Izet Haxhia: Çfarë di për rrëmbimin dhe zhdukjen e Remzi Hoxhës nga SHIK-u
Izet Haxhia ka filluar të flasë prej disa muajsh mbi ato që ka dëgjuar dhe ka parë gjatë periudhës që ka shërbyer si truprojë personale e Sali Berishës kur ai ishte President i Republikës së Shqipërisë në fillim të viteve ’90.

Daljet publike të Haxhiajt nxisin gjithnjë interesin e opinionit publik për shkak të intensitetit të zhvillimit të ngjarjeve në atë periudhë si edhe afërsisë me Berishën e plotfuqishëm të asaj kohe.

Haxhia ka dhënë sëfundmi një intervistë për gazetën “Dita” duke rrëfyer atë që di mbi rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha nga SHIK-u famëkeq i asaj periudhe nën drejtimin e Bashkim Gazidedes raporton portali Albeu.

“Di që Remzi Hoxha ka vdekur nga torturat në qelitë e SHIK, nga njerëzit e SHIK. Ka dy variante për vendndodhjen e trupit të tij. Njëri, që trupi është transportuar në det me lundër dhe e kanë hedhur atje. I dyti, që është transportuar diku pas malit të Dajtit, ku pasi është djegur, është varrosur. Ka disa njerëz që janë përfshirë në këtë krim. Por që arrestimi i Remzi Hoxhës është bërë me urdhër të Gazidedes, kjo është e sigurt. Nuk e di sa e vërtetë është që Remzi Hoxha ka filmuar një takim të Berishës, Gligorovit dhe Millosheviçit në vilën Viljana në Ohër. Që ka pasur një takim Berisha- Gligorov në atë vilë, kjo është e vërtetë zyrtare, por më ka bërë përshtypje se në atë takim asnjë nga shoqëruesit e Berishës apo delegacionit që e shoqëronte nuk është lejuar të futet në brendësi të asaj vile, gjë që nuk ndodhte në asnjë takim ndërkombëtar”.

Kjo është një dëshmi e re për atë ngjarje, e cila ka mbetur ende mister, ndërkohë që disa nga ata që kanë qenë përfshirë në të ose kanë ndërruar jetë ose janë jashtë Shqipërisë duke vështirësuar edhe më tej zbardhjen e saj./albeu.com/
Shtuar më 30/04/2015, ora 10:52

Shkruani komentin tuaj!
Të fundit nga kjo kategori