Jeremiq: E kemi penguar zgjerimin e njohjes së Kosovës
Albeu.com
Serbia po përpiqet të fitojë mbështetjen e sa më shumë vendeve në botë, në mënyrë që të gjejë mbështetjen për iniciativën e saj që nga Gjyqi Ndërkombëtar i Hagës të kërkojë mendimin për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Serbia ka nisur një ofensivë të ashpër diplomatike kundër pavarësisë së Kosovës dhe insiston të jetë prezent në çdo takim, samit e konferencë të rëndësishme, në mënyrë që çështjen e Kosovës ta imponojë si temë diskutimi, ka thënë ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiq, në një intervistë për gazetën “Blic”.
Serbia po përpiqet të fitojë mbështetjen e sa më shumë vendeve në botë, në mënyrë që, në shtator, në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të KB-së të gjejë mbështetjen për iniciativën e saj që nga Gjyqi Ndërkombëtar i Hagës të kërkojë mendimin për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Praktikisht jemi prezent kudo në botë, në mënyrë që të mund të bisedojmë me sa më shumë përfaqësues të shteteve të ndryshme”, ka thënë Jeremiq. Sipas tij, diplomacia serbe ka insistuar që të jetë prezent kudo që ka pasur ndonjë takim me karakter ndërkombëtar, për ta imponuar Kosovën si temë diskutimi.

“Krahas pranisë tonë në OKB, OSBE, dhe në organizatat të tjera evropiane, kemi marrë pjesë edhe në takimet ku nuk bën pjesë Serbia, si në Amerikën Jugore, Samitin e Unionit Afrikan, Konferencën Islamike, Vendet e Painkuadruara, Ligën Arabe. Kemi pasur takime bilaterale përgjatë tërë rruzullit, dhe kemi arritur që Kosovën të mbajmë si çështje kontroverse dhe atë në nivel shumë të lartë. Mendoj se në këtë mënyrë kemi penguar idenë e atyre që e mbështesin pavarësinë e Kosovës dhe kemi arritur të pengojmë zgjerimin e njohjes të Kosovës”, ka thënë Jeremiq.

Sidoqoftë, Jeremiq ka hezituar të japë vlerësimin përfundimtar se sa shtete do të mbështesin kërkesën e Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Serbisë i duhen 96 vota që të mund të marrë ‘izën” për synimin e saj.
Shtuar më 05/08/2008, ora 16:32
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori