"Jetojmë si qeni në vendin tonë!" (FOTO LAJM)

nga Donisa PERSEKU/Albeu.com

Në një lagje periferike të Tiranës edhe pse jo shumë larg qendrës së kryeqytetit njerëzit jetojnë pa kushtet më minimale të jetesës. Të braktisur në mëshirë të fatit, afërsisht 120 familje që jetojnë në zonën e Institutit Bujqësor kanë 11 muaj pa energji elektrike dhe kushtet e banimit janë të mjerueshme.

Me lot në sy zonja Miranda Kaculi tregon gjendjen e vështirë në të cilën ndodhet bashke me fëmijët e saj, dy prej të cilëve ishte detyruar t’i braktiste në jetimore, pohonte me plot dhimbje se fëmijët kishin gjithë ditën pa futur gjë në gojë dhe se kur kishin diçka për të ngrënë e ndante në pjesë të barabarta por pa përfshirë veten. “Dy fëmijë i kam te shoqata e jetimoreve ndërsa tre fëmijët e tjerë po i mbaj me vështirësi. Me një qiri nuk mundem që t’ia dal sepse fëmijët nuk kanë ku t’i bëjnë mësimet. Kemi bërë aplikim për banesë sociale dhe s’po na e japin të drejtën, vetëm sa na sorollatin nëpër zyra bashkë me burrin që e kam edhe invalid. Nuk bëj edhe punët e shtëpisë vetëm duke u marrë me burrin, i cili është i paaftë për të ecur. Jemi pa ushqime dhe fëmijët shpesh rrinë edhe pa bukë”, thotë ajo.

Bashkëshorti i zonjës Miranda, zoti Përparim Kaculi, i cili qëndronte në një cep të shtëpisë së rrënuar, shpreh dhimbjen për paaftësinë për të ndihmuar familjen e tij. ”Nuk dua t’i lë fëmijët në rrugë, se jeta ime është e dobët, nesër mund të mos jetoj”, na tregon Përparimi.

Kjo ishte një nga familjet e shumta që jetojnë në kushte shumë të vështira ku lagështira, errësira dhe i ftohti janë bërë shoqëruesit e tyre të përhershëm.

Një tjetër rast është edhe ai i zonjës A. Ukimeraj, 60 vjeçe, e cila jeton e vetme në një dhomë të ftohtë të godinave, e braktisur në mëshirë të fatit pa përkrahje duke mbijetuar me lëmoshën e të tjerëve. Pa ndihmë nga familja dhe nga shteti, ajo kërkon të paktën kushtet më minimale të jetesës, siç janë uji edhe dritat.

Në kushte akoma edhe më të vështira ndodhej z. H. M., i cili brenda një viti ka përcjellë për në banesën e fundit dy nga njerëzit e tij më të dashur. Dhimbja shtohet edhe më shumë kur bashkë me lotët në muret e shtëpisë rrjedhin edhe shirat që depërtojnë nga jashtë.

Shumë familje me mundësi ekonomike më të mirë janë larguar, por pjesa tjetër në pamundësi strehimi në vende të tjera kanë zgjedhur të vazhdojnë të jetojnë në ato godina.

Çdo familje ka paguar nga 120 mijë lekë (të vjetra) për të rilidhur energjinë elektrike, por lekët u janë kthyer mbrapsht nga Drejtoria e Godinave. Banorët kanë kërkuar shpesh mundësi zgjidhjeje nga OSHE, por fjalët e tyre kanë rënë në vesh të shurdhët. Ata akuzojnë shtetin shqiptar për neglizhencë ndaj tyre duke përdorur shpesh shprehjen: ”Jetojmë si qeni në vendin tonë”.
Gjithashtu paralajmërojnë vazhdimin e protestave derisa të fitojnë të drejtën e tyre për të pasur energji elektrike dhe ujë si e gjithë pjesa tjetër e popullsisë shqiptare. /albeu.com/
Shtuar më 28/01/2016, ora 22:31

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori