Ja çfarë ndryshimi bëri Rama në statutin e ri
Sipas ndryshimit më të fundit të bërë në statutin e ri të Partisë Socialiste, i miratuar në kongresin e të shtunës, kryetari i Partisë Socialiste do të japë dorëheqjen vetëm kur partia humbet vendin e parë në zgjedhjet e përgjithshme.

Ndrëkaq, kujtojmë se në statutin e vjetër, por dhe në draftin që iu paraqit Asamblesë Kombëtare 10 ditë më parë, ky moment nuk kishte ndryshuar. Kryetari i partisë jepte dorëheqjen kur partia humbiste zgjedhjet e përgjithshme.

"Mandati i kryetarit është katër vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur: a. Jep dorëheqjen; b. Partia humbet vendin e parë në zgjedhjet e përgjithshme; c. Humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e 1/3-s së anëtarëve të partisë", thuhet në statutin e ri të Partisë Socialiste. Nëse do hyjmë në historinë e zgjedhjeve parlamentare në Shqipëri, vërejmë se Partia Socialiste, me përjashtim të vitit 1996, ka dalë forcë e parë fituese përballë Partisë Demokratike, ndërsa kanë qenë votat e koalicionit ato që kanë përcaktuar drejtimin që ka marrë pushteti.

Në këtë mënyrë, në vijim edhe të zhvillimeve të reja organizative, siç janë shtimi i anëtarësisë së saj me synimin e 150 mijë anëtarëve, Partia Socialiste pritet të mbajë trendin fitues të saj përballë Partisë Demokratike, edhe nëse koalicioni i saj mund të rezultojë humbës përballë koalicionit kundërshtar.

Statuti i ri i miratuar në kongresin e 19 marsit ka përcaktuar dhe rastin kur kryetarit të partisë i përfundon mandati dhe ai është Kryeministër pasi ka fituar zgjedhjet parlamentare.

"Kur partia është në qeveri dhe kryetari i saj zgjidhet Kryeministër, zgjedhjet për kryetarin e partisë do të zhvillohen vetëm nëse kërkohen nga të paktën 10% e delegatëve dhe kërkesa merr mbështetjen e shumicës së delegatëve të kongresit në votimin që zhvillohet në kongresin vjetor të partisë", thuhet në pikën 6 të nenit 40 të statutit të ri.

Pritej që miratimi i kësaj pike të statutit do t’i jepte fund debatit në PS për vlefshmërinë e mandatit të kryetarit të partisë, por kreu i kësaj partie kërkoi referendum të anëtarësisë për të konfirmuar ose jo mandatin e tij. /albeu.com/
Shtuar më 22/03/2016, ora 08:26

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori