Ja akuzat ndaj gjyqtarit që pezulloi kreun e Policisë, Haki Çako
Gjyqtari që vendosi pezullimin nga detyra të Haki Çakos, më 6 qershor, Arjan Aliaj është marrë në hetim nga oficerët e Antikrimit Ekonomik të Policisë së Shtetit.

Sipas policisë mësohet se Aliaj po hetohet për 5 akuza. Hetimi ka nisur me iniciativën e Policisë, nga deklaratat e pasurisë që ka bërë gjyqtari, por edhe nga denoncimi i disa qytetarëve. Si fillim objekt verifikimi i oficerëve të Policisë është bërë vila trekatëshe, në pronësi të Adriana Aliajt, bashkëshortes së Arjan Aliajt, ndërtesë që ndodhet në rrugën “Sami Frashëri”.

Të njëjtat burime thanë se hetimet nga Antikrimi Ekonomik kanë nisur prej disa ditësh, për veprat penale "pastrim parash", "fshehje të të ardhurave", "evazion fiskal", "mosdeklarim të pasurisë" dhe "korrupsion". Oficerët e Policisë kanë dyshime kryesisht në lidhje me banesën e gjyqtarit Arjan Aliaj, për mënyrën e kalimit të pronësisë dhe çmimit të ulët që është përftuar, vetëm prej 1 milion lekësh të rinj.

Gjyqtari Arjan Aliaj prej disa ditësh është në qendër të akuzave nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Kryeministri Edi Rama, pas vendimit që dha për pezullimin nga detyra të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, dhe masës së arrestit në shtëpi për drejtuesin dhe punonjësin e Njësisë Operacionale, Artion Dukën e Ention Xhelilajn. /albeu.com/
Shtuar më 15/06/2016, ora 08:15
Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori