Ja deputetët që rreshtohen kundër legalizimit të martesave gay
Kushtetuta pritet të ndryshojë në disa nene, për të bërë të mundur Reformën në Drejtësi, e bashkë me të po bëhet edhe një ndryshim që ka ndezur debatin mes deputetëve dhe shoqërisë civile.

Bëhet fjalë për nenin Neni 18, paragrafi 2, ndryshohet duke shtuar si arsye për të mos u diskriminuar edhe “orientimin seksual”.

“2. Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare a filozofike, identiteti gjinor, orientimi seksual, gjendja ekonomike, pasurore, arsimore, origjina shoqërore, lindja, aftësia e kufizuar, përkatësia shoqërore ose prindërore”-thuhet në riformulimin e këtij neni sipas draftit të miratuar në komisionin parlamentar për Reformën në Drejtësi.

Kjo shtesë i jep të drejtë komunitetit LGBT të kërkojë ndryshim në Kodin e Familjes e më tej liberalizimin e martesave mes këtij komuniteti. Teksa votimi i paketës kushtetuese për drejtësinë, përfshi edhe këtë nen kundër diskriminimit është e afërt, deputetët janë reshtuar kundër votimit të këtij neni. Ata e kanë shprehur kundërshtinë dhe argumentet e tyre përmes prononcimeve për “Shqiptarja.com”.

Mesila Doda: “Po luhet me zjarrin, sepse për hir të lobimit gay po rrezikohet ajo që është më e rëndësishmja për vendin, Reforma në Drejtësi”.

Genc Ruli: “Nuk besoj se po i largohem shumë të vërtetës, por nga zyrtarë e diplomat të huaj, Shqipëria ka një presion të vazhdueshëm për njohje ligjore të martesave gej… Sot janë ende pak vendet europiane e perëndimore që i njohin ligjërisht martesat gej. Shqiptarët do të kenë të drejtën e tyre të vendosin vetë për një çështje të tillë, pa u sforcuar të shtiren më shumë liberal se janë sot”.

Albina Deda: “Këto shqetësime lindin me ndryshimet kushtetuese ku ndryshon “Askush nuk mund të diskriminohet padrejtësisht për shkaqe të tilla, si gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, identiteti gjinor, orientimi seksual…” me këtë ndryshim lejohen martesat gay. Jam kundër martesave gay sepse në thelb kjo do të thotë të shkatërrosh në themel shoqërinë njerëzore, baza e së cilës është familja, martesa burrë-grua dhe vlerat universal arrijnë në një ekstrem me adoptimin e fëmijëve nga çifte “gay”. Unë jam dhe do të jem në mbrojtje të vlerave të familjes”.

Dashamir Shehi: “Unë jam kundër këtij neni dhe nuk kam ndërmend ta votoj”.

Namik Dokle: “Unë nuk do ta thyeja disiplinën partiake. Nëse është vendim grupi, do ta votoj. Por, personalisht, jam absolutisht kundër kësaj qasjeje”.

Fatmir Toçi: “Paraprakisht mund ta quaja të tolerueshme bashkëjetesën e individëve të së njejtës gjini, por e shoh të parakohshme dhe të vështirë adoptimin e fëmijëve si pjesë e këtyre familjeve”.

Luçiano Boçi: “Martesat nuk kanë lidhje me Reformën në Drejtësi. Prandaj, nuk janë për t’u votuar".

Vangjel Tavo: “Nuk besoj se është kjo çështja më e rëndësishme që duhet të shqetësojë sot politikën dhe shoqërinë shqiptare”.

Mimoza Hajdarmataj: “Kur dashuron dikë nuk ke nevojë ta kërkosh me trumbeta, mbështetjen e shoqërisë apo qeverisë dhe parlamentit. Unë nuk do ta votoj”.

Anduel Xhindi: “Në fakt unë nuk e kam parë akoma draftin, por nëse merret vendim, do ta votoj”.

Mirela Ferracaku: “Nuk jam gati ta votoj një ndryshim të tillë”.

Ylli Shehu: “Jo, unë nuk jam gati ta votoj një ndryshim të tillë që i hap rrugë legalizimeve të martesave të tilla”.

Dashamir Tahiri: “Unë do të votoj atë reform që nuk kap drejtësinë dhe jo ketë reformë që Rama kërkon të bëjë nën kontrollin e tij si në kohën e Enverit. Detajet e tjera janë anësore”. /albeu.com/
Shtuar më 17/06/2016, ora 09:47
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori