Ja ligji i SHISH
Albeu.com
Ligji për Shërbimin Informativ Shtetëror, aq i kritikuar nga ndërkombëtarët, sot pritet të miratohet në seancë plenare. Nuk bëhet fjalë për ligjin e ndryshuar në variantin e dytë në 5 nenet e tij, por varianti fillestar, ku ...... edhe kryeministri, kishte kontroll të plotë mbi shërbimin informativ.

Sipas burimeve brenda Partisë Demokratike, dje në orët e vona të natës, konfirmohet një bisedë telefonike e kryeministrit Sali Berisha, me kreun e Komisionit Parlamentar të Sigurisë Leonard Demi. Sipas burimeve, “Berisha i ka kërkuar Demit, të mbrojë ligjin për SHISH në seancën e nesërme (sotme)”, duke e lënë të pafjalë Leonard Demin, kryetari i cili ka pasur gjatë gjithë këtyre kohëve biseda me diplomatë për këtë çështje.
Por nga ana tjetër, ndërsa PD po përgatitet të votojë ligjin në parlament, gjithçka po vihet në provë nga ana e PS dhe LSI dhe mënyra sesi këto forca do të votojnë në kuvend.

Skenari 1
PS deklaroi gjithë paraditen e djeshme pas mbledhjes së grupit parlamentar se nuk do të votonte të 16 ligjet e mbetura në seancë plenare. Pas mbledhjes së grupit parlamentar deklarata e vetme e deputetëve socialistë ishte se “PS do t’i bëjë sërish thirrje maxhorancës të tërheqë ligjin për SHISH dhe të bëjë amendimet siç i ka sugjeruar NATO”.
Menjëherë pas kësaj, por edhe më parë, vota e deputetëve të LSI në kuvend, duke përfshirë edhe zv.kryeministrin Ilir Meta është deklaruar kundër. Megjithatë, nëse PS bojkoton sallën e Kuvendit, PD edhe me votën kundër të LSI mund ta miratojë shumë thjesht këtë ligj.

Skenari 2
I mbajtur shumë i rezervuar nga socialistët deri afër mesnatës së djeshme, për të mos pasur asnjë rrjedhje informacioni, për deputetët e PD dhe të LSI. Në mbledhjen me dyer të mbyllura të grupit parlamentar, deputetët kanë diskutuar për të qenë prezent në seancën kur do të miratohen ndryshimet.
“Për shkak të impaktit të madh që kanë këto ndryshime ligjore të ligjit të SHISH dhe prekjes së sigurisë kombëtare, dhe për të vënë në provë edhe votën e Ilir Metës, grupi parlamentar i Partisë Socialiste, me të gjithë deputetët e vet, do të jetë në seancën parlamentare, për të votuar kundër ndryshimeve në ligjin e SHISH” thanë dje afër mesnatës deputetë socialistë. (gsh/albeu)
Shtuar më 22/07/2010, ora 13:01
Tage: arkiv
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori