Ja shkaku i vrasjes me thikë të 55-vjeçarit në Tiranë
Mësohet se shkak për sherrin e djeshëm që përfundoi fatal për jetën e një 55-vjeccari, ishte zhurmat dhe problemi me tualetin e banesës që pikonte mbi ambientet e lokalit. Viktimë e këtij sherri banal ishte shtetasi Luan Koprencka.

55-vjeçari që u godit për vdekje me thikë mëngjesin e djeshëm në zonën e Kombinatit në Tiranë, mbeti i vrarë nga pronarët e lokalit që ndodhet në të njëjtin pallat, një kat më poshtë shtëpisë së viktimës, shkruan Panorama.

Ngjarja ndodhi rreth orës 10:20, kur viktima, Luan Koprencka, sapo kishte dalë nga shtëpia dhe po kalonte pranë lokalit që ndodhet afër shkollës “Musine Kokalari”, në rrugën “Llambi Bonata”.

Burime nga Policia e Tiranës thanë se Koprencka është përleshur me dy persona, Alban Hykën dhe kunatin e këtij të fundit, Vladimir Ismailin. Sherri mes tyre ka nisur për shkak se nga tualeti i apartamentit të viktimës rridhte ujë në tavanin e lokalit që ishte në katin e parë.

Ky ka qenë një konflikt i përhershëm mes viktimës dhe autorëve të dyshuar, që dje ka përshkallëzuar deri në përleshje me gurë e thika. Fillimisht mes 55-vjeçarit dhe dy të dyshuarve ka pasur një debat me tone të larta e më pas janë përleshur edhe fizikisht.

Në një moment, shtetasi Alban Hyka ka nxjerrë një thikë, duke e kërcënuar viktimën. Ndërsa vetë 55-vjeçari, për t’u mbrojtur ka marrë një tullë në tokë duke tentuar t’i godasë dy të dyshuarit.

Në përleshja e sipër, i ndihmuar edhe nga kunati i tij, Hyka ka goditur me thikë Luan Koprenckën. Burimet thanë se ai është dërguar me urgjencë në spitalin e traumës, ku edhe ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur.

Një goditje e vetme me thikë i ka marrë jetën, pasi plaga ka qenë në gjoks, duke i prekur edhe zemrën. Autorët janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes, njëri prej të cilëve u arrestua pasditen e djeshme. /albeu.com/
Shtuar më 31/05/2016, ora 08:35

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori