Jagland-Berisha: Mbështetje për heqjen e imuniteteve
Kryeministri Berisha prit sot në një takim Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Evropës, Thobjorn Jagland, i cili ndodhet në Shqipëri, me rastin e marrjes nga ana e Shqipërisë së Presidencës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës.


Kryeministri Berisha e vlerësoi marrjen e presidencës së radhës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga ana e Shqipërisë, si një moment historik për Shqipërinë e shqiptarët, por edhe si një moment i një simbolike të veçantë për Këshillin e Evropës, i cili dëshmon ndryshimin rrënjësor që Shqipëria dhe demokracia e saj e re, por funksionale ka arritur gjatë kësaj periudhe.


Nga ana e tij, Jagland i uroi kryeministrit Berisha sukses të plotë në kryesimin e radhës së Komitetit të Ministrave të KE, duke i shprehur kryeministrit Berisha vlerësimin dhe përgëzimet për punën e rëndësishme të bërë nga qeveria shqiptare, si për periudhën parapërgatitore për marrjen e kryesisë, ashtu edhe për përpilimin e një axhende prioritetesh e cila përputhet plotësisht me misionin dhe prioritet e kësaj organizate jashtëzakonisht të rëndësishme mbarë evropiane.

Jagland shprehu mbështetjen e plote për përpjekjet e qeverisë shqiptare për heqjen e imuniteteve të zyrtareve në vend. Në takim u konfirmua vullneti i palëkundur i të dy palëve për të thelluar dhe zgjeruar edhe më tej këtë bashkëpunim të ngushtë e të suksesshëm të ndërtuar gjatë kësaj periudhe.


Ndër prioritetet e kryesisë shqiptare të radhës së KE për 6 mujorin në vijim një vend të veçantë zënë të rinjtë dhe roli i tyre i rëndësishëm në proceset demokratike dhe zhvillimore ashtu edhe integruese, fuqizimi i mëtejshëm i dialogut me rajonet fqinjë, në veçanti me vendet e të ashtëquajturës pranvera arabe, duke ndarë me to përvojat dhe modelet e suksesshme të Këshillit të Evropës dhe vendeve anëtare të tij, në shërbim të promovimit të mëtejshëm të demokracisë, të drejtave të individit dhe përpjekjeve të këtyre vendeve për zhvillim të mëtejshëm. Në këtë kontekst Shqipëria mund të ofrojë një shembull domethënës, si një vend multireligjioz me një tolerancë të shkëlqyer ndërfetare, por edhe traditat e një shteti laik, ku raportet ndërkombëtare e kanë vlerësuar në vijimësi për nivelin e lartë të respektit ndaj të drejtave të minoriteteve e bashkëjetesës në harmoni. /albeu.com/
Shtuar më 24/05/2012, ora 16:10

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori