Ja si i qëlloi me armë kolegët e Policisë efektivi i FNSH-së në Fier
Punonjësi i Forcave Speciale të Ndërhyrjes së Shpejtë i nxjerr armën policëve të Rendit. Një konflikt i nisur për shkak të gjendjes së dehur të efektivit të FNSH¬së së Fierit çoi në përplasjen me armë me uniformat blu të të njëjtit qytet.

Burimet zyrtare të Policisë së Fierit thanë per “Panorama” se, u arrestua në flagrancë Maliq Shehaj, 42 vjeç, i cili në gjendje të dehur shkrehu armën ndaj kolegëve të tij. “Maliq Shehaj, punonjës policie në Komisariatin e FNSH¬së Fier ishte në gjendje të dehur me 0.49 Mg/l.

Ai u prangos në kushtet e flagrancës, për veprën penale të “vrasjes së mbetur në tentativë”, thuhet në njoftimin zyrtar. Mësohet se arrestimi i Shehajt u bë pasi, rreth orës 17:45, te rrethrrotullimi i parkut Fier, ai është përleshur me dy persona për motive të dobëta.

Fillimisht, pasi u dëgjua e shtëna, u dyshua se efektivi i FNSH¬së kishte qëlluar drejt qytetarit, por më vonë u konfirmua se ai e kishte nxjerrë armën kundër uniformave blu.

“Për të shmangur konfliktin dhe pasojat që mund të vinin prej tij, në ato momente kanë ndërhyrë tre punonjës policie të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier. Njëri prej tyre mësohet se ishte me uniformë”, bëjnë të ditur burimet zyrtare të Policisë.
Sipas të njëjtave burime deklarohet se, punonjësit e policisë janë prezantuar dhe kanë kryer detyrën për ta neutralizuar Shehajn.

“Por gjatë ndërhyrjes ky shtetas ka nxjerrë një armë tip pistoletë dhe pasi e ka mbushur e ka drejtuar atë ndaj punonjësve të policisë. Në këtë kohë ka bërë dhe shkrepjen e armës por pa shkaktuar dëme, pasi të tre punonjësit e policisë, gjatë ndërhyrjes, e kanë devijuar drejtimin e qitjes”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë Fier për veprime të mëtejshme, ndërkohë që nga ana e Policisë dosja është plotësuar ndaj Maliq Shehajt me akuzën e “vrasjes së mbetur në tentativë”. Ndërkohë, nuk është konfirmuar nëse arma me të cilën qëlloi Shehaj është e punës apo pa lejen e autoriteteve./Albeu.com/
Shtuar më 03/09/2016, ora 18:57

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori