Jep doreheqje Shehri: Rusmali, i korruptuar e mafioz
Pëlqej
Albeu.com
Në një konferencë për shtyp, ku ka komunikuar vendimin për të dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga pozicioni i drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve, Shehri nuk ka ngurruar ta quajë të korruptuar dhe mafioz ish-shefin e tij, ministrin Ilir Rusmajli.Sajmir Shehri ka shpërthyer dje në akuza shumë të ashpra ndaj ministrit të Drejtësisë, Ilir Rusmali. Në një konferencë për shtyp, gjatë së cilës ka komunikuar vendimin për të dhënë dorëheqjen e parevokueshme nga pozicioni i drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve, Shehri nuk ka ngurruar ta quajë të korruptuar dhe mafioz ish-shefin e tij: "Sot po jap dorëheqjen për të demonstruar publikisht se këtë sistem po e gllabëron gradualisht një grup mafiozësh, pa principe e moral, që mendon dhe vepron vetëm për t‘u pasuruar në mënyrë të paligjshme, pasi më parë kanë futur në thes hipotekat, pronat apo ndonjë sektor tjetër". Marrëdhëniet midis kreut të Burgjeve dhe atij të Drejtësisë ishin krejt të ngrira prej dy javësh, kohë kur Rusmali shkarkoi nga detyra krahun e djathtë të Shehrit, Zija Teferiçi.


Takimi me Berishën

Duket se nuk ka shkuar siç e kishte menduar takimi me Kryeministrin Berisha. Shehri është takuar me shefin e ekzekutivit të hënën, menjëherë pas kthimit nga Finlanda. Ai i ka paraqitur shefit të madh akuzat dhe problemet që kishin lindur me ministrin e Drejtësisë, duke shpresuar në mbështetjen e Berishës. Burime të sigurta nga Drejtoria e Burgjeve saktësojnë madje se Shehri ka paraqitur edhe dorëheqjen verbale, në rast të mos ndërhyrjes nga ana e Kryeministrit për të zgjidhur situatën. Por, Berisha duket se nuk ka dashur të përplaset me asnjë. Ai është përpjekur të qetësojë gjakrat dhe i ka këshilluar Shehrit që të mos dorëhiqet e madje të vazhdojë punën pa krijuar konflikte me Rusmalin. Ndoshta ky qëndrim i Kryeministrit e ka vendosur Shehrin përpara dilemës nëse duhet të vazhdonte të përballonte sulmin e Rusmalit, apo të kundërsulmonte.


Beteja e "akuzave"

Nëse deri dje Drejtoria e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë ishin përpjekur ta anashkalonin publikisht sherrin mes tyre, dje Shehri dhe Rusmali hoqën dorezat për të thënë më të zezat e mundshme ndaj njëri-tjetrit. Shehri: "Jap dorëheqjen, pasi nuk mund të bashkëpunoj me një ministër si Ilir Rusmali, i cili nga ministër i Drejtësisë kthehet në ministër të dhunimit të ligjit... që bllokon fondet për mbarëvajtjen e punëve në burgje, sikur këto të ishin prona private e Saimir Shehrit". Rusmali: "Ngjarja që ka ndodhur sot me largimin e drejtorit të përgjithshëm të Burgjeve ju siguroj që nuk ndikon aspak negativisht, përkundrazi besoj se mund edhe të ndihmojë implementimin e shpejtë të procesit të reformave. Sigurisht, unë nuk mund të ndalem në betejën time kundër korrupsionit nga forma të tilla të ulëta të presionit". Shehri: "Nuk mund të bashkëpunoj me një ministër si Ilir Rusmali, vëllai i të cilit vjen dhe kërkon të përfitojë në mënyrë të paligjshme dhe të pamerituar tenderin për ndërtimin e paraburgimit në Durrës, një skandal i vërtetë. Kryetari i Komisionit të Tenderit, z. Zija Teferiçi, i cili guxoi dhe nuk shpalli fitues firmën e preferuar të vëllait të Ilir Rusmalit, u largua në mënyrën më banale dhe antiligjore nga puna prej ministrit, që duhet të bëjë drejtësi". Rusmali: "Një nga shkaqet që zotëria është larguar nga detyra është edhe mosfunksionimi i tij si zyrtar, shfrytëzimi i kurtheve të ulëta ordinere, për t‘i bërë presion eprorit për qëllime të ulëta të errëta të kundërligjshme".

Përgjimi

Shehri publikon regjistrimin e bisedës mes vëllait të ministrit dhe Zija Teferiçit

Mond Rusmali kërkoi tenderin: "Na ikën dy vjet dhe s‘po punojmë dot"

Një bisedë mes vëllait të ministrit Rusmali dhe kryetarit të Komisionit të Tenderit për paraburgimin e Durrësit është publikuar dje nga Shehri. Ai ka deklaruar se gjatë kësaj bisede Edmond Rusmali ka kërkuar që tenderi të fitohej nga një miku i tij. Regjistrimi, i cili zgjat rreth 7 minuta dhe është bërë në zyrën e Teferiçit, për shkak ndoshta të mënyrës së realizimit është i shoqëruar me zhurmë në pjesë të ndryshme të tij.

Rusmali: ...Tani, që të hyj drejt e në temë. Unë erdha për një bisedë... Ju jeni kryetar i Komisionit të Tenderit.

Teferiçi: Për tenderin e Durrësit?

Rusmali: Po për tenderin e Durrësit... Unë do të doja të interesohesha për një mik. Kam pasur një mik që i plotëson të gjitha kushtet, veçse duket se duhet të (nuk dëgjohet mirë).

Teferiçi: Kush është miku?

Rusmali: ...Lika. "Lika" shpk

Teferiçi: Tani, për të qenë i sinqertë fare. Ky është një tender që... Ai po plotësoi të gjitha kriteret. Po qe se...

Rusmali: Më kupto Mondin. Unë nuk dua që ta marri ai. Unë dua, për shembull, që në rast se i plotëson të gjitha kushtet dhe ka bazë ligjore nuk mund të ketë një çikë preference? Këtë dua unë. S‘dua të them unë të hiqet... Është Mondi aty që i plotëson kushtet, t‘i themi Mondit ik ti se do ta marri ky.

Teferiçi: Një gjë të garantoj unë, që hakun s‘ia ha kurrkush. Kjo është natyra ime, jo e sotmja, se kam 20 e ca vite që punoj. Gjithandej ku kam qenë nuk di që të jenë ankuar që unë t‘i kem ngrënë hakun. Edhe këtë radhë të garantoj me siguri që...

Rusmali: Nuk e diskutoj. Problemi është që si kudo edhe në këtë rast vijnë e futen lloj-lloj firmash që janë nga më monstruozet. Mua kjo më shqetëson edhe normalisht s‘po arrijmë të punojmë. Na ikën dy vjet dhe s‘po punojmë dot. Kjo është e gjitha.

Teferiçi: Ça të them unë. Unë jam kryetar i një komisioni të një tenderi. Kam qenë dhe herë të tjera dhe nuk di të kem pasur ndonjë kontestim. Jam i prirur të fitojë ai që i takon.

Rusmali: Në rregull edhe unë atë po them se për tre vjet... (nuk dëgjohet mirë) është goxha eksperiencë, nuk është firmë kështu...

Teferiçi: Unë të të them e fiton a s‘e fiton, nuk e them dot. Është një komision. Të vijë të marri pjesë në tender, hakun nuk ja ha kurrkush.

Rusmali: ...Për një fije preferencë. Në rast se një zgjedhje midis dy të barabartëve... Këtë po them unë. Që ndërmjet dy të barabartëve të ketë preferencë ky. Vetëm kaq dua unë. D.m.th. jemi në kushte të barabarta... Unë s‘mund të them që shiko ky do vijë me duar në xhepa, hajde t‘i japim ... (nuk dëgjohet mirë). Në këtë mënyrë futem edhe unë në fushën e ndërtimit, duke qenë se arsimin, si shkollë të mesme kam teknik ndërtimi. Ky është interesi im.

Teferiçi: Jo unë të kuptoj. Bën mirë që interesohesh.

Gazeta Shqip
Shtuar më 14/11/2007, ora 18:19
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori