Ja katër ministrat që janë vënë në shënjestër...Rama drejt kabinetit "teknik"
Anëtarët e qeverisë së kryeministrit Rama prej kohësh kanë marrë detyrën partiake si të deleguar politikë të Partisë Socialiste në qarqet e vendit.

Me afrimin e zgjedhjeve dhe rritjen e tensionit politik me protestën e opozitës, por edhe me fërkimet brenda mazhorancës, ministrat shfaqen gjithmonë e më shpesh në zonat e tyre.

Kryeministri është në Vlorë, ku është edhe ministri i Energjitikës, Gjiknuri; zëvendësi i tij, Peleshi, në Korçë; ndërsa Saimir Tahiri është prej kohësh ai që kujdeset për Partinë Socialiste në kryeqytet.

Arben Ahmetaj po ashtu është në Tiranë dhe edhe ai ka nisur takimet në zonat e këtij qarku. Ministri i Shëndetësisë, Beqja është në Kukës; ministrja e Mbrojtjes, Kodheli në Dibër; Lindita Nikolla në Lezhë; Blendi Klosi në Berat; ndërsa Ditmir Bushati në Shkodër.

Të tetë këta ministra kanë një profil shumë më politik sesa Çuçi, Harito, Ekonomi, Kumbaro dhe Gjermeni, çka i bën ata automatikisht më të rrezikuar nga ndryshimet e paralajmëruara për të hënën.

Por ndërkohë, 4 prej tyre kanë edhe një tjetër specifikë. Ministrat më politikë dhe të sulmuar nga opozita, por edhe të kontestuar nga zjarri i kryqëzuar brenda mazhorancës, janë Tahiri, Beqja, Gjiknuri dhe Bushati.

Ndërsa thuhet se më të rrezikuarit për t’u ndryshuar ditën e hënë janë ministrat e kategorisë së parë, dy janë pikëpyetjet kryesore.

E para: Një kabinet pa Tahirin, Bushatin, Kodhelin, Gjiknurin, Beqjan dhe Nikollën do ishte një kabinet më shumë politik, apo më shumë teknik?

E dyta: Një kabinet pa Tahirin, Beqjan, Bushatin dhe Gjiknurin do ta bënte këtë një kabinet të pranueshëm politikisht më shumë për opozitën, apo për Ilir Metën? /TCH/

Shtuar më 11/03/2017, ora 21:22

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori