Ja zonat e bllokuara nga bora ne Shqiperi
Albeu.com
Ministria e Brendshme ka publikuar të dhënat për zonat e bllokura dhe gjendjen e rrugëve në disa zona të vendit si pasojë e reshjeve të dëborës. Sipas ministrisë, pjesa më e madhe e rrugëve janë të kalueshme, por në disa komuna në veri situata paraqitet e vështirë.
Sipas ministrisë, në Shkodër të gjitha rrugët për në fshatrat e përmbytura në muajin janar, janë të kalueshme nga të gjitha mjetet. Ka ende 1600 ha tokë në prezencë uji, 42 shtëpi të rrethuara nga uji dhe 3 shtëpi në prezencë uji.
Në Malësinë e Madhe vështirësia në qarkullim paraqitet vetëm në rrugën për në Komunën e Kelmendit, ku nevojitet përdorimi i zinxhirëve. Ndërkohë është e bllokuar edhe rruga Bogë -Theth, dhe për këtë shkak, qarkullimi për në komunat e zonës së Dukagjinit, Shalë, Pult, Shosh kryhet nga rruga e Shoshit që lidhet me Shkodrën.
Në rrethin e Pukës ka patur reshje të dobëta dëbore, të shoqëruara me temperatura të ulta. Rrugët janë të gjitha të kalueshme dhe në disa segmente kalohen me vështirësi, kurse përdorimi i zinxhirëve është i detyrueshëm, si në rrugën Qafë Mali-Qafë Shllak-Kukës-Morinë dhe në rrugën Qafë Mali-Fierzë. Në rrethin e Pukës vazhdon të mbetet e bllokuar vetëm rruga për në Komunën Iballë.
Në qarkun e Lezhës situata paraqitet normale.
Rrugët nacionale dhe rurale në shkalle qarku janë të kalueshme plotësisht dhe nuk ka patur probleme në qarkullim.
Ministria e Brendshme bën me dije se në në qarkun e Kukësit në të gjithë rrjetin rrugor qarkullimi i automjeteve nuk ka patur probleme, me përjashtim të rrugës nacionale Qafë Mali -Morinë që në segmente të veçanta ka patur bllokime të përkohshme për shkak të rrëshqitjeve të inerteve dhe reshjeve të dëborës. Rruga për në Shishtavec u hap nga inertet, por qarkullohet me vështirësi edhe për shkak të reshjeve të dëborës. Në qarkun e Kukësit janë të bllokuara rrugët për në komunat Arrën, Grykë Çajë dhe Zapod.

Në qarkun e Dibrës, temperaturat janë relativisht të ulta deri në -20 C. Në të gjithë segmentet rrugore nuk ka ngrica. Aktualisht vazhdojnë të jenë të bllokuara komunat Lurë dhe Kala e Dodës në rrethin e Dibrës dhe komuna Trebisht, si dhe disa fshatra të komunës Martanesh, në rrethin e Bulqizës.
Rrugët nacionale janë të kalueshme në shkallë qarku, por në disa segmente gjithmonë problematike, si në Qafë Buall dhe në hyrje të qytetit të Bulqizës qarkullohet me zinxhirë.
Ndërsa, në Korçë, sipas ministrisë, situata paraqitet normale. Në disa segmente të aksit Korçë- Librazhd, kryesisht në Qukës, Qafë Thanë dhe Korçë-Kolonjë, në Qafë Qarri ka patur vështirësi në kalimin e mjeteve për shkak se reshjet e dëborës kanë qenë të mëdha. Në akset e tjera rrugore nuk ka probleme.
Shtuar më 02/02/2010, ora 20:54
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori