Ja përse u prishën Rama dhe Koço
Heqja e mandatit të deputetit të Koço Kokëdhimës kaloi pa shumë bujë në terrenin politik të vendit, nisur edhe nga fakti se ai nuk synoi të këmbëngulte në ruajtjen e pozitave të veta në PS apo Kuvend. Pati shume prej tyre që konfirmuan një ftohje të tij me Ramën dhe afrim me Metën, i cili për hir të së vërtetës nuk ka ndohur rishtaz por vijon që prej periudhës kur edhe vetë socialistët e quanin Metën “hajdut”, por nuk pati asnjë deklaratë nga vetë deputeti. Duket se tani erdhi momenti që Kokëdhima të flasë dhe e ka bërë këtë nëpërmjet një editoriali në gazetën “Shekulli”.

Kokëdhima ka qenë një mediator i hershëm mes Ramës dhe Ilir Metës, rol i cili i theksohet në këtë editorial duke shpjeguar se ishte një këmbëngulje e tij për të bashkuar të majtën në mënyrë që Berisha të mos vinte në pushtet.

Në editorial shpjegohet gjithashtu se Kokëdhima nuk bëri asnjë lloj përçapjeje për të ndikuar tek Gjykata Kushtetuese qoftë nëpërmjet Metës ose Ramës apo edhe duke paguar siç thuhet se i kishin sugjeruar duke sjelle kështu edhe heqjen e mandatit të deputetit. Është një ngjarje që nga gazeta e tij konsiderohet si një “prerje në besë” nga e majta, të cilës ai i shërbeu mjaft. “Koço Kokëdhima nuk i duhej më kësaj të majte. Kjo ishte besëprerja që ligështoi aq shumë deputetin e Vlorës, në një moment kur ai sapo ishte zgjedhur nga Asambleja Kombëtare e PS-së sekretar për Reformën Strukturore dhe Emigracionin dhe si deputeti që kishte lënë pas dy fushata të shkëlqyera, një parti të rinovuar në rajonin Vlorë-Gjirokastër, por, për fat të keq, edhe shumë armiq në PS”, - shpjegohet në editorial.

Më tej, i jepet përgjigje edhe pyetjes së përse u prish Rama me Koçon dhe a ishte rritja e peshës së këtij të fundit në parti shkaku që ai zgjodhi Gramoz Ruçin në vend të super deputetit të jugut.

Kokëdhima nuk donte ta konsideronte se reforma e tij për të zhbërë strukturat e atrofizuara në bazën e partisë, kishte pengesa brenda vetë saj, nga qendra në bazë. I mësuar me kontaktet me elektoratin, hallet e tyre jo vetëm gjatë fushatave të vitit 2013 dhe 2015, por edhe në takimet e përditshme, njoftimet që i vinin nga zyrat e ngritura në rajonin e Vlorë-Gjirokastrës, ai e kishte të qartë atë që po bënte: një parti të hapur për të rinjtë, për profesionistët, për të mënjanuarit dhe të përçmuarit e të majtës, duke ia hequr rolin e qehajait një grushti njerëzish, prej të cilit partia ishte kthyer në një parti familjare, që trashëgohej dhe mbyllej brenda një trungu.

Por “projekti pilot”, siç do ta cilësonte Gramoz Ruçi në Kongresin e PS-së, po shembte themelet e një ngrehine politike, prej të cilës njerëzit vetëm sa ishin larguar, sepse nuk e gjenin veten dhe nuk i pranonte njeri brenda.

A ishte ky një projekt që cenonte pozitat e Edi Ramës në PS? Përkundrazi. Me një anëtarësi të trefishuar vetëm në rajonin Vlorë-Gjirokastër, fitore bindëse kryetarësh bashkish në zgjedhjet e vitit 2015 në të pesë bashkitë problematike në zonën ku drejtonte Kokëdhima, e majta ishte në kulmin e saj. Kokëdhima kishte ngritur në këmbë mijëra veprimtarë politikë duke punuar ditë-natë me njerëzit, me zgjedhësit, për të zgjidhur hallet dhe problemet e tyre, duke shëndoshur strukturat e atrofizuara të PS-së në bazë dhe duke zgjeruar anëtarësinë e saj. Ky projekt e ka bërë Kokëdhimën një politikan që edhe dy muaj pas heqjes së mandatit, ka po të njëjtën lidhje, në mos më shumë, me elektoratin e majtë, jo vetëm në rajonin Vlorë-Gjirokastër, por edhe në mbarë Shqipërinë.
/Albeu.com/

Shtuar më 26/07/2016, ora 18:04

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori