Ja çfarë do të bëhet me studentët e shkollave të mbyllura
Pëlqej
Ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla në një intervistë për Top Channel është shprehur për propozimin për mbylljen dhe pezullimin e 70 përqind të institucioneve të arsimit të lartë në Shqipëri.

Ilir Paço: Përpara se të flasim për aktivitetin ku u paraqiten rezultatet e kontrollit ligjor, po ju pyes për shqetësimin që e opozitës e cila ju akuzon se nuk keni bërë asgjë për arsimin e lartë, madje keni ulur numrin e studentëve me 12 mijë...

Lindita Nikolla: Opozita vijon në rrugën e të pavërtetave. Ne jemi të vendosur për reforma në gjithë arsimin dhe atë të lartin. Mbyllëm një 300 ditësh që rezultoi i suksesshëm në realizimin e të gjitha objektivave. Publiku e ka parë dhe e ka prekur gjithcka që jemi angazhuar dhe rrugën e mbajtjes së këtyre angazhimeve. Sot përmbyllëm një proces që është mbajtur për herë të parë në institucionet e arsimit të lartë në kushtet e një transparence në verifikimin e ligjshmërisë së tyre.

Ilir Paço: Zonja Nikolli, mund të na thoni konkretisht se cilat janë shkeljet që keni konstatuar nga kontrolli dhe përse këto shkelje kanë çuar në vendimin për mbyllje universitetesh?

Lindita Nikolla: Janë shkelur një sërë kriteresh të përcaktuara në ligjin aktual të arsimit të lartë dhe disa vendime të Këshillit të Ministrave që i kemi gjetur dhe që lidhen me arsimin e lartë, që kanë të bëjnë me kushtet e licensimit dhe kriteret që duhet të plotësojë një institucionet, me stafin, programin, kushtet pedagogjike, standardet e vlerësimti të studentëve, kushtet që duhet të plotësojë një student për t’u pranuar. Gjetjet janë nga më të cuditëshmet. Shumica e këtyre institucioneve nuk plotësojnë kushtet për stafin dhe departamentet e titujt akademikë. Shkelje të institucioneve ku mungojnë të dhënat në 3 vite për studentët, janë djegur regjistrat, janë zhdukur. Në ato raste edhe kur është gjetur një dokumentacion duken gjurmët e falsifikimit. Stafe akademike që nuk kanë kredencialet, profesionalizmin e duhur për të vijuar detyrën. Janë një set kriteresh bazë mbi të cilat ngrihen themelet. E cilësoj kontrolli i ligjshmërisë do të pasohet më vonë nga një kontroll i cilësisë nga një agjenci ndërkombëtare. Kriteret e ligjshmërisë pastaj kjo tjetra.

Ilir Paço: Zonja Nikolli, llogariten rreth 26 mijë studentë në universitetet dhe fakultetet e mbyllura, si shtetërore dhe private. Ku do të shkojne këta të rinj? Ku do të studiojnë? Qeveria parashikon që ata të transferohen, por kush do ta mbajë barrën më të rëndë të studentëve nga universitetet që mbeten?

Lindita Nikolla: 26 mijë nuk është numri i studentëve që riskojnë nga kjo ndërhyrje. Në filialet që mbyllen në arsimin e lartë publik, institucionet, ne kemi komunikuar dhe nuk ka asnjë problem për vijueshmërinë e studimeve në vit të 2-3 e më radhë. Ne kemi bllokuar regjistrimet për vitin e parë. Në 18 institucionet e arsimit të lartë privat, sigurisht numri i studentëve përkon me studentët që sapo kanë mbaruar vitin e parë dhe ky është më i vogël, 6 mijë studentë. Ne kemi përgatitur një plan pune. Universiteti publik dhe ai privat do të vihet në dispozicion të këtyre studentëve mbi bazën e krediteve.

Ilir Paço: Mendoni se me mbylljen e me shume se dy te tretes se universiteteve krijohet nje situate monopol ne tregun e arsimit te larte?

Lindita Nikolla: Mendojmë atë që ka ndodhur dhe opinioni publik e di që i kemi dhënë fund paligjshmërisë në arsimin e lartë për herë të parë. Ishim futur në një rrugë që nuk të çonte kurrkund, ku humbin të gjithë, familjet, studentët që pajiseshin me një diplomë të pavlerë, humbte shoqëria sepse nuk vleresonte si duhet burimet njerëzore.

Ilir Paço: Çfarë do të ndodhë me këto universitete që mbyllen e pezullohen? Do të rihapen, do të transformohen? Kanë mundësi të ekzistojnë në të ardhmen sërish duke u ristrukturuar apo marrë licensë të re?

Lindita Nikolla: Në këto 300 ditë kemi ngjizur një komunikim të ri me këto institucione. Jemi krah institucioneve. Nesër do të takoj këto institucione që janë pezulluar për të ndarë detyrat dhe për të përcaktuar qartë kohën dhe masat për të inspektuar në vijim detyrat e tyre, më pas këto institucione do t’i nënshtrohen verifikimit të cilësisë nga një agjenci britanike. /TopChannel/Albeu.com/
Shtuar më 04/08/2014, ora 21:11
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori