Ja emrat e ministrave të rinj!
UPDATE - Përmes rrjetit Facebook, kryeministri Sali Berisha ka konfirmuar emrat e propozuar nga ana e tij për të zëvendësuar ministrat e LSI-së.

“Sonte unë i propozova Presidentit të Republikës 4 personalitete, njerëz të shkëlqyer, profesionistë të nivelit të lartë në fushën e tyre dhe gjerësisht të respektuar nga opinioni publik.

Prof. dr. Myqerem Tafaj, ideatori i programit dhe i reformave të mëdha dhe të suksesshme të arsimit dha shkencës tek ne, dhe njërin nga bashkëpunëtorët e mij më të aftë dhe një personalitet i shquar i botës akademike brenda dhe jashtë vendit për Zëvendës kryeministër dhe Ministër i Arsimit dhe Shkencës.

Dr. Halim Kosova është një mjek i shkëlqyer me karrierë mbi 30 vjeçare, i pakorruptuar dhe menaxher novator me suksese të vlerësuara ndërkombëtarisht në mirë-menaxhimin e Spitalit Obstetrik-Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë” të Tiranës. Vështirë të ketë një zgjedhje më të mirë për përmirësimin e cilësisë së shërbimit mjekësor në vend. I paangazhuar më parë në politikë, përkushtimi i tij është mirënjohur nga të gjithë pacientët e tij.

Poeti dhe shkrimtari Visar Zhiti është miku i afërt i artistëve, autor i shumë librave, disa prej të cilave janë vlerësuar dhe me çmime ndërkombëtare. Përfaqësues i elitës kulturore të persekutuar të kombit nga regjimi komunist. Ish i burgosur i fjalës së lirë, i dënuar me 13 vite burg, ka ndjeshmërinë, vëmendjen dhe përkushtimin për trashëgiminë kulturore dhe për të përgatitur sezonin e ri turistik.

Ekonomisti Florian Mima është ideatori i shumë reformave për lehtësimin e taksave për qytetarët dhe biznesin. Me një eksperincë të pasur edhe ndërkombëtare në reformat ekonomike dhe fiskale. Qytetar shembullor i Tiranës me kontribut familjar në historinë e kryeqytetit.
Bashkëpunëtor i çmuar si zv.ministër dhe deputet. Ai është një punëtor i palodhur dhe me vullnet të palëkundur për zbatimin e programit të PD për hapjen e vendeve të reja të punës dhe paga me të mira.

Kam bindjen se të tre këta personalitete do punojnë me përkushtim për nevojat e qytetarëve. Sb”, ka shkruar kryeministri në “Facebook”.


19:39 - Janë bërë të ditur pak çaste më parë emrat e ministrave të cilët do të zëvendësojnë ministrat e larguar të LSI-së.

Sipas kësaj, Aldo Bumçi nga ministër i MKTRS-së propozohet si ministër i Punëve të Jashtme duke zëvendësuar Edmond Panaritin.

Doktori i njohur, Halim Kosova emërohet Ministër i Shëndetësisë, duke zëvendësuar Vangjel Tavon.

Florjan Mima popozohet në postin e ministrit të Ekonomisë në vend të Edmond Haxhinastos ndërkohë Visar Zhiti do të zëvendësojë Aldo Bumçin në Ministrinë e Kulturës, Turizmit, Rinisë dhe Sportit. Fillimisht, Visar Zhiti është në dilemë nëse duhej apo jo të pranonte këtë post, por më vonë ai e ka pranuar atë.

Akoma nuk i bëhet i ditur emri i zv.kryeministrit.

Propozimet pritet pas pak t'i dorëzohen Presidentit të vendit Bujar Nishani për t'u dekretuar ndërsa nesër pritet edhe aprovimi i tyre në parlament. /albeu.com/
Shtuar më 03/04/2013, ora 21:59

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori