"Java e Aventures" nis rrugëtimin në Shqipëri (FOTO-LAJM)

Pëlqej
Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Znj. Eglantina Gjermeni ishte e pranishme në celjen e takimeve të biznesit mes 18 agjencive turistike vendase, të specializuara kryesisht në turizmin e aventurës dhe 15 agjencive turistike ndërkombëtare, që mbërritën në vendin tonë, në kuadër të “Javës së Aventurës në Ballkanin Perëndimor”, aktivitet që organizohet për herë të parë në tre vende të rajonit Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni.

Aktiviteti u zhvillua të premten në Kompleksin Turistik Llogara, ku i pranishëm ishte Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Z. Alexander Arvizu dhe disa media prestigjoze ndërkombëtare të udhëtimit të aventurës, nga Suedia, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadaja, pjesë e turit në Shqipëri, që nisi më 28 Gusht dhe do të përfundojë më 31 Gusht.

Në fjalën e saj, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Znj. Eglantina Gjermeni u urojë mirëseardhjen të pranishmeve dhe vuri theksin tek bukuritë natyrore të Shqipërisë, trashëgimia kulturore dhe historike dhe vecanerisht mikëpritja shqiptare, por edhe tek rëndësia e këtyre takimeve të biznesit për promovimin e turizmit.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Z. Alexandër Arvizu vlerësoi bukuritë natyrore të Shqipërisë dhe tha se turizmi është shumë i rëndësishëm për rritjen ekonomike të vendit.

Më pas, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Znj Eglantina Gjermeni, Ambasadori i Shteteve te Bashkuara në Tiranë, Z. Alexander Arvizu, Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Turizmit, Znj. Julinda Dhame zhvilluan një konferencë për shtyp me përfaqesuesit e mediave të huaja si “Outside Magazine”, “Yahoo Travel” “Adventure Travel Neës”, etj.

Gjatë fjalës për mediat ndërkombëtare dhe vendase, Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit Znj.Gjermeni theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes sektorit publik dhe atij privat për zhvillimin e turizmit, vendosjen e standarteve në fushën e turizmit, zgjatjen e sezonit turistik përgjatë vitit dhe bashkëpunimin me vendet e rajonit, përmes paketave e përbashkëta turistike. Në vëmendjen e Ministrisë së Zhvillimit Urban dhe Turizmit është edhe turizmi aventurës, një produkt i rëndësishëm në promovimin e bukurive natyrore të Shqipërisë.


“Java e Aventurës” në Shqipëri organizohet për herë të parë nga Agjencia Kombëtare e Turizmit në bashkëpunim me Programin Rajonal të USAID-it dhe Shoqatën e Udhëtimit të Aventurës dhe Tregtisë ATTA, një shoqatë e njohur për eksperiencën e gjërë në udhëtimin e aventurës me më shumë se 900 anëtarë në 80 vende të botës. “Java e Aventurës në Ballkanin Perëndimor”, ishte një aktivitet i shtrirë përgjatë 9 ditëve në Kosovë, Shqipëri dhe do të përmbyllet në Maqedoni
Shtuar më 30/08/2014, ora 14:16
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori