Jessen-Petersen kërkon inkuadrimin e serbëve në institucionet e Kosovës
Albeu.com
Në Kosovë është arritur një progres në implementimin e standardeve, por ka mbetur edhe mjaft punë për të bërë në këtë drejtim, ka thënë kryeadministratori Soren Jesen Petersen, gjatë një vizite të premten në Beograd.Petersen ka vlerësuar në Beograd rëndësinë e pjesëmarrjes së serbëve në institucionet e Kosovës. Ai qëndroi për një vizitë në Beograd, gjatë së cilës është takuar me kryeministrin serb Vojislav Koshtunica, shefin e “Qendrës bashkërenduese për Kosovën” Nebojsha Çoviq dhe kryetarin e Serbisë e Malit të Zi, Svetozar Maroviq.

Në një kumtesë të qeverisë së Serbisë thuhet se me shefin e UNMIK-ut është biseduar “për çështjet konkrete që kanë të bëjnë me përmirësimin e gjendjes së komunitetit serb në Kosovë, respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtën për kthim të personave të zhvendosur.

Shefi i UNMIK-ut ka vlerësuar se ka përparim në marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, se takimet e grupeve punuese kanë sjellë rezultatet të caktuara ndonëse ende fillestare dhe ka veçuar nevojën e pjesëmarrjes së përfaqësuesve serb në institucionet e përkohshme të vetëqeverisjes në Kosovë.

Ndërkohë kryeministri serb Voisllav Koshtunica ka pohuar se “Beogradi nuk është i kënaqur me përmbushjen e standardeve, posaçërisht kur është fjala për kthimin e të zhvendosurve”.

Para udhëtimit për në Beograd Petersen kishte deklaruar se do të kërkojë sqarime nga autoritetet e Serbisë për qëndrimin e tyre se statusi i Kosovës duhet të jetë “më shumë se autonomi e më pak se pavarësi”.

Ndërkaq që një zyrtar i qeverisë së Serbisë tha se në takim “është prekur çështja e qëndrimit të Beogradit për statusin e Kosovës, por vetëm jo zyrtarisht”.

“Shefi i UNMIK-ut nuk ka mandat të bisedojë për statusin e ardhshëm të Kosovës, prandaj vetëm është njoftuar joformalisht me qëndrimet e Beogradit”, tha zyrtari i qeverisë.

Bisedimet e kreut të UNMIK-ut në Beograd zhvillohen në dritën e vlerësimeve të mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të KB të mbajtur më 27 maj, në të cilën u vendos që diplomati norvegjez Kai Aide të emërohet i dërguar i posaçëm për vlerësimin e përmbushjes së standardeve në Kosovë. Radio Kosova
Shtuar më 12/06/2005, ora 01:01
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori