Banorët në Astir gati për protesta, thirrje Berishës të marrë fatet e PD-së

IKMT ka zbarkuar këtë të enjte në Unazën e Re, ku ka njoftuar pronarët e objekteve që preken nga projekti, loti i dytë, që të boshatisin shtëpitë dhe dyqanet.

IKMT i ka paralajmëruar ata se ditën e hënë do të rifillojë aksioni i shembjes.

Por pronarët e objekteve thanë se inspektorët nuk u kanë paraqitur asnjë shkresë, vendim apo projekt, që legjitimon aksionin e paralajmëruar për të hënën.

Ka prej tyre që thonë se kanë fituar në shkallën e parë të gjyqësorit kundër shembjes së objektit.

Banorët e Unazës së Re shtojnë se u tradhtuan edhe nga opozita. Sipas tyre, opozita nuk po i mbështet më, madje edhe mbështetjen e kaluar e konsiderojnë më tepër një lojë.

Kjo pasi, pas zhurmës, triumfoi vendimi për prishjen e banesave të tyre.

Shumë prej banorëve i kanë bërë thirrje Sali Berishës që të marrë në dorë fatet e Partisë Demokratike, pasi po persekutohen nga qeveria Rama.

Ilir Katiraj, personi që goditi me çizme kryeministrin Rama, thotë se nuk do të lejojë askënd që t’i afrohet shtëpisë së tij, të cilën ka vendosur ta mbrojë me çdo mjet e mënyrë nga shembja.

Banorët e Astirit, që preken nga projekti i zgjerimit të Unazës së Madhe, kanë paralajmëruar edhe rikthimin e protestave çdo pasdite.


Shtuar 13.02.2020 19:54