Ja linja e kokainës, gjermanët gjurmuan bashkëjetuesen e Ilir Hysenit
Monitorimi nga autoritetet gjermane të bashkëjetueses së Ilir Hysenit arriti të zbulojë një nga bandat më të mëdha të trafikut të kokainës në Shqipëri, ku 9 persona kanë rënë në pranga deri më tani, e më i bujshmi, arrestimi i Ermal Hoxhës, nipit të ish-diktatorit komunist Enver Hoxha.

Sipas hetimeve, roli i gruas të identifikuar si Pranvera E. ishte të transportonte drogën nga laboratori i kokainës që u zbulua më 14 janar të këtij viti në fshatin Xibrakë të Elbasanit, drejt Gjermanisë. Pikërisht mbi këto dyshime, autoritetet gjermane kishin vënë në survejim Pranverën e cila bashkëjetonte në Gjermani me Ilir Hysenin i divorcuar prej 10 vitesh, shqiptarin e arrestuar në Tiranë të dyshuar si kreu i grupit të kokainës.

Autoritetet gjermane kanë pasur dyshimet e tyre mbi rolin e gruas, por ajo mbi të cilat hetimet do të fokusoheshin më tej ishte zbulimi i origjinës së kokainës dhe rrjetit të trafikut.

Pranvera është marrë në survejim më datë 14 dhjetor, dhe pikërisht më 17 Dhjetor, ditë kur ajo mbërriti nga Gjermania në rrugë tokësore drejt Italisë, autoritetet gjermane kërkuan autorizimin e prokurorisë shqiptare për të vijuar survejimin e saj, pasi bashkëjetuesja e Ilir Hysenit duke lënë portin italian po merrte tragetin për të hyrë në territorin shqiptar.

Kërkesa urgjente i është dërguar Prokurorit të Krimeve të Rënda Eugen Becit dhe Haki Cakos, zv.drejtor i përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Hetimet ndaj saj zbuluan se Pranvera E. komunikonte vazhdimisht me Ilir Hysenin dhe se kishte udhëtuar drejt laboratorit të kokainës në Xibrakë. Më tej do të ishin autoritetet shqiptare të cilat mbi këto informacione nisën survejimin e mëtejshëm, që çoi në arrestimin e 9 pjesëtarëve të dyshuar të këtij grupi kriminal.

Grupi i kokainës kishte krijuar lidhje me kartelet e drogës në Kolumbi prej nga dyshohet se vinte lënda narkotike, e që përmes përpunimit në laboratorin e kokainës në Shqipëri, trafikohej në vendet e Evropës Perëndimore, kryesisht në Gjermani, raporton "A1 Report". /albeu.com/
Shtuar më 18/01/2015, ora 11:38
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori