Arsyet pse Rama nuk hoqi Bushatin, Nikollën dhe Gjiknurin
Kryeministri Edi Rama ditën e djeshme sqaroi para Kryesisë dhe Grupit Parlamentar të PS-së arsyet e largimit të disa dhe jo të gjithë ministrave që janë drejtues politikë në qarqe. Gjatë fjalës së tij para deputetëve, Rama është shprehur se kërkonte të ndërronte të gjithë ministrat, por për shkak të disa impenjimeve, një pjesë e tyre shpëtuan, raporton “Panorama”.

“Në këto muaj më ka rezultuar se jo të gjithë ministrat mund të mbajnë dy detyra, edhe atë të ministrit, edhe atë të drejtuesit politik të qarkut. I vetmi që e ka kryer këtë punë në mënyrë shembullore është Damian Gjiknuri, i cili shkon tri herë në javë në Vlorë dhe e ka Vlorën nën kontroll. Nëse sot do të bëheshin zgjedhje, në Vlorë ne do të merrnim 7 deputetë”, mësohet të jetë shprehur Rama para deputetëve. Në projekt për lëvizje nga posti i ministrit ka qenë edhe Bushati dhe Nikolla.

“Edhe Ditmiri ishte për t’u lëvizur, por për shkak të marrëdhënieve intensive me BE-në dhe NATO-n, ministri i ri që do të vihej, do ta kishte të pamundur në kaq pak kohë të luante rolin që duhej. Po ashtu edhe Lindita ishte në plan për t’u lëvizur, por ajo është duke u marrë me aktet nënligjore të ligjit për arsimin e lartë dhe përpara saj është Matura Shtetërore, që janë shumë domethënëse për suksesin e kësaj reforme. E them këtë, sepse në përgjithësi ka një ngërç mes postit të ministrit dhe drejtuesit politik të PS-së në qark, i cili nuk është Zoti, por një punëtor i partisë që duhet të prekë nga afër njerëzit”, mësohet të jetë shprehur Kryeministri, i cili nuk ka kursyer dhe kritikat ndaj punës së ministrave.

“Ajo që unë pres nga çdo drejtues politik qarku, është rezultati i 18 qershorit, i cili duhet të jetë më i mirë se ai i 2013-s. Dhe kjo nuk arrihet duke krijuar një hendek mes jush dhe zgjedhësve apo strukturave socialiste. Mos t’ju shohë më populli nëpër fuoristrada me bodyguard-ë dhe shoferë, me kostume pritjesh, të gjithë në këmbë të takoni njerëzit në terren. Promovoni punën tuaj, të ministrave të tjerë dhe të qeverisë, sqarojini votuesit”, mësohet të jetë shprehur Rama.

“Ju s’keni lindur ministra, nuk jeni më të mirë se deputetët. Do të jetoni atje bashkë me popullin, gjatë kohës së fushatës elektorale. Ka dhe nga ju që nuk përgjigjeni në telefon apo e hapin e flasin me arrogancë”, ka vijuar Rama para deputetëve. Gjatë fjalës së tij, Kryeministri është marrë dhe me protestën e opozitës.

“Në çadrën e PD-së ka grupe që janë kundër interesit kombëtar. Ka grupe antishqiptare, që duan trazira e përmbysje”, mësohet të jetë shprehur Rama ndërsa ka thënë se dështimi në zgjedhje do të thotë triumf për gjyqtarët dhe prokurorët që janë kundër vetingut. “Nëse pas 18 qershorit PS nuk është në qeverisjen e vendit, ju do të jeni të parët që do paguani hakmarrjen nga gjyqtarët dhe prokurorët. Gjyqtarët dhe prokurorët janë tërhequr për shkak të vetingut, por në rast humbjeje, jo vetëm Reforma në Drejtësi nuk do të bëhet dhe do të duhen 10 vite për ta bërë pastaj, por do të zhbëhen dhe shumë reforma të tjera”, ka thënë Rama./Albeu.com/
Shtuar më 14/03/2017, ora 07:54

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori