Jeremic: Kohe te veshtira per Serbine
Albeu.com
Ministri i Jashtëm i Serbisë, Vuk Jeremiq, në një intervistë për të përditshmen e Beogradit “Vecernje Novosti” është shprehur se vendimi i GJND-së, me të cilin pohohet se pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, e ka vënë Serbinë në situatë shumë të vështirë.
“Përgjigja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) në Hagë ka dëshpëruar Serbinë. Ai nuk është ashtu siç e kishim pritur. Do të na bëjë më të vështirë luftën për pjesën e shtetit, do të na fusë në grindje, ndoshta, me një pjesë të bashkësisë ndërkombëtare, që pret të ‘pranojmë realitetin’...”, është shprehur Jeremiq, por ai megjithatë ka shfaqur bindjen se ky vendim nuk do të ndryshojë asgjë në qasjen e Serbisë kundruall çështjes së Kosovës. Madje ka thënë të jetë i sigurt se është e mundur të mbrohet pozicioni i Serbisë, sipas të cilit akti i ndarjes së Kosovës është në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, edhe pas mendimit të GJND-së. Sepse, sipas tij, gjykata nuk ka dhënë “në pyetjen thelbësore – a kanë pasur të drejtë shqiptarët të shkëpusin një pjesë të territorit?”.

“S’ka asnjë dyshim se një vendim i tillë i gjykatës ka vështirësuar shumë përpjekjet tona që të luftojmë për një zgjidhje të drejtë me kompromis të statusit të Kosovës, me të cilin njëra palë nuk do t’i marrë të gjitha, kurse pala tjetër s’do t’i humb të gjitha. Në vend se të përgjigjej në pyetjen thelbësore – a kanë mundur shqiptarët të Kosovës sipas të drejtës ndërkombëtare të shkëputen njëanshëm nga Serbia, gjykata ka vendosur të deklarohet ekskluzivisht për përmbajtjen teknike të deklaratës së tyre. Në këtë mënyrë, praktikisht, ia ka lënë në dorë ‘pataten e nxehtë’ Asamblesë së Përgjithshme të KB-së, ku do të mbrojmë pozicionin tonë me pohimin parimor se e drejta për ndarje është mënyrë e papranueshme e zgjidhjes së problemeve të sovranitetit dhe territorialitetit. Pres se do të ketë mjaft shtete që do të tregojnë mirëkuptim për qëndrimin tonë”, i ka thënë Jeremiq “Vecernje Novostit”.

I pyetur për idenë e ndarjes së Kosovës ose për shkëmbim territoresh, Jeremiq është përgjigjur se “në këtë moment të gjitha fuqitë tona janë të orientuara nga lufta për fillimin e një procesi që do të çonte në zgjidhje me kompromis për Kosovën. Tash do të ishte jashtëzakonisht kundërproduktive të bëhet pazar se çfarë mund të jetë përfundimi i tij”.

Jeremiq poashtu i ka thënë kësaj gazete se “kjo qeveri, si çdo tjetër në të ardhmen, asnjëherë nuk do të guxojë të njohë pavarësinë e shpallur njëanshëm të Kosovës. Ky është detyrim i ynë kushtetues, politik, por edhe historik e moral”.

Jeremiq i ka sqaruar Novostit edhe përmbajtjen e letrës së presidentit të Serbisë në 55 adresash shtetesh. “Presidenti Tadiq, përmes emisarëve personalë, që do të shkojnë në 55 kryeqytete në gjithë planetin, do t’u dërgojë porosi shefave të shteteve dhe qeverive të atyre vendeve, se ndryshimi eventual i qëndrimeve të tyre rreth respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit tonë do t’i kontribuonte instalimit të precendetit të rrezikshëm që do të trimëronte shumë lëvizje secesioniste në botë. Me letër u bëhet apel të analizojnë me kujdes Mendimin e gjykatës, në të cilin askund nuk theksohet se përpjekja për shkëputje e shqiptarëve të Kosovës ka mbështetje në të drejtën ndërkombëtare. Poashtu do t’ua bëjë me dije faktin se kjo çështje e ndjeshme do të diskutohet në Asamblenë e Përgjithshme të KB kësaj vjeshte dhe se kërkon përkrahje për rezolutën e Serbisë që do t’i hapte udhë gjetjes së zgjidhjes me kompromis përmes negociatave”.

Jeremiq ka paralajmëruar se do të bëjë të gjitha përpjekjet për të penguar fushatën e Kosovës dhe të miqve të saj nëpër botë për njohje të reja. “Ne do të bëjmë të pamundurën të arrijmë kontakte me sa më shumë bashkëbisedues dhe të përpiqemi t’i bindim të mos bien pre e presioneve”, është shprehur ai.

Ai ka thënë se Serbia ende nuk ka filluar tekstin e rezolutës që do t’ia propozojë AP të KB-së. Rreth idesë që teksti i kësaj rezolute të hartohet në bashkëpunim me BE-në, Jeremiq ka thënë se “është e zakonshme që vendi, i cili inicion para AP procesin gjyqësor të jetë ai që propozon edhe konkluzionin përfundimtar. Jemi të gatshëm që me qëllimin më të mirë të angazhohemi me të gjithë faktorët ndërkombëtarë për t’u siguruar se rezoluta jonë do të marrë mbështetje më të gjerë të mundshme. Por, ne kemi vija të caktuara të kuqe përtej të cilave nuk guxojmë të kalojmë. Nuk mund të japim madje as pajtim të tërthortë për përpjekjen e shqiptarëve të Kosovës që njëanshëm të shkëputen nga Serbia. Kjo duhet të jetë në tekstin e rezolutës e qartë si kristali”.

I pyetur nëse kjo mund të paraqes pengesë në rrugën e Serbisë për integrim në BE, Jeremiq është përgjigjur: “Ka pengesa shumë më serioze në rrugën e zgjerimit të BE-së në Ballkan, se që janë dallimet ndërmjet Beogradit edhe një pjese shtetesh anëtare të Unionit rreth Kosovës. Ato nuk mund të mënjanoheshin madje as sikur ne të ndryshonim politikën tonë parimore. Duke pasur parasysh se anëtarësimi në BE mbetet prioritet strategjik i vendit tonë, gjithsesi do të bëjmë çdo përpjekje që është në domenin e të mundshmes që të mos ndodhin komplikime shtesë në marrëdhëniet tona. Por, këtë nuk mund ta bëjmë me çdo çmim.”

Jeremiq ka thënë se vendet e BE-së, të cilat nuk e kanë njohur Kosovën kanë premtuar se politika e tyre ndaj Kosovës nuk do të ndryshojë, ashtu siç kanë premtuar edhe anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit, Rusia dhe Kina. “Për ne kjo përbën një inkurajim që të jemi të paluhatur në përpjekjet tona”.

I pyetur se çfarë dialogu teknik mund të ndodhë mes Prishtinës e Beogradit, shefi i diplomacisë serbe ka thënë “Jemi të gatshëm që përmes dialogut të zgjidhen të gjitha çështjet e hapura. Por, të jemi plotësisht të sinqertë – në rrënjët e problemit me të cilin ballafaqohen qytetarët tanë në territorin e Kosovës ka të bëjë me dallimin thelbësor të Beogradit e Prishtinës rreth statusit të Kosovës”. (koha)
Shtuar më 25/07/2010, ora 12:16
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori