë në marrëveshje investimesh për ekonominë turke që gjendet prej vitesh në vështirësi.

Turi përfaqësonte kulmin e zbutjes së raporteve diplomatike midis Turqisë dhe qeverive të Arabisë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe pas gati një dekade marrëdhëniesh të akullta. Në fakt, ky afrim u bë i mundur nga rifillimi i lidhjeve të aleatit të Turqisë, Katarit, me Riadin dhe Abu Dhabin, pas një këputjeje disavjeçare.

Në qershor, vetëm disa javë përpara vizitës së Erdoganit, Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe sapo i kishin rilidhur marrëdhëniet diplomatike. Por këto nuk janë të vetmet marrëveshje të arritura në Lindjen e Mesme.

Në vitin 2020, Izraeli ra dakord të hapte një epokë të re në marrëdhëniet me Bahreinin dhe Emiratet e Bashkuara Arabe bazuar në Marrëveshjen e Abrahamit, akti i parë i këtij lloji midis Izraelit dhe shteteve arabe që nga traktati i paqes Izrael-Jordan në vitin 1994. Disa muaj më vonë, marrëveshjes iu bashkua Maroku dhe më pas Sudani.

Në mars të këtij viti, Irani dhe Arabia Saudite ranë dakord të rinisin marrëdhëniet diplomatike pas 7 vitesh përplasjesh të forta. Dhe në maj, edhe diktatori i Sirisë, presidenti Bashar Al-Assad, u mirëprit sërish në Ligën Arabe pas më shumë se një dekade izolimi.

Në pamje të parë, lulëzimi i marrëveshjeve të tilla në të gjithë rajonin, duket se shënon një shkëputje nga dekada e trazirave të nisura nga kryengritjet arabe të viteve 2010-2011.

Shtetet që kishin ndjekur një qasje ushtarake ndaj disa prej konflikteve në rajon, drejtpërdrejt ose përmes palëve të treta, kanë vendosur të paktën tani për tani, se diplomacia është një mënyrë më e mirë për të çuar përpara interesat e tyre.

Një rast i tillë mund të jetë Jemeni, ku gjatë 2 viteve të fundit, Riadi është angazhuar në bisedime me rebelët Houthi të mbështetur nga Irani, në një përpjekje për t’i dhënë fund luftës civile disa-vjeçare, ose të paktën për t’i dhënë fund përfshirjes saudite në të.

Përfitimet e perceptuara nga këto marrëveshje janë të tilla, saqë administrata Biden po sugjeron tashmë se një afrim midis Izraelit dhe Arabisë Saudite mund të ndihmojë në shpëtimin e procesit të paqes izraelito-palestinez. Por vëzhguesit duhet të jenë të kujdesshëm që të mos e mbivlerësojnë këtë ndryshim të dukshëm të kursit.

Kjo sepse faktorët nxitës themelorë të konflikteve në rajon mbeten kryesisht të pa adresuar: debati mbi rolin e Islamit dhe islamikëve në qeveri; armiqësia e gjatë midis Iranit dhe Izraelit dhe disa shteteve arabe; konflikti izraelito-palestinez, i cili përballet me dhunë të re në kuadër të një qeverie të re të ekstremit të djathtë në Izrael; dhe mungesa e qeverisjes efektive, e përforcuar nga një ripohim në mbarë rajonin i sundimit autokratik, përfshirë Tunizinë, lideri i së cilës po e zhbën edhe atë pak progres demokratik që ishte arritur pas protestave të vitit 2011.

Madje, normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet qeverive të ndryshme, mund të ketë rrënjosur më tej disa nga këto probleme. Nuk ka dyshim se diplomacia është e rëndësishme. Vendosja ose rivendosja e marrëdhënieve midis Arabisë Saudite dhe Iranit, Izraelit dhe disa vendeve arabe, dhe Katarit dhe rivalëve të tij arabë të Gjirit, si dhe hapat e fundit të Turqisë ndaj Egjiptit dhe disa shteteve të Gjirit do të arrijnë disa gjëra.

Ato lëvizje hapin kanale të reja komunikimi, të cilat duke e përmirësuar mirëkuptimin e ndërsjellë midis rivalëve, janë jetike për të parandaluar që incidentet e dhunshme të përshkallëzohen në diçka më të madhe.

Në një rajon të mbushur me konflikte të vjetra, të thella dhe në dukje të pazgjidhshme, mbajtja e kontakteve të rregullta të nivelit të lartë, është pa asnjë diskutim shumë e rëndësishme. Por a do të shkohet më tej? Dhe nëse po, cilat janë kufijtë?

Vala e normalizimit të raporteve ndërshtetërore në rajon, nisi në vitin 2019 me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Iranin. Atë verë, zyrtarët e Emirateve u përpoqën të reduktojnë tensionet me Teheranin pas një serie sulmesh ndaj anijeve tregtare në Gjirin Persik. Udhëheqja në Abu Dhabi, i lexoi këto incidente si një mënyrë e Iranit për të paralajmëruar për pasoja të rëndë nëse shtetet arabe të Gjirit do të mbështesnin fushatën e “presionit maksimal” të presidentit amerikan Donald Trump kundër Republikës Islamike.

Në vizitën që zhvilluan në Teheran po atë vit, zyrtarë të lartë të Emirateve sinjalizuan se Emiratet e Bashkuara Arabe nuk dëshironin të bëheshin pjesë e përpjekjeve të SHBA-së për të detyruar Teheranin të respektonte marrëveshjen mbi programin bërthamor të vitit 2015, aq më tepër kur vetë SHBA-ja kishte dalë prej saj në vitin 2018.

Më pas, Emiratet vendosën të zyrtarizojnë marrëdhënien e tyre të gjatë, por kryesisht të fshehtë me armikun kryesor të Iranit, Izraelin, nëpërmjet Marrëveshjeve të Abrahamit. Zgjedhja e Joe Biden si president i SHBA-së në vitin 2020, e thelloi ndjenjën midis liderëve arabë se do t’u duhej që të mbështeteshin më shumë tek diplomacia e tyre për të adresuar tensionet rajonale.

Përballë një periudhe të polarizimit të thellë social dhe politik në vend, Shtetet e Bashkuara dukej se po kthenin më shumë sytë nga vetja dhe në politikën e jashtme, administrata e Biden-it po ringjallte orientimin drejt Azisë, të nisur që nga administrata Obama.

Nga ana tjetër qeveria e Erdoganit në Turqi, ka pasur motivet e saj për t’u rikthyer tek diplomacia. Për më shumë se një dekadë, lidhjet e Ankarasë me Arabinë Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Egjiptin ishin dëmtuar shumë. Ndonëse Turqia kishte mbizotëruar në Libi dhe ndihmoi me sukses Azerbajxhanin të rimarrë pjesë të enklavës së diskutueshme armene të Nagorno-Karabakh dhe zonave afër saj në vitin 2020, mbështetja e saj për Vëllazërinë Myslimane Egjiptiane dhe islamikë të tjerë në rajon i kishte zemëruar qeveritë arabe.

Sikurse e ka treguar udhëtimi i fundit i Erdoganit në Gjirin Persik, një normalizim i marrëdhënieve, të paktën në fushën e tregtisë, mund të nënkuptojë një nxitje të konsiderueshme për ekonominë e keq-menaxhuar të Turqisë.

Nga ana e tyre, bashkëbiseduesit e Turqisë e kuptojnë se diplomacia e “bllokut të çeqeve” është një mënyrë më e mirë për të larguar Ankaranë nga mbështetja e sjelljes që ata e konsiderojnë si subversive. Disa nga rezultatet më dramatike të përpjekjes së re të normalizimit të raporteve midis vendeve të Lindjes së Mesme, janë shfaqur që në gjysmën e parë të këtij viti.

Në një lëvizje shumë të rëndësishme dhe pas vitesh armiqësie dhe dyshimi të ndërsjellë, Arabia Saudite dhe Irani ranë dakord në mars që të rivendosin marrëdhëniet diplomatike. Zyrtarët sauditë kuptuan se qasja e “presionit maksimal” të Trump kishte dështuar dhe ata kishin nevojë për një rrugë alternative.

Zyrtarë të lartë të sigurisë iraniane dhe saudite mbajtën një dialog dypalësh të ndërprerë për disa vjet derisa, në fillim të këtij viti ndërhyri Kina. Në këtë pikë, administrata Biden u përball me kolapsin e plotë të marrëdhënieve me Iranin, në mesin e bisedimeve në krizë mbi programin bërthamor, protestave popullore në Iran dhe furnizimin nga Teherani me armë për Rusinë në luftën e saj në Ukrainë.

Një tjetër lëvizje e habitshme në këtë drejtim, ishte përpjekja e disa liderëve arabë për të rivendosur lidhjet me regjimin sirian. Në krye të saj ishin Emiratet e Bashkuara Arabe që dërgua në Damask ministrin e jashtëm nëntorin e vitit të kaluar, duke rritur ndihmën dhe zgjeruar tregtinë.

Më pas, në maj të këtij vitit, Liga Arabe e ri-pranoi Sirinë në radhët e saj pas përkrahjes vendimtare të Arabisë Saudite. Në këtë mënyrë, udhëheqësit arabë të Gjirit po e pranojnë triumfin e diktatori sirian Assad mbi opozitën, të cilën ai e shtypi me dhunë.

Nga perspektiva e parandalimit të konflikteve, kthesa e Lindjes së Mesme drejt diplomacisë dhe normalizimit të raporteve ofron përfitime të padiskutueshme. Sepse disa nga konfliktet e ndërthurura të rajonit – midis Izraelit dhe Hamasit, Izraelit dhe Iranit, dhe Izraelit dhe Hezbollahut – janë vetëm një shkas larg një përshkallëzimi të madh.

Një llogaritje e gabuar, keq-komunikim, ose një raketë që godet një shkollë ose qendër tregtare në vend të një objektivi ushtarak ose një fushe të hapur, mund të shkaktojë një zinxhir të pakontrolluar ngjarjesh. Në një situatë të tillë, janë jetike linjat ekzistuese të komunikimit dhe diplomacia aktive. Por nëse këto zhvillime mund të ndihmojë në adresimin e problemeve më të thella që e nxisin konfliktin në rajon, kjo është shumë më pak e sigurt.

Një faktor i tillë është debati i gjatë mbi rolin e Islamit në qeveri, dhe veçanërisht në shprehjen e tij më të organizuar, Vëllazëria Myslimane. Ai çon në destabilitet dhe tensione të përsëritura në vende të tilla si Egjipti dhe midis Katarit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe.

Për më tepër Marrëveshjet e Abrahamit kanë jo pak kufizime. Është e paqartë se sa do të ndryshojë marrëveshja Arabi Saudite-Iran projeksionin e fuqisë së Iranit në rajon. Në një periudhë afatshkurtër, marrëveshja mund të ulë ndjeshëm tensionet rajonale, veçanërisht në Jemen.

Por, megjithëse Irani mund t’i nxisë Houthit të arrijnë një marrëveshje me sauditët, nuk ka gjasa që Teherani të zvogëlojë ndikimin e tij rajonal apo të pakësojë mbështetjen e tij për milicitë si Houthi, Hezbollah, grupe paraushtarake në Irak apo regjimi sirian.

Izraeli dhe Emiratet e Bashkuara Arabe nxjerrin përfitime reciproke nga nxjerrja në pah e një marrëdhënieje që ata e kishin ushqyer në hije për shumë vite. Por në tërësi diplomacia e kohëve të fundit e Lindjes së Mesme, duket se nuk ka gjasa të ndihmojë popullsinë e vuajtur të rajonit. Veçanërisht i dëmshëm ka qenë ndikimi i marrëveshjeve në kërkimin gjithnjë e më të pasigurt për paqen izraelito-palestineze.

Për ata në Uashington që mendojnë se normalizimi i marrëdhënieve midis Arabisë Saudite dhe Izraelit mund të sjellë përparim në situatën e kauzës palestineze, ia vlen të shihen rezultatet e marrëveshjeve ekzistuese. Aktualisht një Izrael i udhëhequr nga një qeveri e krahut të djathtë të vijës së ashpër i ka zgjeruar vendbanimet dhe ka përdorur masa ushtarake edhe më të ashpra në territoret e pushtuara, ndërsa e konsideron si një fitore të madhe ndarjen e kampit arab.

Shoqëritë izraelite dhe palestineze, janë aq të polarizuara sa që asnjëra nuk mund të sigurojë një zgjidhje të qëndrueshme të negociuar për konfliktin. Dhe megjithëse Izraeli mund të pretendojë një sukses të jashtëzakonshëm në kolonizimin e Bregut Perëndimor, herët a vonë do t’i duhet të përballet me realitetin e ndryshimeve demografike që sfidojnë vetë themelet e shtetit hebre.

Brenda Lindjes së Mesme më të gjerë, fakti që protagonistët në konfliktet më të ashpra të rajonit – Izraeli dhe armiqtë e tij – as që po flasin me njëri-tjetrin rrit rrezikun e një shpërthimi të madh në Liban ose Siri, në mos edhe në Iran.

Marrë me shkurtime

Shënim:Joost Hiltermann, drejtor i Programit për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut në Grupin Ndërkombëtar të Krizave.

/albeu.com

 


Shtuar 3.08.2023 14:20

Tags: